Libri i arkimandritit Manuel Nin për traditën liturgjike siriane
U paraqit sot në Romë, libri i arkimandritit Manuel Nin, rektor i i Kolegjit Papnor
grek të Shën Athanasit dhe i kishës së arbëreshëve, në kryeqytetin italian. Titullohet
“Fryma e Lindjes Siriane. Viti liturgjik siro-perëndimor” dhe synon t’i njohë lexuesit
me thesaret e liturgjive të Lindjes së krishterë. “Kishat me traditë siriane –
shkruan në hyrje frati Sabino Kialà, murg i Bozes – të cilave, vepra e atë Manuel
Ninit u paraqet pasurinë liturgjike, letrare dhe ikonografike, dëshmojnë për një Lindje
tjetër, të lashtë, të pasur me tradita e me fizionomi të veçantë”. Në këtë vëllim,
“arkimandriti Manuel Nin i jep lexuesit një këndvështrim mbi thesarin e madhërishëm
të teksteve, në prozë e në vargje, zgjedhur për përdorim liturgjik në traditën e Antiokisë,
si në Kishën Siro-ortodokse, ashtu edhe në Kishën Siro-katolike”, shpjegon në parathënie
Sebastian Brok, një nga studiuesit më në zë të traditës siriane. “Të zgjedhur me kujdes
të admirueshëm e më një hyrje të bukur – vëren më tej Brok – tekstet, që përkthehen
e publikohen në këtë libër, do t’i japin lexuesit një ide të shkëlqyer për pasurinë
dhe imazhet simbolike, një nga karakteristikat e kësaj tradite liturgjike pak të njohur”.