Papa: nuk mund të jesh i krishterë, pa e vënë dashurinë e Krishtit në qendër të jetës
Papa Françesku e kremtoi sot paradite Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në elterin,
ku ruhet trupi i të Lumit Gjon Pali II. Të pranishëm, më se njëqind meshtarë edhe
një mori besimtarësh. Papa komentoi leximet e ditës: fragmentin e Letrës së Shën Palit
drejtuar Romakëve, kushtuar dashurisë për Krishtin dhe fragmentin e Ungjillit të Shën
Lukës, ku Jezusi qan për Jeruzalemin, që nuk e kuptoi dashurinë e pafundme të Zotit
për të.
“S’ka forcë që mund të më ndajë nga dashuria e Krishtit!”. Papa u nis
nga kjo siguri e Palit. Zoti, tha, ia ndryshoi krejt rrjedhën e ngjarjeve, e tani
dashuria për Jezusin është në qendër të jetës së tij. Prandaj as persekutimet, as
sëmundjet, as tradhtitë e as gjithë ç’ka pësuar e do të pësojë, nuk do të mund ta
shkëpusin kurrë më nga dashuria e Krishtit: “Ishte qendra e jetës së tij,
pikëmbështetja e tij: dashuria e Krishtit. E pa dashurinë e Krishtit, pa e jetuar
këtë dashuri, pa e njohur, pa u ushqyer nga kjo dashuri, nuk mund të jesh i krishterë.
I krishteri e di se sytë e Zotit e ndjekin kudo e kurdoherë, me atë shikim aq të
bukur. E di se Zoti e do; e do deri në fund të fundit. I krishteri e ndjen… e ndjen
se jeta e tij shpëtoi nëpër gjakun e Krishtit. E nga kjo lind dashuria: kjo lidhje
është dashuri”. Më pas Papa foli për trishtimin, që e pushton Jezusin,
kur shikon se Jeruzalemi nuk arriti ta kuptojë dashurinë e Tij, nësa e krahasonr veten
me klloçkën, që i mbledh zogjtë ndër krahë, për t’i ngrohur e për t’i mbrojtur: “Nuk
e kuptoi dashurinë e Zotit, dashuri që Jezusi e shpreh me këtë figurë kaq të bukur.
Nuk e kuptoi dashurinë: e kundërta e asaj, që ndjente Pali. E pra, po, Zoti na do,
Zoti më do, por është diçka abstrakte, që nuk ma prek zemrën, prandaj unë e jetoj
jetën si të më vijë. Po këtu nuk ka besnikëri. Prandaj Jezusit i qan zemra, kur sodit
Jeruzalemin e i thotë: ‘Jeruzalem, ti nuk je besnik, ti nuk dëshiron të të duan; u
lëshove në krahët e idhujve, që të premtuan gjithçka, të thanë se do të të jepnin
gjithçka, e pastaj të braktisën’. Zemra e Zotit zjen, vuan nga dashuria: dashuri e
papranuar, e pakuptuar”. Papa i ftoi të pranishmit të meditojnë për këto
dy ikona: nga njëra anë, Pali, besnik ndaj Jezusit deri në fund të fundit, që në dashurinë
e Zotit, edhe pse ndjehet i ligshtë e mëkatar, gjen forcë për të ecur përpara, për
të duruar gjithë të zezat. Nga ana tjetër, Jeruzalemi, populli i pabesë, që nuk e
pranon dashurinë e Krishtit, ose edhe më keq akoma, e jeton këtë dashuri, por përgjysëm,
herë duke e pohuar e herë duke e mohuar, sipas interesave të veta: “Shikojmë
besnikërinë e Palit e pabesinë e Jeruzalemit e, në qendër, Jezusin, zemrën e tij,
që na do aq shumë. Ç’ duhet bërë? –pyesim. Unë jam si Pali, apo si Jeruzalemi? Dashuria
ime është po aq e fortë, sa e Palit, apo vakët, si ajo e Jeruzalemit? Zoti, me ndërmjetësinë
e Të Lumit Gjon Pali II, na ndihmoftë t’i përgjigjemi drejt kësaj pyetjeje. E ashtu
qoftë!".