2013-11-12 14:31:15

Roma e Moska: a po shkurtohet largësia?


Sipas lajmeve të pakonfirmuara zyrtarisht, në fund të këtij muaji presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Vatikanin për të katërtën herë që nga viti 2000. Kohët e fundit Moska zyrtare ka shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje me Selinë e Shenjtë, pas më se njëzet vjetësh, gjatë të cilëve marrëdhëniet ndërmjet Republikës Federale Ruse dhe Kreut të Kishës Katolike kanë qenë të luhatshme.
Ardhja e një bariu nga Bota e Re në Selinë e Shën Pjetrit është pritur mirë nga Patriarku i Moskës, i cili, në mesazhin e urimeve, që i pati dërguar Papës Françesku, nuk ka ngurruar të theksojë se Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse gjenden përballë sfidave të përbashkëta. Duket se me ardhjen e një Pape nga Jugu i botës është tejkaluar klima e nderë mes Vatikanit e Moskës, që kishte lënë pas lufta e ftohtë.
Para pak ditësh një kor i Sinodit Rus dha një koncert në Vatikan, gjë që u kuptua si shtendosje e marrëdhënieve diplomatike delikate ndërmjet Kishave.
Vizita e Presidentit të Fundit të Bashkimit Sovjetik Mihajl Gorbaçov në Vatikan në vitin 1989 shënoi rivendosjen e kontakteve ndërmjet Romës së parë e Romës së tretë (siç quhet Moska), por themelimi, më pas, i katër dioqezave katolike nga ana e Gjon Palit II e ka ngurtësuar qëndrimin e Patriarkanës Ortodokse kundrejt Kishës Katolike. Kisha Ortodokse e ka akuzuar Kishën Katolike për qëndrime proselitiste dhe e ka interpretuar përmendjen e të fshehtave të Fatimës nga Gjon Pali II si kërcënim për kthimin me forcë të rusëve në katolicizëm. Kjo duket se është arsyeja pse Moska ka miratuar ligje, në bazë të të cilave katolicizmi trajtohet ndryshe nga fetë e tjera tradicionale dhe vihet përballë pengesave ligjore e burokratike, që e bëjnë më të vështirë jetën e Kishës në Rusi.
Pas zgjedhjes së Kardinalit Ratzinger si pasardhës i Pjetrit, ka pasur shenja të ndrojtura të përafrimit ndërmjet dy kishave dhe gjatë këtyre muajve të shërbesës së Papës Françesku këto shenja janë përforcuar. Papa është lutur për Patrikun Kiril në festën e shën Cirilit, ndërsa Patriku ka lavdëruar angazhimin social të Bergoglio-s, duke nënvizuar prejardhjen e tij argjentinase, dhe ka bërë thirrje për t’u bashkuar në mbrojtjen e vlerave tradicionale të rrezikuara nga mësymja e liberalizmit.
Në prag të vizitës së mundshme të presidentit Putin në Vatikan, Roma e Moska duken më pranë njëra-tjetrës.








All the contents on this site are copyrighted ©.