2013-11-08 15:16:02

Papa: kush i shërben drejtësisë në Kishë, nuk duhet të jetë burokrat, por bari i mirë, plot vëmendje për delen e humbur


Figura e Bariut të Mirë duhet të jetë model për atë, që i shërben drejtësisë në Kishë. Me këtë porosi Papa Françesku e përfundoi fjalimin drejtuar më se 50 anëtarëve të Gjykatës së lartë të Senjaturës Apostolike, duke i pritur sot paradite në audiencë. Në mënyrë të posaçme Ati i Shenjtë dha disa porosi lidhur me temën e pavlefshmërisë martesore dhe rolit të “Mbrojtësit” të kësaj lidhjeje.RealAudioMP3

Kush i shërben drejtësisë në Kishë, nuk mund ta bëjë këtë me indiferencën e njeriut që merret vetëm me karta. Posaçërisht kur argumenti i ballafaqimit juridik e i procesit gjyqësor lidhet me aspekte delikate, siç është rasti i pavlefshmërisë së lidhjes martesore. Me anëtarët e Gjykatës së Senjaturës Apostolike, Papa Françesku u ndalua në mënyrë të posaçme tek “Mbrojtësi i lidhjes”, figurë me funksion shumë të rëndësishëm në proceset kanonike, që kanë të bëjnë me shpalljen e pavlefshmërisë së martesës. Shërbimi i Mbrojtësit të lidhjes martesore, është edhe objekt diskutimi në mbledhjen plenare të Gjykatës së Lartë vatikanase, që vijon. Papa e vlerësoi lart vëmendjen, kushtuar kësaj teme:
Vëmendja kushtuar detyrës së Mbrojtësit të lidhjes është, pa dyshim, e nevojshme, sepse prania e tij e ndërhyrja e tij janë të detyrueshme për gjithë zhvillimin e procesit. Njëkohësisht parashikohet që ai të propozojë çdo lloj prove, përjashtimi, ndihme e thirrjeje për të favorizuar mbrojtjen e lidhjes, gjithnjë duke respektuar të vërtetën”.
Këto aspekte, kujtoi Papa, trajtohen në Udhëzimin Dignitas connubii, dokument i Senjaturës Apostolike, që përmban normat e proceseve, duke përshkruar edhe rolin që luan Mbrojtësi i lidhjes në rastet e shpalljes së pavlefshmërisë së martesës për paaftësi psikike. Prej këndej, Papa pohoi se:
“... Mbrojtësi i lidhjes, që dëshiron të bëjë një shërbim të mirë, nuk mund të kufizohet me leximin e ngutshëm të akteve, as me përgjigje burokratike e të përgjithme. Në detyrën e tij delikate, ai është i thirrur të harmonizojë normat e Kodit të së Drejtës Kanonike me situatat konkrete të Kishës e të shoqërisë”.
E, përveç kësaj, sqaroi Papa Françesku, ndërmjet Mbrojtësit të lidhjes martesore dhe gjykatësit, që duhet të zgjidhë çështjen, duhet të ketë lidhje dialogu plot vëmendje, respekt e ndihmë të ndërsjelltë.
Papa reflektoi edhe për përgjegjësinë dhe stilin, që duhet t’i karakterizojnë njerëzit e drejtësisë kishtare, posaçërisht, vërejti, kur besimtarët, me besim të plotë, kërkojnë prej tyre t’u sqarojnë me autoritet gjendjen, në të cilën ndodhen:
“Prandaj duhet ta kenë gjithnjë parasysh lidhjen ndërmjet veprimit të Kishës që ungjillëzon e veprimit të Kishës, që mbarështon drejtësinë. Shërbimi ndaj drejtësisë është impenjim i jetës apostolike: duhet ushtruar duke ia ngulur fort sytë ikonës së Bariut të Mirë, që kujdeset aq shumë për delen e humbur e të plagosur”.










All the contents on this site are copyrighted ©.