2013-10-30 16:37:41

Thirrje e Papës për paqe në Irak. Kardinali Toran jep njoftimin për krijimin e komitetit ndërfetar


Në audiencën e sotme të përgjithshme, pas katekizmit, Papa bëri thirrje për paqen në Irak, duke përshëndetur një delegacion zyrtarësh irakianë, me përfaqësues të grupeve të ndryshme fetare. Sapo kishin dalë nga takimi, organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar me punonjës të Ministrisë irakiane për Çështjet Fetare: shiitë, sunitë, të krishterë, jazidë e sabeas. RealAudioMP3

Jeni pasuria e vendit, nënvizoi Papa Françesku, duke iu drejtuar përfaqësuesve fetarë irakianë, të shoqëruar nga kardinali Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar e organizator i këtij takimi të parë të njerëzve me besojma të ndryshme fetare. Prej një vendi ku nuk ka paqe, ndonëse kanë kaluar më se 10 vjet nga fillimi i të ashtuquajturës ‘lufta e dytë e Gjirit”, që shkaktoi rreth 150 mijë të vdekur, 1 milion refugjatë, ikjen e gjysmës së të krishterëve, rreth 500 mijë vetë. Ja edhe thirrja e Papës:
“Ju ftoj të luteni për kombin e dashur irakian, të tronditur ditë për ditë nga ngjarje tragjike dhune, që të gjejë rrugën e pajtimit, të paqes, të unitetit e të stabilitetit”.
E një përshëndetje të posaçme Ati i Shenjtë ua drejtoi edhe shtegtarëve irakianë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit:
“Kur ndjeni pasiguri, përhumbje e deri dyshime në udhën e fesë, përpiquni t’ia besoni veten ndihmës së Zotit përmes lutjes bijnore e, njëkohësisht, të gjeni guximin dhe përvujtërinë për t’ia hapur zemrën tjetrit. Sa gjë e bukur është ta ndihmoni njëri-tjetrin në aventurën mahnitëse të fesë! Zoti ju bekoftë!”.

Po cilat janë qëllimet dhe arritjet e takimit të përfaqësuesve fetarë irakianë, që përfundoi sot paradite me një deklaratë të përbashkët? Pyetëm kardinalin Zhan-Lui Toran:

Përgjigje: - Takimi kishte për qëllim kryesor krijimin e një Komiteti, ende pa emër, për dialogun ndërfetar, një strukture, që të takohet rregullisht, në mënyrë që të japë ndihmesë në rikrijimin e harmonisë, për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend. Prandaj mund të themi se është diçka tepër e rëndësishme. E do të botojmë edhe një komunikatë, në të cilën flitet për lindjen e kësaj strukture të re të dialogut, duke shpresuar se kështu do të kuptohet se dialogu ndërfetar është në shërbim të mbarë shoqërisë. Ndihmon për të harmonizuar gjithçka, që kanë të përbashkët myslimanë e të krishterë e për ta vënë në shërbim të shoqërisë. Feja nuk është gjë, që të kall frikë; feja është pasuri.

Pyetje: - Prej këndej, mund ta quajmë një lloj “komiteti i të urtëve’. Diçka për atmosferën, në të cilën biseduan këta të urtë?

Përgjigje: - Atmosferë përzemërsie e miqësie të madhe. Nuk patëm asnjë problem për hartimin e komunikatës përfundimtare. Besoj se kjo ngjall shpresa të reja.

Pyetje: - Pikat kryesore të komunikatës?

Përgjigje: - Do të jetë, para së gjithash, këmbëngulja mbi vlerat e përbashkëta që kemi, domethënë mbi familjen, shkollën, drejtësinë, paqen, e pastaj edhe krijimi i kësaj strukture dialogu, që do të takohet vazhdimisht, një vit në Romë, tjetrin në Irak.

Pyetje: - Ky komitet do të ketë, pastaj, mundësi edhe të ndërmjetësojë e të dialogojë me autoritetet politike e institucionale?

Përgjigje: - Jo, kjo është tjetër gjë: mbetet si strukturë dialogu ndërfetar e jo politik.

Pyetje: - E dimë se bashkësia e krishterë ka vuajtur tepër e se ëshë përgjysmuar në këto dhjetë vjet. A u fol edhe për këtë?

Përgjigje: - Po, folëm edhe për këtë. Por ata thonë - e këtë ma përsëriti disa herë kryetari i delegacionit - se të gjitha këto atentate nuk janë bërë nga irakianët, por nga mercenarët. Ata thonë: “Ne nuk kemi kurrfarë problemi me të krishterët. Kemi jetuar një jetë të tërë bashkë”. Ngulmojnë fort mbi faktin se dhuna nuk është vepër e irakianëve. Dhuna është e importuar.

Pyetje: - Pra u dashka punuar kryesisht për paqtimin e shpirtit të kësaj popullsie, kaq të munduar vite me radhë….

Përgjigje: - Sigurisht. Sigurisht. Ç’ mund të bëjmë, në se nuk ka miqësi e respekt? Asgjë








All the contents on this site are copyrighted ©.