2013-11-12 14:29:52

Intervista e Papa Françeskut me atë Spadaron - Kisha? Spital fushimi


Kishat e reja dhe Kishat e lashta

Ndalem tek tema e Kishës dhe i bëj Papës një pyetje, duke mbajtur parasysh edhe Ditën Botërore të Rinisë, atë të fundit: “Kjo ngjarje e madhe i ka ndezur përsëri reflektorët mbi të rinjtë, por edhe mbi “mushkëritë shpirtërore”, që janë kishat e themeluara së voni. Cilat janë shpresat për Kishën universale, që Ju duket se burojnë prej këtyre Kishave?”
“Kishat e reja e zhvillojnë sintezën e fesë, të kulturës dhe të jetës si diçka që është në ndryshim e sipër, pra ndryshe nga sinteza që zhvillonin Kishat më të lashta. Sipas meje, marrëdhëniet ndërmjet Kishave të themeluara më herët e atyre të mëvonshmeve janë të ngjashme me marrëdhëniet ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve në shoqëri: ndërtojnë të ardhmen, por njëra palë me atë të fuqisë e pala tjetër me anë të urtisë. Ka gjithmonë rreziqe, kuptohet: Kishat më të reja rrezikojnë të ndjehen të vetëmjaftueshme. Rreziku i Kishave më të lashta është se duan t’u imponojnë Kishave më të reja modelet e tyre kulturore. Por, e ardhmja ndërtohet bashkërisht”.

Kisha? Spital fushimi...

Papa Benedikti XVI, gjatë lajmërimit të dorëheqjes nga papnimi, e ka portretizuar botën e sotme si një realitet që po pëson ndryshime të befta dhe që është i trazuar nga çështje me peshë të madhe për fenë, për të cilat lipset fuqi trupore e shpirtërore. E pyes Papën, i mbështetur edhe mbi çfarë më tha pak më parë: “Për çfarë ka nevojë më shumë Kisha në këtë moment historik? A nevojiten reforma? Cilat janë dëshirat Tuaja për Kishën e viteve të ardhshme? Çfarë Kishe ‘ëndërroni’?”
Papa Françesku, pasi pikas fillin (incipit) e pyetjes sime, e nis përgjigjen duke thënë: “Papa Benedikti ka kryer një vepër shenjtërimi, madhështie, përvujtërie. Është njeri i Hyjit”, dhe shfaq dashuri të madhe e nderim të pamasë për paraardhësin e vet.
“Unë e shoh qartë, – vijon – se gjëja për të cilën ka më shumë nevojë Kisha sot është aftësia për të shëruar plagët e për të ngrohur zemrat e besimtarëve, afrimi, afërsia. Unë e shoh Kishën si një spital fushimi pas një beteje. Është e kotë ta pyesësh një të plagosur rëndë a e ka të lartë kolesterolin dhe sheqerërat. Atij i duhen mjekuar plagët. Pastaj mund të flasim për të tjerat. Duhen shëruar plagët, duhen shëruar plagët... E duhet filluar nga poshtë”.
“Kisha, nganjëherë, është mbyllur brenda vogëlsirave, brenda urdhërimeve të vogla. Por, gjëja më e rëndësishme është shpallja fillestare: ‘Jezu Krishti të ka shpëtuar!’. Ministrat (shërbestarët) e Kishës duhet të jenë para së gjithash ministra të mëshirës. Rrëfyesi, për shembull, rrezikon gjithmonë të jetë ose tepër i rreptë, ose tepër dorëlëshuar. Asnjëri nga të dy nuk është i mëshirshëm, sepse asnjëri nga të dy nuk merret me të vërtetë me njeriun. I rrepti lan duart, sepse e lë njeriun në mëshirë të urdhërimit. Dorëlëshuari lan duart duke thënë thjesht: ‘ky nuk është mëkat’, ose gjëra të ngjashme. Njerëzit duhet të shoqërohen, plagët duhet të mjekohen”.
“Si është sjellja jonë me popullin e Hyjit? Unë ëndërroj një Kishë Nënë e Bareshë. Ministrat e Kishës duhet të jenë të mëshirshëm, duhet të merren me njerëzit, duke i shoqëruar si samaritani i mirë, që e lan, e pastron dhe e ngre të afërmin e vet. Ky është Ungjilli i pastër. Hyji është më i madh se mëkati. Reformat organizuese dhe strukturore janë dytësore, domethënë vijnë më pas. Reforma e parë duhet të jetë ajo e sjelljes. Ministrat e Ungjillit duhet të jenë të aftë të ngrohin zemrat e njerëzve, të ecin me ta nëpër natë, nëpër errësirën e tyre, pa u humbur. Populli i Hyjit do barinj e jo funksionarë apo klerikë të Shtetit. Ipeshkvinjtë, veçanërisht, duhet të jenë njerëz që mund të shoqërojnë me durim hapat që hedh Hyji me popullin e vet, në mënyrë që askush të mos mbetet pas, por duhet edhe ta shoqërojnë grigjën, që ka nuhatje për të gjetur rrugë të reja”.
“Në vend që të jemi vetëm një Kishë që pranon dhe pret, me dyer të hapura, të përpiqemi të jemi një Kishë që kërkon rrugë të reja, që është e aftë të dalë nga vetvetja e të shkojë drejt atyre që nuk hyjnë e dalin tek ajo, drejt atyre që janë larguar apo janë indiferentë. Kush është larguar, nganjëherë e ka bërë këtë gjë për arsye që, po të kuptohen e vlerësohen si duhet, mund t’i bëjnë të rikthehen. Por duhet guxim, zemër”.








All the contents on this site are copyrighted ©.