2013-10-31 14:27:59

Papa anëtarëve të Rrethit të Shën Pjetrit: të jeni përkëdhelje e Zotit, shenjë e dashurisë së Krishtit për të varfërit


“Vijoni të jeni shenjë e dukshme e dashurisë së Krishtit për nevojtarët”. Është porosia që u dha sot Papa Françesku rreth 200 anëtarëve të Rrethit të Shën Pjetrit, duke i pritur në audiencë, në Sallën Klementine, në Vatikan. Ati i Shenjtë i falënderoi veçanërisht për Obolin apo Lëmoshën e Shën Pjetrit, që Rrethi e mbledh vit për vit në Kishat e Romës, duke e ndihmuar drejtpërdrejt Papën në veprimtarinë bamirëse për nevojtarët e këtij qyteti.

Feja e jetuar seriozisht, nxit sjellje bamirësie të vërtetë, tha Papa, duke kujtuar se Viti i Fesë tashmë po i afrohet fundit e duke theksuar se Kisha përtëriu besimin në Jezu Krishtin, duke ecur me gëzim në rrugët e Tij:
“Kemi plot dëshmi të thjeshta njerëzish, që u bënë apostuj të dashurisë në familje, në shkollë, në famulli, në vende pune, takime shoqërore, në rrugë e kudo. E Apostull bamirësie, kujtoi Papa, bëhet kush e merr seriozisht Ungjillin. Dishepulli i vërtetë i Zotit impenjohet personalisht në veprimtari bamirësie, që kanë si përmasë varfërinë shumëformëshe e të pafundme të njeriut”.
Këtë veprimtari kryejnë edhe anëtarët Rrethit të Shën Pjetrit. Edhe ju, miq, vijoi Papa, e ndjeni veten të dërguar tek vëllezërit më të varfër, më të ligshtë, më të braktisur. E këtë e bëni si të pagëzuar, si detyrë e besimtarit laik. Jo si detyrë e jashtëzakonshme a rastësore, por themelore, kishtare, që duhet ushtruar ditë për ditë:
“Çdo ditë ndodhemi para situatave, që nuk na lënë të qetë. Çdo ditë secili nga ne thirret për të qenë ngushëllues, mjet i përvuajtur e bujar i Provanisë së Zotit, i mirësisë së Tij përdëllyese, i dashurisë së tij, që kupton e mëshiron, i ngushëllimit të Tij, që të ngre përsëri në këmbë e të jep guxim. Çdo ditë jemi të thirrur të bëhemi ledhatim i Zotit për ata, që ndoshta nuk nuk i kanë harruar përkëdheljet e para; e edhe për ata, që nuk e kanë provuar kurrë ç’do të thotë përkëdheli. Ju jeni këtu për Selinë e Shenjtë, këtu në Romë, përkëdhelja e Zotit. Shumë faleminderit”.
Në vijim Papa i nxiti anëtarët e Rrethit të Shën Pjetrit të jenë shenjë e dukshme e dashurisë së Krishtit për ata, që kanë nevoja materiale e shpirtërore, ashtu edhe për shtegtarët, që rrajnë drejt Romës nga të katër anët e botës.
Një falënderim i veçantë, për Obolin apo Lëmoshën e Shën Pjetrit, që Rrethi e mbledh vit për vit në Kishat e Romës, duke e ndihmuar drejtpërdrejt Papën në veprimtarinë bamirëse për nevojtarët e këtij qyteti:
“Ju inkurajoj ta vijoni këtë veprimtari, duke e nxënë dashurinë për vëllezërit në shkollën e mëshirës hyjnore, përmes lutjes e dëgjimit të fjalës së Zotit”.
Në përfundim të audiencës, Ati i Shenjtë ia besoi anëtarët e Rrethit dhe familjarët e tyre Zojës Shpëtimtare e Popujve Romakë si dhe ndërmjetësimit të Shën Pjetrit e Shën Palit.
Kujtojmë se në krye të këtij takimi, Papën e përshëndeti Kryetari i përgjithshëm, duka Leopoldo Torlonia e se Rrethi mbledh atë, që më parë quhej “Lëmosha e Shën Pjetrit” e sot quhet “Lëmosha për bamirësinë e Papës”. Rreth 200 anëtarët mbledhin çdo vit lëmoshë në katër bazilikat papnore të Romës. Këtyre u shtohen ofertat e famullive e pastaj, shuma i jepet Atit të Shenjtë gjatë audiencës së përvitshme me Rrethin e Shën Pjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.