2013-11-02 16:56:28

Kripta e Vatikanit


Kripta e Vatikanit, që njihet edhe me emrin Grotte Vaticane, shtrihet poshtë një pjese të mirë të navatës qëndrore të Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, tri metra nën dyshemenë aktuale, nga elteri i madh (i njohur si elteri papnor) deri në gjysmën e navatës. Formon një kishë të mirëfilltë të nëndheshme, që zë hapësirën e dyshemesë së Bazilikës së lashtë kostandiniane të shekullit IV.
Duke zbritur në Kriptë, ecën pikërisht mbi mjediset e bazilikës, ndërtuar nga Kostandini i Madh, e cila mbeti në këmbë deri në shekullin XVI. Prej këndej, Kripta nuk shtrihet në të gjithë gjatësinë e navatës së bazilikës së sotme, por arrin deri atje, ku arrinte navata e bazilikës kostandiniane. Kripta, në formë kishe, me tri navata (kripta e lashtë), me kapela ku pushojnë në paqe papët, me absid gjysmërrethor e me kapela monumentale varresh (kripta e re), ka në qendër kapelën e Shën Pjetrit, me të cilën përkon, sipër, elteri papnor dhe kupola mikelanxholeske, e poshtë, në nekropol, varri i Shën Pjetrit Apostull, Papa i parë i Romës.
Kripta e Vatikanit është një kompleks tejet i pasur me monumente e kujtime historike. Përveç varreve të shumë papëve, është e pasur edhe me vepra arti, ardhur nga bazilika kostandiniane. Ndërmjet veprave më të shquara artistike, që ruhen këtu, kujtojmë monumentin e përmortshëm të Papës Bonifaci VIII, vepër e Arnolfo di Kambio. Me vlera artistike, edhe monumenti i përmortshëm i kardinalit Berardo Eroli, vepër e Gjonit Dalmatas, si dhe fragmentet e afreskeve, që mendohet të jenë vepër e Pietro Kavalinit.
Shumë papë, mbretër e mbretëresha patën dëshirë të madhe të varroseshin pranë Varrit të Shën Pjetrit, ashtu si të krishterët e parë.
Ndërmjet personaliteteve, të varrosura në Kriptë, kujtojmë Papën 25-vjeçar gjerman Gregori V (996-999); perandorin Otoni II (vdekur në Romë, në vitin 983); Adrianin IV (1154-1159), i vetmi papë anglez në histori; Papën Bonifaci VIII (1294-1303), që shpalli Vitin I Shenjt të Jubileut e që pushon nën skulpturën e famshme të Arnolfo di Kambios; Papën Piu VI Braski (vdekur i burgosur nga francezët, më 1799), që pushon në paqe në një sarkofag paleokristian e rijeton në mermerin e skalitur nga Antonio Kanova, i përjetësuar në lutje.
Ndërmjet mbretërve, që pushojnë pranë varrit të Shën Pjetrit, kujtojmë Xhakomo Françesk Eduard Stuartin e bijtë e tij dhe mbretëreshën Kristina e Suedisë (1626-1689).
Papët e fundit, që u varrosën në Kriptën e Vatikanit, ishin Benedikti XV, Piu XI, Piu XII, Pali VI, Gjon Pali I. Shumë papë deshën të varrosen në vende të tjera: Piu IX, për shembull, pushon në paqe në Bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve të Romës; Leoni XIII, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.

Me Piun XI, që pati dëshirë të madhe të varrosej sa më pranë vendit të Dëshmisë së Shën Pjetrit për Krishtin, e edhe pasardhësin e tij, Piun XII, nisën gërmimet arkeologjike rreth varrit të Shën Pjetrit, për të përcaktuar vendvarrosjen e vërtetë të Papës së parë. Piu XI pushon në paqe gati përballë varrit të Shën Pjetrit, e aty pranë, edhe Piu XII.
Trupi i Gjonit XXIII, që ishte më të djathtë të Varrit të Shën Pjetrit, pas Lumnimit, u mbart në Bazilikë e mund të nderohet nga besimtarët, i mbyllur në një arkivol të qelqtë, të praruar. Papët e tjerë të varrosur në bazilikë, Inoçenci XI, Piu X dhe Gjon Pali II u vendosën në arkivola të mbyllur, poshtë tre elterëve. I Lumi Gjon Pali II pushon në paqe poshtë elterit të Kapelës së Shën Sebastianit.
Në Kriptën e Vatikanit nuk pushojnë në paqe vetëm Papë, por edhe personalitete të shquara për virtyte të ndritura morale e fetare, në rrjedhë shekujsh.
Në Kriptën e Vatikanit mund të soditen varret monumetale të 21 papëve: Gjoni VII; Gregori V; Adriani IV; Nikolla III; Bonifaci VIII; Urbani VI; Inoçenci VII; Nikolla V; Pali II; Siksti IV, Piu III; Juli III; Marçeli II; Inoçenci IX; Inoçenci XIII; Piu VI; Benedikti XV; Piu XI; Piu XII; Pali VI; Gjon Pali I.

Varri i Shën Pjetrit
Të shumta, hamendjet për vendvarrosjen e Shën Pjetrit që, pas martirizimit, duhet të ishte varrosur nga të krishterët në një varr pranë Cirkut, ku dha dëshminë për Krishtin. Ky varr u bë shumë shpejt vend shtegtimi e vijoi të vizitohej edhe gjatë persekutimeve, ndonëse fshehurazi. Në vitin 160, kur të krishterët gëzuan një çast lirie kulti, ndërtuan pranë varrit, një monument të vogël, që u njoh me emrin “edikola e Gaios”. Përmbante një kthinë varri prej mermeri, ku u zhvendosën eshtrat e Shën Pjetrit, të nxjerra nga dheu. Që asokohe e deri në gërmimet moderne, kthina nuk u hap asnjëherë, por u rimbulua nga ndërtimet e shumta të mëpasme, që nga monumenti kostandinian, tek Bazilika e re, ndërtuar nga Papa Juli II. Gërmimet arkeologjike për ta gjetur nisën në vitin 1939 e vijuan për dhjetë vjet me radhë, edhe gjatë Luftës II Botërore.
Më 2 mars 1939, Eugjen Paçeli zgjidhet papë me emrin Piu XII. E sapo zgjidhet, urdhëron menjëherë fillimin e gërmimeve arkeologjike. Shpreson se do të gjejë varrin e Shën Pjetrit, dishepullit të Krishtit, kreut të parë të Kishës. Që në lashtësi besohej se Bazilika e Shën Pjetrit ishte ndërtuar mbi varrin e Apostullit. Prandaj edhe ishte bërë cak shtegtimesh e Kishë e papëve. Por deri në atë kohë nuk kishte asnjë element, që të vërtetonte se varri ishte vërtet aty, poshtë. Arkeologët vihen në punë me duresë të madhe. Papa pret rezultatet. I duhet të presë gjatë: puna e arkeologëve i ngjet asaj të çertozinëve! Në vitin 1942, pasi nxjerrin në dritë një varrezë të madhe, arkeologët zbulojnë, më në fund, një varr. Duket se është pikërisht ai që kërkonin. Ndodhet nën një shtyllë të thyer: shkrimet e vjetra flasin pikërisht për një shtyllë të tillë mbi varrin e Shën Pjetrit! Është edikola e Gaios.
Arkeologëve u duhen edhe tetë vjet të tjera, që të sigurohen për zbulimin. Duhet të lexojnë shkrimet në murin pas shtyllës. E aty gjejnë emrin e Pjetrit. Studiojnë edhe dyshemenë plot me mozaikë të kuq. Gjithçka flet për një vend, që nderohej qysh në shekujt e parë. Në vitin 1950 arkeologët bëjnë të njohura, pa kurrfarë dyshimi, përfundimet e kërkimeve të tyre. Ditën e Krishtlindjes, Piu XII, njofton, i lum, në Radio: “U rigjet varri i Princit të Apostujve!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.