2013-11-03 16:40:20

Egjipt: ipeshkvi kopt ortodoks: Kishat nuk kanë nevojë të fshehin armë


Sulmet dhe persekutimet e pësuara nga koptët në stinët e fundit, që po jeton Egjipti, nuk duhen manipuluar, për të përhapur ide e sjellje të huaja për fenë e krishterë e në kundërshtim me interesat e vërteta të bashkësive të krishtera. E pohon këtë në mënyrë të prerë ipeshkvi kopt-ortodoks Markos, titullar i dioqezës së Shubra al-Khaimah, pranë Kairos. Sipas burimeve egjiptiane, të shfrytëzuara nga agjencia Fides, Markos sqaron se të gjitha përpjekjet për të kërkuar ndërhyrjen e Perëndimit, me pretekstin për të shpëtuar pakicat e krishtera, duhen hedhur poshtë si të rrezikshme.Ipeshkvi kujton edhe se kishat nuk kanë nevojë të fshehin armë, siç i akuzon padrejtësisht ndokush. Kishat nuk mbrohen kurrë me mjete të armatosura. Aq më tepër sepse asnjë mjet mbrojtës nuk do të mund t’u bënte ballë sulmeve të terroristëve, që enden krejt të padënuar, duke thelluar pakënaqësinë e të krishterëve. Të krishterët kanë një armë të vetme, një mbrojtje të vetme: atë të Zotit, në të cilin besojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.