2013-11-12 14:30:10

Papa në parathënien e librit të kardinalit Bertone: kriza kërkon të shemben pengesat e padrejtësisë


Sfida e vërtetë për ardhmërinë e njerëzimit është të sigurojë një paqe e një zhvillim, që nuk përjashton askënd: këtë pohon Papa Françesku në parathënien e librit të kardinalit Tarçizio Bertone, titulluar: “Diplomacia papnore në një botë të globalizuar”, shtypur nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, që u paraqit sot, 12 nëntor, në orën 17. 00, në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan.

Kriza globale, që po jetojmë, shkruan Papa, na imponon t’i zhdukim pengesat e shumta, që kanë zevendësuar kufijtë: pabarazinë, garën e armatimeve, mungesën e zhvillimit, shkeljen e të drejtave të njeriut, diskriminimin, pengesat në jetën shoqërore, kulturore, fetare. Ardhmëria jonë nuk duhet të flasë vetëm me gjuhën e paqes e të zhvillimit, por duhet të jetë e aftë, me fakte, për t’i përfshirë të gjithë, pa lënë askënd jashtë radhëve.

Në këto rrethana, pohon Papa, diplomacia është shërbim e jo peng i interesave të veçanta, pasojë e hidhur e logjikës të të cilave janë luftërat, konfliktet e brendshme, format e ndryshme të dhunës. E nuk është as mjet, për të realizuar kërkesat e pak njerëzve, që e përjashtojnë shumicën, lindin varfëri e përjashtim, lejojnë çdo lloj korrupsioni, prodhojnë privilegje e padrejtësi.
Kriza e thellë e bindjeve, e vlerave, e ideve, vëren akoma Papa, i krijon shërbimit diplomatik një mundësi të re, që është njëkohësisht edhe sfidë. Sfidë për të dhënë ndihmesën që ndërmjet popujve të ndryshëm të krijohen marrëdhënie vërtet të drejta e solidare, duke respektuar identitetin dhe dinjitetin e çdo kombi e të të gjithë njerëzve e duke u krijuar mundësi të zhvillohen në liri.
Përballë globalizimit negativ, që paralizon, nënvizon Papa, diplomacia është thirrje për të rifilluar detyrën e rindërtimit, për të rizbuluar përmasën profetike, për të vendosur atë, që mund ta quajmë utopi e së mirës e, nëse është e nevojshme, edhe për ta mbrojtur. Utopia e vërtetë e së mirës, që nuk është ideologji, e as vetëm filantropi, përmes veprimtarisë diplomatike mund të shprehë e të konsolidojë vëllazëritë e pranishme në rrënjët e familjes njerëzore e, që aty, thirrjen për t’u rritur, për t’u shtrirë e për të dhënë fryte.
Duhet t’i jepet fund logjikës së individualizmit! Në këtë kuptim, vijon Papa, perspektiva e krishterë di të vlerësojë si atë, që është me të vërtetë njerëzore, ashtu edhe atë, që buron nga liria e njeriut, nga dëshira e tij për të ecur drejt së resë, nga shpirti i tij, që bashkon përmasën njerëzore me përmasën transhendente. Ky është një nga kontributet, që i jep diplomacia papnore mbarë njerëzimit, duke punuar për të rilindur përmasën morale në marrëdhëniet ndërkombëtare, atë përmasë, që i krijon familjes njerëzore kushtet për të jetuar e për t’u zhvilluar bashkërisht, pa e bërë njeriun armik për njeriun. Duke refuzuar indiferencën ose bashkëpunimin ndërkombëtar, që është fryt i egoizmit dhe shikon vetëm dobinë, diplomacia papnore është përpjekje për të bërë diçka për të tjerët, përmes organeve të përbashkëta.
E kjo, sepse konfliktet nuk zhduken e të drejtat e njeriut nuk mbrohen duke u përpjekur të sundojë arsyeja e shtetit ose individualizmi. E drejta më e rëndësishme e një populli dhe e një njeriu nuk është ajo, që e pengon të realizojë aspiratat e veta, përkundrazi, e drejta i hap rrugën realizimit të njëmendtë e të gjithanshëm të këtyre aspiratave. Nuk mjafton ta zhdukësh padrejtësinë, nëse nuk i bën vend drejtësisë.
Papa kujton edhe shërbimin e kardinalit Bertone si sekretar i Shtetit të Vatikanit, si dhe mbështetjen bujare e besnike të papnisë së Benediktit XVI. Përvoja e tij e urtë dhe e pjekur prej shërbëtori të Kishës, shkruan, më ndihmoi edhe mua, që u thirra në Selinë e Shën Pjetrit nga një vend i largët, në fillimin e organizimit të lidhjeve institucionale, detyrë që i takon çdo pape. Në përfundim, Ati i Shenjtë nënvizon: “Historia, masë e së cilës është e vërteta e kryqit, do ta vërë në pah veprimtarinë e kardinalit Bertone, i cili dëshmoi edhe se është i gatuar me brumin piemontez të punëtorit të madh, që nuk lodhet kurrë duke punuar për të mirën e Kishës, me përgatitje të lartë kulturore e intelektuale e me forcë të posaçme shpirtërore. Na kujton, kështu, fjalët e Apostullit të Popujve: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me gjë tjetër, përveçse me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit: Ai është shpërblimi ynë, jeta, ngjallja; përmes Tij u shëlbuam e u çliruam”.







All the contents on this site are copyrighted ©.