Kumbaro: Thesari i trashëgimisë u kthye i mangët nga Kosova
NGA: FATMIRA NIKOLLI Një pjesë e koleksionit prej 260 objektesh të thesarit të
trashëgimisë kulturore, që u ekspozuan në Kosovë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë,
mungojnë. Ka qenë vetë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, që ka deklaruar se ka
mospërputhje mes procesverbaleve të dorëzimit dhe të kthimit në atdhe të këtij koleksioni.
Deklarata e saj është bërë dje gjatë raportimit në komisionin e Medias, ndërsa koleksioni
i rrallë, ndryshe nga udhëtimi që bëri në muzetë e Italisë, në atë të Kosovës, ka
qenë pa policë sigurimi.
Por "kundër" ministres del specialisti Spiro Nika.
Në një intervistë për "GSH" rreth 1 javë më parë, ai qe shprehur se objektet e ekspozitës
"Thesaret e Trashëgimisë" janë kthyer në atdhe dhe madje janë shpërndarë në muzetë
ku ishin marrë. I kontaktuar sërish dje, pas deklaratës së ministres, Nika tha se
ka dijeni për deklaratat e Kumbaros, porse lista e objekteve që kishte dalë nga Shqipëria
për t'u ekspozuar në Itali e pastaj në Kosovë është kthyer sërish. "Unë jam marrë
me këtë ekspozitë që në fillim. Di të them se çdo objekt që e kam marrë nëpër muzetë
e Shqipërisë për ta bërë pjesë të kësaj ekspozitë e kam kthyer sërish dhe aktualisht
janë nëpër muze. Nuk janë zhdukur objektet e Thesarit të Trashëgimisë", tha ai. I
pyetur se mbi se bazohet ministrja për të bërë një deklaratë të tillë të bujshme,
për aq kohë sa nga grupi i punës që është marrë me ekspozitën nuk ka pasur raportime
për probleme, Nika tha se zotëron dhe mund të bëjë publike të gjitha procesverbalet
e mbajtura për objektet. "Nuk e di se çfarë ka pasur parasysh ministrja. Mbase problemi
është me dokumentacionin. S'e di. Them me siguri se objektet janë të gjitha në 'shtëpitë
e tyre' shëndoshë e mirë", përfundoi Nika, specialist pranë IMK-së.
Në këtë
rast mbetet e paqartë se kujt i duhet besuar: ministres apo specialistit?! Paçka kësaj
përplasje deklaratash, problemi kryesor mbetet siguria e trashëgimisë.
Komisioni
Nga ana tjetër, në raportimin e saj para komisionit të Medias, ministrja e Kulturës
ka deklaruar se të gjitha institutet e monumenteve në vend do i nënshtrohen një reforme
të thellë, ku synohet që të ketë më shumë specialist në terren që verifikojnë situatën.
Sa i takon çështjes së Shtëpisë së Flamurit në Korçë, Kumbaroi tha se "ky monument
nuk ekziston më. Trualli u shtrua me pllaka. Po e trajtojmë me prioritet. Kam thirrur
në takim pronarët e shtëpisë. Do të diskutojmë për këtë çështje. Vullneti ynë është
të rigjejë formën që kishte më parë". Ajo bëri me dije se MK-ja po harton një draft
të ri që rregullon marrëdhëniet për çështjet e trashëgimisë kulturore, por edhe do
të sanksionojë me ligj rregullat për koleksionistët privatë.
Ajo vuri në dukej
faktin se shteti nuk e mbron dot trashëgiminë kulturore, ndaj është i domosdoshëm
dhe afrimi me sektorin privat. "Do të ketë reformë në sistemin e trashëgimisë kulturore.
Shteti nuk e përballon dot i vetëm mbrojtjen e trashëgimisë ndaj dhe është domosdoshmëri
afrimi me sektorin privat, por pa cenuar trashëgiminë. Më parë na duhet ta shpëtojmë
nga rreziku dhe shkatërrimi, ndaj edhe një nga veprimet e para ka qenë frenimi i së
keqes me të moratoriumin e ndërtimeve në Gjirokastër, Berat e Krujë". Ndërkaq, sipas
ministres, dikasteri që ajo drejton po punon në dy drejtime: ristrukturim të drejtorive
të trashëgimisë në ministri dhe riformatim të Këshillit Kombëtar të restaurimeve dhe
arkeologjisë.