2013-11-01 15:44:35

Fragment nga homelitë e Gjon Palit II e të Benediktit XVI


Përballë takimit të përditshëm me vdekjen, pjesë e natyrës sonë njerëzore, nga e cila s’ikim dot, të përsërisim, pa u lodhur kurrë: “Besoj në jetën e pasosur”(...). Brishtësinë e së sotmes, jetën tonë tokësore, duhet ta shikojmë gjithnjë në perspektivë të jetës së pasosur. Duke e pyetur veten si duhet të jetë kjo jetë, që të mund të shpresojmë se do ta gëzojmë me të vërtetë tjetrën. Atëherë e kuptojmë atë, që deshi të thotë Jezusi, kur i shpalli të lum të varfërit në shpirt; zemërbutët; të vuajturit me një vuajtje të mirë, të uriturit e të eturit për drejtësi, mëshirëmëdhenjtë, zemërpastrit, punëtorët e paqes, të persekutuarit për çështjen e drejtësis".

Fragment nga homelia e Gjon Palit II, më 1993: “Duke kremtuar Flinë Eukaristike këtu, në ‘Rrëmajin e Veranos’, dëshiroj t’i përfshij në lutjen e përbashkët të gjitha varrezat e Romës dhe të vdekurit, që ‘banojnë’ në to. E jo vetëm të shuemët e këtij qyteti, që njihet si Qytet i Amshuar, por “mbarë universin, “me të gjithë banorët e tij” (Ps 23,1). Të gjithë, atje ku u pushojnë eshtrat, ku janë varrosur, shpesh edhe pa respektin që duhej treguar gjithnjë për trupat e tyre (e nuk janë, për fat të keq, të pakta, vendet e kësaj natyre).
I rrok të gjithë, Flija shëlbuese e Krishtit (...) “Po kush janë e nga vijnë?” (Vap 7,13). Nga të katër skajet e tokës... Nga gjitha viset e kohët... Ngado që të jenë, të gjithë i lanë petkat, duke i bërë të bardha si dëbora, me Gjakun e Qengjit” (Vap 7,14). E tani janë në këmbë, përpara Teje, o Zot!”
Benedikti XVI, më 30 nëntor 2008 kremtoi Meshën Shenjte në bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve të Romës, me rastin e 1750 vjetorit të martirizimit të Shenjtit. Papa Benedikti kujtoi edhe një përvjetor tjetër: “Bie sivjet 50-vjetori i vdekjes së Shërbëtorit të Hyjit, Papës Piu XII, e kjo na sjell në mend një ngjarje posaçërisht dramatike në historinë shumëshekullore të Bazilikës suaj. Ndodhi gjatë konfliktit të dytë botëror, e pikërisht më 19 korrik, kur një bombardim i tmerrshëm dëmtoi rëndë ndërtesën dhe gjithë lagjen, duke mbjellur vdekje e shkatërrim. Nuk mund të shlyhet kurrë nga kujtesa e historisë, gjesti i fisëm, që kreu me këtë rast Paraardhësi im i nderuar, i cili vrapoi menjëherë për ta ndihmuar e për ta ngushëlluar popullsinë e dëmtuar rëndë, ndërmjet rrënojave tymuese. Nuk harroj edhe se po në këtë Bazilikë pushojnë në paqe personalitete të mëdha; në varret e nëndheshme janë vendosur, për t’u nderuar nga besimtarët, reliket e të Lumit Piu IX, ndërsa në treme, varri i Alcide De Gasperit, prijës i urtë e i drejtpeshuar për Italinë në vitet e vështira të rindërtimit pas luftës e, njëkohësisht, burrë i shquar shteti, i aftë për t’i prirë Evropës, me një vizion të gjerë kristian”.







All the contents on this site are copyrighted ©.