2013-11-09 15:43:28

“Në venat e Amerikës”: libri i ri i atë Antonio Spadaros: nuk është doracak, por prijës në udhët e letërsisë amerikane


Doli këto ditë në librari, libri “Në venat e Amerikës”, shkruar nga jezuiti atë Antonio Spadaro, botuar nga JacaBook. Vëllimi ndalet tek disa nga figurat më të mëdha të letërsisë amerikane, nga Uollt Uitman (Walt Whitman), tek Xhek Keruak (Jack Kerouac). Gjithsesi, nuk mungojnë edhe autorë më pak të njohur, por jo më pak domethënës për ta parë në tërësi panoramën letrare amerikane.
E intervistuam atë Spadaron, duke iu lutur ta marrë për dore lexuesin, në shtegtimin nëpër faqet e librit të tij të ri, e t’i tregojë ku mund të ndalet, në se dëshiron të hyjë në venat e letërsisë amerikane. Atë, ç’do të gjejnë lexuesit në veprën tuaj të re?

Përgjigje: - Do të gjejnë, sigurisht, një shteg personal për t’u lidhur me figurat më kuptimplote, me të cilat u përpoqa të krijoj marrëdhënie të dyfishta: marrëdhënie në këndvështrimin kritik, domethënë të kritikës letrare, e nga ana tjetër, të depërtimit në botën shpirtërore të shkrimtarit e të lexuesit. Qëllimi im është që vetë lexuesi t’i vlerësojë personalisht autorët, duke hyrë në venat e frymëzimit të tyre, të vizionit të tyre për jetën. Nuk është doracak, në asnjë mënyrë, edhe pse zgjedhja e autorëve nuk është aspak e rregullt. Natyrisht takohesh me klasikët e mëdhenj, si Uollt Uitman (Walt Whitman), Emili Dikinson (Emily Dickinson), Xhek London (Jack London); por edhe me autorë më të dashur jashtë Amerikës, sesa brenda saj. Kujtoj këtu Edgar Lii Masters(Edgar Lee Masters) dhe “Antologjia e Spun River” (Spoon River) e Raimond Kerver(Raymond Carver). Por u përpoqa të nxjerr nga harresa edhe shkrimtarë, si Paskal D’Anxhelo (Pascal D’Angelo) dhe Emanuel Karnevali (Emanuel Carnevali), autorë të emigracionit italian, duke u marrë si me jetëshkrimet e tyre, ashtu edhe me vlerat letrare, vlera vërtet vezulluese.

Pyetje: - A mund të themi se tema, përmasa e përbashët e të gjithë këtyre poetëve, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, është ajo e “vijës së kufirit”?

Përgjigje: - Sigurisht! Ndoqa një fill përcjellës. E është pikërish ky i vijës së kufirit. Në fund të fundit heroi amerikan është figurë në lëvizje të përhershme e, me kalimin e kohës - të historisë – bota e re, e kuptuar si “Dheu i premtuar”, si tokë e virgjër, do të zhdukej, detyrimisht, si e tillë. Po vija e kufirit vijoi t’i bënte ballë kohës, deri më sot, si simbol e si metaforë. Prej këndej, mund të themi se vija e kufirit është metaforë e një bote tjetër, në ndryshim të vazhdueshëm, gjithnjë në shndërrim. Për një historian amerikan të fundit të tetëqindës, është pikërisht ekzistenca e vijës së kufirit ajo, që e bëri të pashembullt e të papërsëritshme historinë amerikane. Në letërsinë amerikane ekziston një territor i jashtëm, domethënë, vija e jashtme e kufirit, por edhe një territor i brendshëm, shpirtëror, pasqyrë e atij të jashtmit. Dua të them se lëvizja lokale, domethënë shtegtimi, nga ai nëpër livadhe, në atë mbi autostrada, bëhet figurë e shpirtit, krijohet një zonë e gjelbër shpirtërore, një shtegtim shpirtëror…Një kufi, që ndan shkretëtirën nga gjelbërimi. Shpirtëror, metaforik, kur historia nisi të ecë në rrugë të reja.

Pyetje: - A mund të themi se edhe përshpirtëria, e jetuar si tension e ballafaqim, është një aspekt tjetër, që e bashkon shumicën e autorëve, me të cilët na njihni tek “Në venat e Amerikës”…A nuk meriton edhe ky aspekt, një reflektim të veçantë….

Përgjigje: - Po. Sidomos Flannery O’Conor (Flaneri O’Konor), prozatore vërtet e madhe: ajo përshkruan një botë, që është ‘work in progress”, punë e papërfunduar, në pritje të përkryerjes e në të cilën punon vazhdimisht hiri: por punon sipas kategorive, që nuk janë ato, me të cilat jemi mësuar ne. E hiri i saj, do të thosha, nuk është aspak i hirshëm, shpesh, madje, në dramën e lirisë e të dhunës, shkel në kufirin e groteskut. Gjë që bie në sy menjëherë. Ndërsa Xhek Keruak nuk mund të kuptohet pa katolicizmin. Njëherë pati thënë: “Nuk jam beatnik, por Katolik”. Të gjithë personazhet e tij zhvillohen duke ecur në udhën e katolicizmit. Madje të një katolicimi, ku ndjehet fort frymëzimi i Shën Palit. Në një farë pike, u kthye në budizëm, siç ishte moda e atyre viteve, duke provuar shijen e jetës oshënare. Ndërsa krishterimi i kujtonte se ka një botë reale, me shenjtëri e mëkate, budizmi e bëri të zhytej në një botë ëndrrash, në të cilën mungonte realiteti. Prej këndej, ajo që e largoi Keruak nga budizmi ishte, paradoksalisht, pikërisht përvoja e jetës së tij plangprishëse, tejet të çrregullt, mëkati, ai soj djalli që, sipas Flanery O’Conorr, shpesh herë hedh bazat e nevojshme, që i hapin udhën hirit hyjnor.

Sapo shfletojmë veprën e re kritike letrare të atë Spadaros, gjindemi para një pyetjeje poetike, tejet aktuale për letërsinë e sotme, sidomos për poezinë. U drejtohet pikërisht Poetëve, nga Uollt Uitman (Walt Whitman):

Pyetje Poetëve

A mund ta vlerësosh vargun
sa tokat e blerta buzë deti?
Ta bluash, si bukën?
Ta thithësh, si ajrin?
Ta kthesh në kërthndezje,
si sendet
që shndërrohen në forcë
e duken në fytyrë e në hapin vraparak?...







All the contents on this site are copyrighted ©.