2013-11-07 13:59:16

Papa: Zoti ka dobësi për atë, që e ka humbur rrugën e gëzohet kur kthehet në grigjë


Gëzimi i Zotit kur gjen delen e humbur e “dobësia e dashurisë” – siç e quajti Papa Françesku – për të gjithë ata, që e kanë bjerrë udhën e drejtë: këto argumente ishin në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Duke komentuar shembëlltyrën e deles së humbur dhe të monedhës së humbur, Papa shpjegoi qëndrimin e skribëve e të farisejve, që shkandulloheshin nga veprimet e Jezusit e mërmërisnin kundër Tij. Ky njeri, thoshin, është rrezik për të gjithë, sepse ha drekë me publikanët, me mëkatarët, fyen Zotin për t’iu afruar njerëzve. Jezusi i quan këto fjalë “muzikë e hipokrizisë” e u përgjigjet me një shembëlltyrë:
“Mërmëritjes, Ai i përgjigjet me një shembëlltyrë të gëzueshme. Katër herë, në këtë pjesë të vogël, përmendet fjala gëzim e hare: tre herë gëzimi e një herë hareja. ‘E ju – duket sikur thotë Jezusi – ju po shkandulloheni, por Ati im gëzohet’. Ky është mesazhi më i thellë: gëzimi i Zotit, të cilit nuk i pëlqen të humbë, prandaj për të mos humbur, del nga vetveteja e shkon për të kërkuar. Është Hyj, që kërkon: kërkon të gjithë ata, që janë larguar prej Tij. Ashtu si bariu, që shkon të kërkojë delen e humbur”.
Puna e Zotit, nënvizoi Papa, është të kërkojë për t’i ftuar pastaj të gjithë në festën e krishterimit, të mirët e të këqinjtë:
“Ai nuk duron të humbasë asnjë nga të vetët. E kjo do të jetë edhe lutja e Jezusit, të Enjten e Madhe: ‘ Atë, të mos humbasë asnjë nga ata, që Ti m’i ke dhënë’. Është një Zot, që vihet në udhë për të na kërkuar e ka një farë dobësie në dashurinë për ata që janë larguar më tepër, që kanë humbur… Shkon e i kërkon. E si i kërkon? I kërkon deri në fund, si bariu që ecën në errësirë, duke kërkuar, derisa gjen; ose si gruaja, e cila, kur humbet monedhën, ndez llambën, fshin shtëpinë dhe e kërkon me kujdes. Kështu kërkon edhe Zoti. ‘Ky është biri im e nuk e humbas, është imi! E nuk dua ta humbas!’ Ky është Ati ynë Qiellor: gjithnjë na kërkon”.
Pastaj, vazhdoi Papa Françesku, kur e gjen delen e humbur e kthen në grigjë, pranë të tjerave e askush prej tyre nuk duhet ta përbuzë e ta kritikojë, sepse Zoti i jep sërish dinjitetin brenda vathës. E kështu, Hyji gëzohet:
“Gëzimi i Zotit nuk është vdekja e mëkatarit, por jeta e tij: ky është gëzimi. Sa larg ishin këta njerëz, që mërmërisnin kundër Jezusit, sa larg nga zemra e Zotit! Nuk e njihin atë aspak. Besonin se ishin besimtarë të mëdhenj, se ishin ‘njerëz të mirë’ vetëm kur respektonin rregullat, kur ishin të edukuar e nganjëherë edhe bënin gjoja se ishin të edukuar, apo jo? Kjo është hipokrizia e mërmëritjes. Ndërsa gëzimi i Zotit Atë vjen nga dashuria: Ai na do. ‘Po unë jam mëkatar, kam bërë këtë, e këtë, e këtë…’ ‘Unë të dua njësoj e shkoj të të kërkoj kudo e të kthej në shtëpi’. Ky është Ati ynë. Mendojeni këtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.