2013-11-07 10:52:07

Sinodi: Frizo “pyetësori” krijon mundësi të mëdha pjesëmarrjeje për familjet


Nga puna baritore me familjet, tek bashkimet homoseksuale; nga edukimi i fëmijëve, tek dëshira e bashkëshortëve për të krijuar jetë të reja: janë disa nga temat e forta, të cilat spikasin ndërmjet 309 pyetjeve të ‘Pyetësorit’. Iu dërgua të gjitha Kishave ky “Pyetësor”. Kjo do t’i krijojë bashkësisë kishtare kushtet për të marrë pjesë aktive në përgatitjen e Sinodit kushtuar Familjes, që do të mbahet në tetorin e vitit të ardhshëm.
Folëm për këtë, me Albert Frizo, drejtues i Lëvizjes “Familje të reja” e anëtar i Këshillit Papnor për Familjen:

Përgjigje: - Kjo e re nuk mund të mos pritet me gëzim të jashtëzakonshëm nga ne, familjet, sepse na krijon mundësitë, së bashku me mbarë Kishën, të reflektojmë mbi të gjitha këto probleme kaq kritike për shoqërinë e sotme. Janë probleme, me të cilat takohemi vazhdimisht gjatë marrëdhënieve me familjet, që banojnë pranë nesh. I vërejmë edhe në gjirin e familjeve tona, në jetën e të afërmve tanë, shumë shpesh, madje. Më në fund mund të flasim e të shprehim dashurinë për gjithë bashkësitë tona, per të gjithë njerëzit, me të cilët duhet të ndërtojmë ditë për ditë historinë e shoqërisë civile. Këto 39 pyetje janë vërtet të bukura, të kuptueshme e, sidomos, të përshtatshme për të gjitha kulturat. Po vijnë, tashmë, sinjalet e para nga Azia dhe Afrika. Të krishterët e këtyre kontinenteve gëzohen, nga që nuk e ndjejnë më veten të krishterë të ‘kategorisë B’ si laikë e, sidomos, si të martuar. E dyta, e ndjejnë se edhe prej tyre pritet një fjalë për t’u thënë e një mendim, për t’u dhënë lidhur me gjithë shqetësimet e sotme, që jeton njerëzimi.

Pyetje: - Ky pyetësor, drejtuar Konferencave ipeshkvnore, por më pas, edhe famullive si dhe të gjitha bashkësive të krishtera vendase, ka rëndësi të madhe. Tregon se askush nuk duhet përjashtuar nga jeta e Kishës e se të gjitha përgjigjet kanë rëndësinë dhe vlerën e tyre...

Përgjigje: - Vërtet, ne kemi parë si bashkëpunohet, si me praninë tonë, në famulli e në dioqeza, duke reflektuar së bashku, ashtu edhe duke u lidhur në mënyra të ndryshme, për të krijuar një vizion të përbashkët.

Pyetje: - Çfarë prisni e ç’shpresoni të ndodhë muajt e ardhshëm, edhe nën shtytjen e këtij pyetësori?

Përgjigje: - Besoj, mbi të gjitha, se pyetësori do t’i hapë rrugën kuptimit të risisë, të impenjimit baritor e të dashurisë baritore të Kishës, në këtë çast e, natyrisht, edhe të Papës Françesku. Muajt e ardhshëm duhet që ne të gjithë, me mjetet tona të komunikimit, me shtypin tonë e televizionin, të marrim pjesë në debatin e madh, i cili nuk është fare i ri. Ekzistonte dhe më parë në shumë seli, por gjithsesi, duhen ritheksuar reflektimet e propozimet tona e duhet të bëhemi subjekte, edhe shoqërore e politike, më aktive. Sigurisht pyetësori na ndihmon të kemi një vizion të së tërës, në të cilin nuk duhet të priten ndryshime doktrine: duhet ndryshuar sjellja në marrëdhëniet njerëzore sepse, po të bazohen marrëdhëniet mbi dashurinë, mbi frymën e mikpritjes e të shërbimit, këto përmasa i vënë, pastaj, në lëvizje njerëzit, edhe ata, që kalojnë çaste të vështira, duke i nxitur të ecin drejt një perspektive të re jete e feje.








All the contents on this site are copyrighted ©.