2013-11-01 15:43:35

Ftesa e Papës gjatë Engjëllit të Tënzot në festën e Gjithë Shenjtorëve: të ecim në rrugën e shenjtërisë!


Të jesh shenjt nuk është privilegj për pak njerëz, por thirrje për të gjithë. E kujtoi këtë Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, në festën e sotme kushtuar Gjithë Shenjtorëve. Caku i fundmë i jetës sonë, tha Papa, nuk është vdekja; është Parajsa. Më pas u kujtoi besimtarëve se pasdite do të shkojë në Varrezën romake të Veranos, ku do të kremtojë Meshën Shenjte për të përkujtuar të vdekurit. Me këtë rast mendimi i Papës shkoi tek tragjedia në Niger, ku qindra emigrantë gjetën vdekjen në shkretëtirë, në përpjekjen për të arritur në Algjeri.RealAudioMP3

Nuk janë mbinjerëz, e as lindën të përkryer. Janë si ne, njerëz, e para se të arrinin në Lumninë e qiellit, jetuan një jetë normale, me gëzime e dhimbje, mundime e shpresa. Kështu foli Papa Françesku për shenjtorët. “Miq të Zotit” i quajti, sepse nësa ishin mbi tokë, jetuan në bashkim të thellë me Hyjin. E prandaj në fytyrat e vëllezërve, të të vegjëlve, të poshtëruarve panë fytyrën e Zotit, të cilën tani e shikojnë sy më sy në bukurinë e tij lavdiplote:
Kur e njohën dashurinë e Zotit, e ndoqën me gjithë zemër, pa kushte e pa hipokrizi; shkrinë gjithë jetën në shërbim të të tjerëve, duruan vuajtje e kundërshtime, pa urryer, duke iu përgjigjur gjithnjë së keqes me të mirë e duke përhapur rreth vetes frymën e gëzimit e të paqes. Kjo është jeta e shenjtorëve: njerëz që ia dhuruan jetën Zotit e të tjerëve pa asnjë kusht, pa hipokrizi. E vunë krejtësisht vetveten në shërbim të të afërmit, duke përballuar kundërshtime e urrejtje, pa urryer kurrë. Sepse - kuptojeni mirë këtë - dashuria buron nga Zoti, po urrejtja, nga vjen? Thua vjen nga Zoti urrejtja? Jo, vjen nga djalli! E shenjtorët i ndejën gjithnjë larg djallit”.
Shenjtorët janë burra e gra, që e kanë zemrën plot me gëzim; e këtë gëzim ua përcjellin edhe të tjerëve:
“Të jesh shenjt nuk është privilegj për pak njerëz, si të ishte trashëgim i ndonjë pasurie. Shenjtëria është pasuri, që e trashëgojmë të gjithë, nga Pagëzimi. Është thirrje për të gjithë. Të gjithë jemi të thirrur të ecim në rrugën e shenjtërisë, e kjo udhë ka një emër. Udha, që të çon në shenjtëri, ka një emër, një fytyrë: fytyrën e Jezusit. Ai na mëson të bëhemi shenjtorë: Jezu Krishti”.
Në Ungjill, Zoti na tregon rrugën, atë të Lumnive. Mbretëria e qiellit, shpjegoi Ati i Shenjtë, është për ata, që nuk e mbështesin sigurinë mbi sendet, por mbi dashurinë e Zotit; për ata, që kanë zemër të thjeshtë e të përvuajtur, që nuk pretendojnë se janë të drejtë e nuk i gjykojnë të tjerët, ata që dinë të mjerohen me të mjeruarin e të gëzohen me të gëzuarin, që nuk janë të dhunshëm, por përplot me mëshirë, përplot me dëshirën për të mbjellur kudo pajtim e paqe. Prej këndej, shenjtëria është e bukur, e bukur është udha e saj:
Sot shenjtorët na japin një mesazh, në festën e tyre. Na thonë: besoni në Zotin, sepse Zoti nuk të zhgënjen! Zoti nuk zhgënjen! Është mik i mirë, gjithnjë përkrah nesh. Nuk zhgënjen! Me dëshminë e tyre shenjtorët na japin zemër e na mësojnë të shkojmë pa frikë kundër rrymës, të mos ligështohemi, kur na keqkuptojnë a na tallin, në sa flasim për Krishtin e për Ungjillin; na dëshmojnë, me jetën e tyre se kush është besnik i fjalës së Zotit e provon që mbi tokë ngushëllimin e dashurisë së Tij e pastaj, njëqindfish, në amshim”.
Në fund të fundit, vërejti Ati i Shenjtë, këtë shpresojmë e ia lypim Zotit për vëllezërit tanë të vdekur. Kisha, me urtinë e saj, i vuri pranë e pranë këto dy festa: “Gjithë Shenjtorët dhe Përkujtimin e gjithë besimtarëve të vdekur”. Lutjes sonë, që i jep lavdi Zotit dhe nderon shpirtërat e lum, i shtohet edhe urata për shpirtin e atyre, të cilët na paraprinë në rrugën që të çon nga kjo botë, në jetën e amshuar. Prandaj, pas lutjes mariane, Papa kujtoi se pasdite do të shkojë në Varrezën e Veranos, ku do të kremtojë Meshën Shenjte.
“Do të bashkohem shpirtërisht me njerëzit, që këto ditë vizitojnë varrezat, ku flejnë ata, që na paraprinë nën shenjën e fesë e që presin ditën e ringjalljes. Posaçërisht lutem për viktimat e dhunës, për të krishterët, që humbën jetën gjatë persekutimeve”.
Pastaj Ati i Shenjtë kujtoi tragjedinë e fundit të emigracionit, atë që ndodhi pak ditë më parë në shkretëtirën e Nigerit, ku njerëz në kërkim të një jete më të mirë, gjetën vdekjen në kushte të dëshpëruara. E fortë u lartua lutja e Papës:
Në mënyrë të veçantë lutem për vëllezërit e motrat tona, burra, gra e fëmijë, që vdiqën, të raskapitur nga etja, uria e mundimi, në shtegtimin drejt një jete më të mirë. Këto ditë i patëm parasysh në gazeta, pamjet e shkretëtirës së pamëshirshme”.Në fund, duke iu drejtuar besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa përshëndeti posaçërisht pjesëmarrësit në “Vrapimin e Shenjtorëve”, organizuar nga "Fondacioni Dom Bosko në botë". “Shën Pali do të thoshte se e gjithë jeta e të krishterit është vrapim për të fituar çmimin e shenjtërisë: ju, përfundoi, na dhatë një shembull të mirë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.