2013-10-31 17:54:59

Kardinal Filoni në Pakistan: Është e mundur të jesh edhe i krishterë edhe pakistanez


“Takimi me ju të gjithë është një kënaqësi e madhe për mua. Do të thosha se, përmes jush, po takoj tërë Kishën e këtij vendi të dashur”, tha Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve Kardinal Filoni, në homelinë gjatë kremtimit eukaristik sot paradite në katedralen e Lahorit, ku merrnin pjesë ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, seminaristë, katekistë e përfaqësues të bashkësisë dioqezane. Prefekti i Dikasterit që mbulon misionet tha ndër të tjera: “Do të dëshiroja që ndjenjat e mia të prekin të gjithë vëllezërit e motrat e së njëjtës fe dhe që të mos e ndjejnë kurrë veten të lënë në harresë. Ju jeni pjesa më fisnike, – edhe për shkak të rrethanave e të vështirësive – e Kishës Universale, sikurse janë edhe bashkësitë e tjera nëpër botë, që dëshmojnë me guxim, çdo ditë, fenë e tyre në Krishtin e besnikërinë ndaj Kishës.
Duke komentuar leximet e sotme, Kardinali nënvizoi se “Krishti është pika jonë e referimit në çdo rrethanë e për çdo rast, edhe në vështirësi, madje edhe nën përndjekje”, sikurse na mëson Apostulli Pal. Pastaj i ftoi të pranishmit ta vijojnë angazhimin e tyre për paqen e mirësinë, me qëndresë e guxim.
Prefekti i Kongregatës për Misionet vuri në dukje se “qenia i krishterë dhe pakistanez nuk është diçka që bie në kundërshtim me vetveten. Në këtë tokë, ku gjenden shumë kombësi, shumë realitete kulturore e gjuhësore, ku Islami është feja mbizotëruese, i krishteri është në shtëpinë e vet dhe në këtë larmi gjen një pasuri për jetën e jo kundërvënien. Uniformiteti (njëtrajtësia) sjell varfërim, ndërsa larmia ngjall shtysa të reja.” Të krishterët, tha Kardinali, janë të thirrur për të qenë kripë e dritë në çdo rrethanë e vend , dhe saktësoi: “Kripa nuk e zëvendëson ushqimin, por i jep shije. As drita nuk e ndryshon realitetin, por e ndriçon. Nëse e kemi të qartë këtë vizion, mund ta kuptojmë më mirë thirrjen tuaj, pse gjendeni këtu ju, cila është detyra juaj dhe misioni që ju ka besuar Provania Hyjnore”.
Nesër Kardinali Filoni do të kryesojë meshën për shugurimin e ipeshkvit të Faisalabadit








All the contents on this site are copyrighted ©.