Kardinali Tërkson në Jeruzalem për 50-vjetorin e Pacem in terris
Paqja, në kuptimin e plotë të fjalës, nuk është thjesht mungesa e luftës, por mbrojtja
e dinjitetit dhe e të drejtave të personit njerëzor . Kështu e përshkruan paqen enciklika
Pacem in terris, firmosur nga Gjoni XXXIII para pesëdhjetë vjetësh. Këtu e vuri theksin
sot paradite Kardinali Piter Tërkson, kryetari i Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe,
gjatë një Lectio magistralis në Jeruzalem, pranë Fakultetit të teologjisë së Universitetit
Salezian. “Dinjiteti dhe të drejtat e njeriut, - tha Kardinali Tërkson – janë përparësia,
që duhet të ketë shoqëria, dhe është e nevojshme të njihen, të respektohen, të mbrohen
e të zbatohen nga vetë shoqëria”, sepse “atje ku drejtësia rregullon marrëdhëniet
njerëzore dhe prek dinjitetin e secilit, atje mbizotëron paqja”. Gjatë kësaj kumtese,
Kardinali solli ndër mend se titulli i kësaj Enciklike i referohet Ungjillit sipas
Lukës, ku shkruhet: “Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore e paqe njerëzve vullnetmirë
mbi tokë!”, që do të thotë se “paqja është dhuratë e Hyjit për të gjithë njerëzit,
sepse Hyji i do të gjithë, dhe se kjo dhuratë bëhet realitet vetëm për ata që pranojnë
dhe respektojnë çfarë ka caktuar Hyji”. Kardinali kujtoi se antropologjia e krishterë
është e themeluar mbi marrëdhënien, që është përmasa kryesore e njeriut e rrafshi
ku përcaktohen të drejtat e detyrat. Njeriu, si i tillë, mund të vendosë të zgjedhë
të mirën ose të keqen. Nëse konflikti lind nga njerëzit, është e vërtetë edhe se edhe
paqja mund të burojë nga njerëzit. Kardinali Tërkson u ndalua hollësisht tek çdo
kapitull i enciklikës së Papës Ronkali e vuri në dukje disa koncepte bazë, si nevoja
për zhdukjen e diskriminimit mes njerëzve; mbrojtja e lirisë; mirëbesimi mes shteteve,
që kërkon zbatimin e traktateve ndërkombëtare, ndalimin e korrupsionit, respektimin
e ligjit dhe sanksionet e duhura në rast shkeljeje. Duke folur për objektivat
e Universitetit Salezian, prelati i lartë renditi tri veçoritë e edukimit katolik:
duhet të jetë i njësishëm, pra duhet ta shembë murin që ndan fenë nga jeta; duhet
të jetë i kontekstualizuar, sepse “të gjithë besimtarët e kanë për detyrë të marrin
pjesë në mënyrë aktive në jetën publike, të ndihmojnë në rrafshin politik e ta mbështesin
familjen njerëzore për të realizuar të mirën e përbashkët”; duhet të synojë bashkëpunimin
edhe me jokatolikët e jobesimtarët, duke dialoguar me ta në fushën ekonomike, sociale
e politike. Në përfundim të kumtesës, Kardinali foli për ngjashmërinë që ka Papa
Fraçesku me Papën Gjoni XXXIII. Nesër do të jetë i pranishëm në veprimtarinë që
ka organizuar shoqata “Rrënjët e paqes” për sensibilizimin e shoqërisë në lidhje me
nevojën e pastrimit të territorit nga minat. Këto veprimtari do të zhvillohen pranë
vendit të Pagëzimit të Jezusit përgjatë lumit Jordan dhe në një fshat afër Betlehemit.