2013-10-30 16:40:24

Shoqëria e familja, në qendër të mesazhit të Papës për Këshillin Ekumenik të Kishave


Në Busan, të Koresë së Jugut, u hap sot e do të përfundojë më 8 nëntor, asambleja e përgjithshme e Këshillit Ekumenik të Kishave, ku Selia e Shenjtë merr pjesë si vëzhguese. Tema e sivjetme: “Zoti i Jetës, na prij kah drejtësia e paqja”.
Pikërisht kësaj asambleje, Papa Françesku i drejtohet me një mesazh, në të cilin thekson impenjimin e Kishës Katolike për të vazhduar bashkëpunimin me Këshillin Ekumenik. “Bota e globalizuar – nënvizon Ati i Shenjtë – u kërkon të krishterëve të dëshmojnë vlerën e dinjitetit të njeriut, që vjen prej Zotit”. Kjo arrihet përmes edukimit të gjithanshëm të të rinjve, përmes vënies së njeriut në qendër të çdo veprimtarie, sepse vetëm kështu, u jepet të gjithëve – individë e bashkësi – mundësia për t’u zhvilluar në liri. Papa Bergolio kërkon “mbështetje për familjen, qeliza themelore e shoqërisë” dhe “garanci për ushtrimin e lirisë fetare”.
“Besnikë ndaj Ungjillit – shkruan Papa – jemi të thirrur të shkojmë tek të gjithë ata, që ndodhen në periferitë ekzistenciale të shoqërisë e, t’u çojmë solidaritetin tonë motrave e vëllezërve më nevojtarë”. Ati i Shenjtë nuk mungon t’i përmendë një nga një: “të varfërit, njerëzit me aftësi të kufizuara, të sapolindurit, të sëmurët, emigrantët, refugjatët, të moshuarit e të rinjtë pa punë”. Papa Françesku siguron se do të lutet që asambleja të kontribuojë për t’i dhënë hov të ri punës për bashkimin e të krishterëve.
Mesazhin e Papës e çoi në asamble kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, kardinali Kurt Koh. Kujtojmë se Asambleja e Këshillit Ekumenik të Kishave mblidhet çdo shtatë vjet. Marrin pjesë në të rreth 3 mijë delegatë zyrtarë, përfaqësues të 345 Kishave, bashkësive kishtare e organizatave të ndryshme. Pavarësisht se nuk është anëtare e Këshillit, Kisha Katolike bashkëpunon me të, sidomos përmes Komisionit “Feja e Kushtetuta”, që ka për detyrë të reflektojë mbi çështjet, që edhe sot i ndajnë të krishterët, në veçanti, ekleziologjia. Që nga viti 1965, është ngritur një Grup i përzier pune, strukturë kryesore e koordinimit të marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike dhe Këshillit Ekumenik të Kishave.








All the contents on this site are copyrighted ©.