2013-11-10 12:37:13

Lartohet në nderimet e elterit Maria Teresa Bonzel


Sot në Paderborn të Gjermanisë u ngrit në nderimet e elterit, duke u shpallur e lume, Maria Teresa Bonzel, themeluese e Motrave të Varfëra Françeskane të Adhurimit të Përhershëm të Olpes. Në emër të Papës Françesku, kremtoi meshën e lumnimit, prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato, i cili na jep një biografi të shkurtër të së Lumes, në mikrofonin tonë:
E Lumja e re u lind më 17 shtator 1830 në Olpe të Vestfalisë, në dioqezën e Paderbornit. U pagëzua një ditë më vonë me emrat Regjina Kristina Gulielmina. Në familje e thërrisnin “Aline”. Prindërit ishin të pasur dhe i përkisnin njërës nga familjet më të lashta e më fisnike katolike të dioqezës. Feja e gjallë e prindërve, shembulli i mirë, jeta me lutje, kontribuan në formimin e krishterë të vogëlushes. Pas shkollës fillore, ndoqi në Këln, Kolegjin e motrave orsoline. Kur u kthye në familje, shprehu dëshirën për t’u bërë murgeshë, por mospëlqimi e së ëmës, zemra e dobët, që do ta mundonte gjithë jetën e, sidomos, sëmundja e së motrës, e penguan ta zbatonte këtë projekt.
Si arriti pastaj t’i përkushtohej plotësisht Zotit?
Duke ngulur këmbë në qëllimin e saj për t’iu përkushtuar Zotit, së bashku me disa shoqe, vendosi të themelojë një Institut rregulltar, sipas rregullës së Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut. Mori miratimin e ipeshkvit të Paderbornit. Kështu, në vitin 1863, lindi “Kongregata e Motrave të Varfëra Françeskane të Adhurimit të Përhershëm”. Maria Bonzel qe eprore e përgjithshme deri në vdekje, më 6 shkurt 1905. Kur u nda nga kjo jetë, në Gjermani ishin aktive 870 murgesha në 71 shtëpi, ndërsa në Amerikë, 700 murgesha në 42 shtëpi.
Cili ishte elementi dallues i përshpirtërisë së saj?
Fryma e lutjes ishte karakteristikë e së Lumes, ashtu si edhe bamirësia e saj. Në veçanti, ajo e braktiste veten krejtësisht në duart e Provanisë Hyjnore, sidomos gjatë sprovave e sëmundjeve. Përkushtimi i saj për Eukaristinë ishte shembullor e shpesh shihej në gjunjë në kapelën e adhurimit. Bamirësia e saj amnore shtrihej mbi fëmijët jetimë të kolegjit e jashtë tij. Shqetësohej që pas shkollës, çdo fëmijë të gjente një vend të mirë e të strehohej pranë një familjeje për të qenë.








All the contents on this site are copyrighted ©.