2013-11-05 12:19:03

Papa: të gjithë jemi të ftuar në festën e Zotit, por të mos mbetemi një emër në listë


Thelbi i krishterimit është ftesa për festë. Kështu pohoi Papa Françesku në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë theksoi se Kisha “nuk është vetëm për njerëzit e mirë”, por për të gjithë. Është festë e Zotit, ku njerëzit duhet të marrin pjesë me gjithë vetëveten, së bashku me të tjerët, pa u kënaqur vetëm me faktin se Hyji i ka vendosur në listën e të ftuarve. Pra, nuk mjafton ta dish se je i ftuar, tha Papa, duhet edhe të marrësh pjesë në festë, të hysh në të.
Leximet e ditës së sotme përvijojnë letërnjoftimin e të krishterit. Zoti i çon falas secilit ftesën për të marrë pjesë në një festë, ku nuk mund të paguash për të hyrë. Nëse ndërgjegjja na thotë se nuk jemi të ftuar, nëse nuk jemi të sigurtë për këtë, atëherë, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk e kemi kuptuar ç’do të thotë të jesh i krishterë:
“I krishteri është i ftuar. I ftuar për çfarë? Në një dyqan? I ftuar për një shëtitje? Zoti dëshiron të na thotë diçka më tepër: ‘Ti je i ftuar në festë!’. I krishteri është i ftuar në festë, në gëzim, në gëzimin se është shpëtuar, në gëzimin se është shëlbuar, në gëzimin e pjesëmarrjes në jetën e Jezusit. Ky është gëzim! Ti je i ftuar në festë! Kuptohet, festa është takim njerëzish, që flasin, qeshin, festojnë, janë të lumtur. Është takim njerëzish. Ndër njerëzit normalë, mendërisht normalë, unë nuk kam parë kurrë njeri të festojë vetëm, apo jo? Do të ishte pak si e mërzitshme. Ta hapësh vetëm shishen me verë… Kjo nuk është festë, është diçka tjetër. Festa bëhet me të tjerët, në familje, me miqtë, me të ftuarit, që janë thirrur ashtu si unë. Për të qenë të krishterë kemi nevojë t’i përkasim këtij Korpi, këtyre njerëzve, që janë ftuar në festë: kjo është përkatësia e krishterë”.
Duke përmendur Letrën drejtuar Romakëve, Papa pohoi se kjo festë është “festa e bashkimit”, ku Zoti fton “të mirë e të këqinj”. Të parët, që fton, janë të mënjanuarit:
“Kisha nuk është vetëm për njerëzit e mirë. A ta themi se kush i përket Kishës, kush i përket kësaj feste? Mëkatarët, të gjithë ne, mëkatarët, jemi të ftuar. E çfarë bëhet këtu? Krijohet një bashkësi, që ka dhurata të ndryshme: njëri ka dhuratën e profecisë, tjetri, të shërbimit, ai tjetri, të mësimdhënies… Kështu lind bashkësia. Të gjithë kanë një cilësi, një virtyt. Por kemi festë, kur secili sjell në të ç’ka të përbashkët me të tjerët… Në festë duhet të marrim pjesë më gjithsej. Nuk mund të kuptohet ekzistenca e krishterë pa këtë pjesëmarrje. Është pjesëmarrja e të gjithëve. ‘Aaa… unë shkoj në festë, por ndalem vetëm në sallonin e parë, sepse duhet të rri vetëm me tre o katër vetë, që i njoh… të tjerët, jo’. Kjo s’mund të bëhet në Kishë! Ose hy bashkë me të tjerët, ose rri jashtë! Nuk mund të zgjedhësh: Kisha është për të gjithë, duke filluar nga më të mënjanuarit. Është Kisha e të gjithëve!”
Në shembëlltyrën e treguar nga Jezusi, vazhdoi Papa Françesku, vërejmë se të ftuarit fillojnë të gjejnë pretekste për të mos shkuar në festë. Këta janë të krishterët, që kënaqen vetëm me faktin se e kanë emrin në listën e të ftuarve, por nëse nuk hyjmë në Kishë, theksoi Ati i Shenjtë, nuk jemi të krishterë të vërtetë. Nga ana tjetër, tha Papa, çdo i krishterë është i ftuar vetëm nga Zoti për të hyrë në këtë festë, që është Kisha. Askush s’mund ta blejë biletën e hyrjes, duhet të jetë i ftuar. Të hysh në Kishë do të thotë të marrësh pjesë në një bashkësi, që ka virtytet e cilësitë e dhuruara nga Hyji për t’i shërbyer njëri-tjetrit. Të hysh në Kishë do të thotë të jesh gati për gjithçka kërkon Jezusi. Të hysh në Kishë do të thotë të jesh pjesë e Popullit të Zotit, që ecën drejt amshimit, tha Papa:
“Zoti është shumë bujar. Hyji na i hap të gjitha dyert. Zoti e kupton edhe atë, që thotë: ‘Jo, o Zot, nuk dua të shkoj tek Ti!’ Kupton dhe pret, sepse është i mëshirshëm. Por Zotit nuk i pëlqen ai që thotë ‘po’ e pastaj nuk e mban fjalën, që bën gjoja se e falenderon për shumë gjëra të bukura, por, në të vërtetë, ecën udhës së vet, që ka sjellje të mira, por bën vullnetin e vet e jo atë të Hyjit: janë ata, që kërkojnë falje gjithnjë, që nuk dinë ç’është gëzimi, që nuk e provojnë gëzimin e përkatësisë në bashkësi. T’i lutemi Zotit për këtë hir: që ta kuptojmë mirë sa gjë e bukur është të jemi të ftuar në festë, sa bukur është të rrimë me të gjithë e të ndajmë me të tjerët cilësitë tona, sa bukur është të rrimë me Të e sa gjë e shëmtuar është të luajmë me ‘po’-në e ‘jo’-në, ose të themi ‘po’, por të kënaqemi vetëm se e kemi emrin në listën e të krishterëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.