SHBA: Doni Europë, luftoni ryshfetin nën dorë në administratë
Biznesi amerikan i ka bërë apel qeverisë shqiptare që të luftohet korrupsioni dhe
ryshfeti nën dorë në administratën tatimore. President i Dhomës Amerikane të Tregtisë,
Mark Crawford, ka thënë se nëse doni të hyni në Europë luftoni ryshfetet që jepen
nën dorë nga bizneset. Crawford tha se bizneset detyrohen që t’i japin administratës
tatimore për shërbime të ndryshme dhe kjo praktikë po largon investitorët. “Ju
doni të hyni në Europë dhe është e rëndësishme që t’i zgjidhni çështjet e taksave
sa më parë. Rimbursimi i TVSH-së nuk merret nga bizneset dhe ky cikël duhet të prishet
sa më parë pasi kjo ndikon tek investitorët dhe ata ndjehen të pabarabartë. Kjo do
t’ju lër pas, si vend për thithjen e investimeve. Cikli i pagesave nën dorë nga bizneset
duhet të përfundojë pasi detyrohen të paguajnë 20-30 për qind të TVSH-së nën dorë
që të rimbursohen”, tha ai. Drejtoresha e Tatimeve Brisida Shehaj nga ana tjetër
ka kërkuar që bizneset të mos bien pre, duke paguar ryshfete nën dorë. Shehaj premtoi
se do luftohet kundrejt çdo abuzimi. Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi ndër të
tjera, edhe rishikim të legjislacionit tatimor si dhe të kontrollohet ana profesionale
e inspektorëve tatimorë, të cilët abuzojnë me vënien e gjobave . Drejtoresha Shehaj
deklaroi se kjo situatë do të ndryshojë, pasi nuk mbushet buxheti me gjoba. Të
ftuar në këtë takim ishin edhe biznese të ndryshme, të cilët ngritën një sërë problemesh. /Shekulli
Online/ E.L./