2013-11-03 16:44:57

Në Romë, koncert i Koreve të Patriarkanës së Moskës e të Kapelës Sikstine


Traditat e lashta të muzikës kishtare ruse e të polifonisë së shkollës romake, bashkohen në koncertin e sontëm, në orën 21.00, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Është Koncerti i tretë i Festivalit XII Ndërkombëtar të Muzikës e Artit Kishtar. Protagonistë, nënvizon agjencia Sir, Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës, një nga formacionet më të lashta e më të njohura korale ruse, themeluar në Moskë, në vitin 1721, sot drejtuar nga Aleksej Puzakov, dhe ai i Kapelës Muzikore Papnore ‘Sikstina’, drejtuar nga Masimo Palombela.
Koncerti, shpjegojnë organizatorët, mishëron në tinguj dëshirën për thellimin e dialogut ekumenik, përmes shkëlqimit të traditave të ndryshme të muzikës kishtare e asaj liturgjike.
Mbrëmja muzikore, në një nga tempujt marianë më të bukur në botë, do të hapet me Te Deum të Dimitri Bortnjanskij(1751-1825), pasuar nga këngët gregoriane të polifonisë klasike romake, për të përfunduar me kompozime tejet të rralla polifonike ruse të Tetëqindës e të Nëntëqindës, disa nga të cilat, vepra të Çajkovskit e Rahmaninovit.
Koncerti organizohet me ndihmën e Fondacionit “Qendra për zhvillimin e marrëdhënieve Itali-Rusi”.









All the contents on this site are copyrighted ©.