2013-11-11 16:39:25

Papa: nuk është e drejtë të jesh bamirës në Kishë e të vjedhësh Shtetin: jo, të krishterëve me jetë të dyfishtë


Kush nuk pendohet e shtiret si i krishterë, i bën shumë keq Kishës. Këtë pohoi Papa Françesku në Meshën, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Të gjithë duhet ta pranojmë se jemi mëkatarë, theksoi Papa, por duhet të kemi kujdes e të mos bëhemi edhe ‘të korruptuar’. Kush është bamirës në Kishë, por vjedh Shtetin, shtoi është i padrejtë, me jetë të dyfishtë, njeri me dy faqe.RealAudioMP3

Jezusi nuk lodhet kurrë duke falur e na këshillon të bëjmë të njëjtën gjë. Duke e marrë shtytjen nga faqja e sotme ungjillore, Papa Françesku u ndalua, në homeli, tek nxitja e Zotit për ta falur vëllaun e penduar. Kur Jezusi kërkon të falësh shtatë herë në ditë, vërejti Ati i Shenjtë, pikturon portretin e vet. Jezusi, vijoi, fal, por në këtë fragment ungjillor thotë edhe “Mjerë kush bëhet burim shkandulli”. Nuk flet për mëkat, po për shkandull, që është tjetër gjë. E shton: “Më mirë të varë një gur mulliri në qafë e të hidhet në det, sesa të shkandullojë qoftë edhe një nga këta të vegjël”. Por çfarë ndryshimi ka ndërmjet mëkatimit e shkandullimit? Përgjigjet Papa:
Ndryshimi është se kush mëkaton e pendohet, kërkon falje, e ndjen veten të ligësht, bir të Zotit, përulet e kërkon shpëtim nga Jezusi. Po ky tjetri, pse e si na shkandullon? Ky nuk pendohet. Vijon të mëkatojë, por shtiret si i krishterë: jeton një jetë të dyfishtë, është njeri me dy fytyra. ‘Jam bamirës i Kishës, thotë, vë dorën në xhep e ia jap Kishës!’. Me një dorë i jep Kishës e me dorën tjetër vjedh: shtetin, të varfërit… vjedh. Është i padrejtë. E kjo është jetë e dyfishtë. Prandaj meriton, e këtë nuk e them unë, por Jezusi, t’i vihet një gur mulliri në qafë e të flaket në det. Nuk flitet për falje, këtu”.
E kjo, sepse ky njeri gënjen e ku është gënjeshtra, nuk mund të jetë shpirti i Zotit. Ky është ndryshimi ndërmjet mëkatarit e të korruptuarit. Kush bën jetë të dyfishtë, qortoi Papa, është i korruptuar. Ndryshe është me atë, që mëkaton pa dashur të mëkatojë, me atë, që shkon tek Zoti e lyp falje. Atë Zoti e do. E shoqëron. Është me të:
“E ne duhet të pranojmë se jemi mëkatarë, po, të gjithë! Të gjithë jemi mëkatarë, po jo të korruptuar. I korruptuari është përplot me vetveten, nuk e di ç’është përvujtëria. Jezusi këtyre, të korruptuarve, u thoshte: ‘Varre të lyera me gëlqere’, që duken të bukura përjashta, por përbrenda janë plot eshtra të vdekurish e gjithfarë ndyrësie’. E i krishteri, që krenohet se është i krishterë, por nuk jeton si i krishterë, është një nga këta të korruptuarit […].Të gjithë e e njohim ndonjë prej atyre, që janë në këtë gjendje. E dimë edhe sa keq i bëjnë Kishës! Të krishterë të korruptuar, priftërinj të korruptuar, njerëz, që jetojnë në frymën e mendësisë së botës”.
Shën Pali, kujtoi Papa Françesku, e thotë qartë në Letrën drejtuar të krishterëve të Romës: “Mos iu nënshtroni mendësisë së kësaj bote”. Madje e saktëson, duke u kërkuar të krishterëve të mos hyjnë në skemat e kësaj bote, në parametrat e saj. Skema, shtoi Papa, që janë pikërisht mendësia e botës, e cila të çon te jeta e dyfishtë:
“Një kalbësirë e lyer me bojë të bardhë, kjo është jeta e të korruptuarit. E Jezusi këtyre nuk u thoshte ‘mëkatarë’, u thoshte ‘hipokritë’. E më e bukur është kjo tjera, apo jo? ‘Nëse ndokush do të bëjë faj shtatë herë në ditë kundër teje e shtatë herë në ditë do të kthehet duke thënë: ‘U pendova, jam mëkatar’, ti duhet ta falësh’. Këtë bën Ai me mëkatarët. Nuk lodhet kurrë duke të falur, po me kusht që të mos bësh jetë të dyfishtë, të shkosh tek Ai i penduar: ‘Më fal, o Zot, jam mëkatar!’. ‘Po, shko, ec përpara: unë e di’. Kështu është Zoti. T’i lypim sot hirin e Shpirtit Shenjt, që rri larg çdo gënjeshtre, t’ia kërkojmë hirin për të pranuar se jemi mëkatarë: jemi mëkatarë. Mëkatarë, po! Të korruptuar, jo!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.