2013-10-31 17:48:32

“Në zemër të enigmës”: antologji e vogël


Anton Çefa
Martirët

Martirë të absurdit Kain
nga brigjet e vdekjes
më vjen rënkimi i dheut
ku keni ra.

Martirë të absurdit Kain.

Si kjo orë e vdekshme
që kalon në amshim
Shpirtrat tuej do të lusin
lindjen e ditës e të dashurisë.

Mos pini në hurdhat e kohës
(Në kujtim të babës)
... ... ... ... ... ...
Si në derë të oborrit
mbi qemer të varrit tand trokas;
mbi qemer të fjalës e të brengës sate.
E ti më përgjigjesh
si dikur,
(edhe andej prakut të vdekjes
besnik i vetes);
“Mos pini ujë në hurdhat e kohës:
në hauzet e saj jehojnë
tinguj mashtrues;
mos i ndigjoni!”.

Nga përmbledhja poetike “Heshtja ka tingull guri”
Camaj-Pipa, Shkodër 2002, fq 33; 41

Primo Shllaku
Atë ditë
(Fragment nga ‘Arna bore’)
Atë ditë kur të iki
Do të jetë një ditë me borë
... ... ... ... ...
Nji çetë e krrusun hijesh
çan me gulshim
skllopin e ndytë të borës,
e lagun deri në sqetull.

Gjurmët e tyne të murrme
e vijat e rrotave
janë poezia ime e fundit
për ket sezon.
…. … … … … …
Në atë furrë, ku do të pushoj
prap do të përgatitem
që të kthej si shpirt i nxetë
në atë Stinën tjetër”.
… … … … …
Nga përmbledhja poetike “Edhe fjalët shkojnë në ferr”; Ombra GVG, 2005, fq 124

Martin Camaj

Të Shuemët 1961
Vdekja mâ i thjeshti mendim
Ndër vorre e prunë gurin e shkoqun
prej malit dhe e bâne mbret.

Vdekja mâ i ngulmi mendim

(Qè, për shembull: treni i saj mbrrin.
E më përshndet me dorë, ajo.
Në gisht i shoh unazën e besës
së lidhun me mue në lemje).

Vdekja, mâ i kullueti mendim

Nuk hypet maje gurit të shkoqun prej malit,
po atij që e puth i çelet ndër sy
një detë i bardhë.

Vdekja mâ i thjeshti mendim.

Poezi 1953-1957, Romë 1981, fq 70.

Maja në qiell

Më thanë se mbramjeve atje nalt
pikojnë shkëndijat e flakëve hyjnore
në sý e bâhesh i pavarrueshëm.

Në vrrije m’âsht kapun dheu e pluhni
për tesha dhe flokët më digjen
mbi dy kambë pishtari.

Dyshimi i tmerrshëm më kap:
atje në maje, sillen rrethas
pllumba apo korba bark-rjepun?

Zot i shpresës, mbaj-ma besimin
e sherimit prej të gjitha të ligave
të mija atje në maje.

Poezi 1953-1957, Romë 1981, fq 79

Atë Gjergj Fishta ofm

XXXI. – Të damit e nieriut prej shekullit
1906
1. Lamtumirë, o prindja e mí,
Motra, vllazen, miqasi,
lamtumirë, o plang e shpí.

2. Sod po nisem n’udhë t’amshimit,
Me u peshue në gjýq t’idhnimit
Para Mbretit t’ rruzullimit.
3. Tjera qiellë e pakthellime
Kam me pá e tjera agime,
Tjera hanë e rruzullime.
4. Kam me pá sa gjyqe t’vshtira
E pasosmja bân e Mira
Kur per nieri e lên mishrira,
5. Kam me ndie si anmiku i nierit,
Tue qitë shkrolat e tefterit,
Kercnon dhambët ai kundra t’mjerit.
6. “Ahi! si i mjeri do t’apë fjalë
Kujë t’i lutem zot me m’dalë;
T’drejtit friga vshtirë m’iu ndalë?”.
7. Aman, nanë, tý t’ kjosha true
Per njatë múnd qi ti ké psue
Si kerthi kur m’mbajte n’gjû,
8. Shum per mue mos derdh ti lot,
Porse lutju t’Madhit Zot
Mos t’m’sharrojë per t’gjatin mot.
9. Motra, vllazen, dashamirë
Per mue Zotit lypni mshrirë
T’ma njesë doren n’ketë ditë t’vshtirë.
10. Kush e din se jeta e amshueme
Ka per t’kenë per mue e lume,
Ja se e zezë gjithmonë e e shueme?
11. Shum n’ketë shekull gabon nieri;
Ku me dije e ku pa hiri:
Shtatë herë në ditë fyen veç i miri!
12 Vala e gjakut e krenija,
Si e pangishmja, edhe lakmija
E çojn nierin n’shum punë t’kqija.
13. Prá gjyqtari t’mbramen ditë
T’gjitha ka per t’i shoshitë:
Pa u ndeshkue gjâ s’ka me i rrshitë.
14. Ah; sa i rrebtë e sa i frigueshem
N’gjyqe t’veta âsht nji i pushtueshem,
Krajl madhnijet i trishtueshem!
15. Amanet, pra, po ju la:
Deh! mos rrêhi n’ketë dyrnjâ,
Pse kjo jetë nuk ishte gjâ
16. Nder mend juve t’jetë ngelisun;
Se n’ketë udhë qi vetë jam nisun
Ju, edhe, keni m’e koptisun.
17. Tash prej jush un jam tue u dá
M’nji vorr t’errshem jam tue rá,
Nji detyrë natyrës per t’lá;
18. Por me u pá kem’n’ditë t’mjerue
Kúr burija ka me ushtue
Tue na grishë me kenë gjikue.
19. O Gjyqtár i drejtë ndeshkimit
Falma hirin e shelbimit
N’Atë ditë t’gjyqit t’rruzullimit.

“Vallja e Parrizit”, Shtypshkroja Françeskane, Shkodër, 1941, fq 113-114


Emily Dickinson
Në zemër të enigmës

Mbas meje varet thik
Amshimi.
Përpara - Përjetësia.
E unë, në mes!

The Poems of Emily Dickinson, botuar nën kujdesin e W. Franklin, Cambridge, Harvard, 1998, p. 721







All the contents on this site are copyrighted ©.