Papa: Hyji, edhe kur na qorton, na përkëdhel e kurrë nuk na lëndon
Të lëshohemi në krahët e Hyjit, siç lëshohet fëmija në krahët e të atit. Kështu tha
Papa në meshën e paradites në Shtëpinë e Shën Martës. Papa ritheksoi se Zoti nuk na
braktis kurrë dhe nënvizoi se, edhe kur na qorton, nuk na gjuan me shuplakë, por na
përkëdhel. “Hyji e ka krijuar njeriun për pashkatërrueshmërinë”, por “smira e djallit
futi në botë vdekjen”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke u ndalur tek leximi
i parë, një pjesë nga libri i Urtisë, që kujton krijimin tonë. Smira e djallit, pohoi
Papa, e ka hapur këtë luftë, “këtë rrugë që përfundon me vdekjen”. Vdekja, tha Papa,
“hyri në botë dhe e përjetojnë ata që i përkasin atij”. Këtë përvojë e bëjmë të gjithë: “Të
gjithë duhet të kalojmë përmes vdekjes. Tjetër gjë është të kalosh përmes kësaj përvoje
duke i përkitur djallit e tjetër gjë është të kalosh nëpër këtë përvojë nga dora e
Hyjit. Mua më pëlqen ta dëgjoj këtë: ‘Jemi në dorë të Hyjit që në fillim’. Bibla na
e shpjegon krijimin, duke përdorur një figurë të bukur: Hyji, që na bën me duart e
veta nga balta, që, nga dheu, na ngre në përngjasimin dhe shëmbëllimin e vet. Janë
duart e Hyjit ato që na kanë krijuar: Hyji zejtar, eh! Si një zejtar na ka bërë. Këto
duar të Zotit… Duart e Hyjit që nuk na kanë braktisur”. Bibla, vijoi Papa,
tregon se Zoti i tha popullit të vet: “Unë kam ecur me ty, si një atë me të birin,
që e merr përdore”. Janë pikërisht duart e Zotit, shtoi, “ato që na shoqërojnë gjatë
rrugëtimit”: “Ati ynë, siç bën një atë me të birin, na mëson të ecim. Na mëson
të shkojmë udhës së jetës e të shëlbimit. Janë duart e Hyjit, që na përkëdhelin në
momentin e dhimbjes, na ngushëllojnë. Ai është Ati ynë, që na përkëdhel! Na do shumë.
Edhe tek këto përkëdhelje, shpesh herë, gjendet falja. Mua më bën mirë kur e mendoj
këtë gjë. Jezusi, që është Hyj, ka marrë me vete plagët e veta: ia dëfton Atit. Ky
është çmimi: duart e Hyjit janë duar të plagosura për dashuri! E kjo gjë na jep shumë
ngushëllim”. Shpesh herë, shtoi Papa, kemi dëgjuar për njerëz që nuk dinë kujt
t’i drejtohen me besim: “I drejtohem me besim Hyjit!” Kjo gjë, vrojtoi Papa, “është
e bukur” sepse “aty jemi të sigurt: është siguria më e madhe, sepse është siguria
e Atit tonë, që na do shumë”. “Duart e Hyjit – shtoi Papa – na shërojnë edhe nga sëmundjet
tona shpirtërore”: “Të sjellim në mendje duart e Jezusit, kur prekte të sëmurët
dhe i shëronte… Janë duart e Hyji: na shërojnë! Unë nuk mund të përfytyroj Hyjin duke
më goditur me shuplakë! Nuk e përfytyroj dot. Duke më qortuar po, e përfytyroj, sepse
këtë e bën ai. Por kurrë, kurrë nuk na lëndon. Kurrë! Na përkëdhel. Edhe kur duhet
të na qortojë, na qorton me përkëdhelje, sepse është Atë. ‘shpirtrat e të drejtëve
janë në duart e Hyjit’. Të sjellim në mendje duart e Hyjit, që na ka krijuar si një
zejtar, që na ka dhënë shëlbimin e amshuar. Janë duar të plagosura dhe na shoqërojnë
në udhën e jetës. Ta lëshojmë veten në duart e Hyjit, siç lëshohet fëmija në duart
e të atit. Janë duar të sigurta ato!”