2013-10-30 13:10:37

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Krijuesi


Reflektimi i 18-të i ciklit kushtuar Katekizmit të ri të Kishës Katolike, 20 vjet pas botimit, vë në qendër të vëmendjes konceptin ‘Krijuesi’. Pse e quajmë Hyjin Krijues? Përgjigjet jezuiti, atë Dariush Kovalçik:

“Dëshmojmë besimin në Hyjin Krijues". Fraza e parë e Biblës na kujton se “Në zanafillë Zoti krijoi qiellin e tokën” (Zan. 1,1). Kjo është përgjigjja e pyetjeve kryesore: “Nga vijmë?”. “Nga vjen gjithçka, që na rrethon, gjithçka, që ekziston?" (cfr KKK 282).
Në katekizëm flitet për Krijim ex nihilo, nga mosgjëja (KKK 296ss). Mund të mendohet se para krijimit, përveç Hyjit, nuk kishte gjë prej gjëje, e, prej këndej, nuk mund të ishte askurrgjë, “përveç”. Ishte vetëm Hyji. Vetëm, por jo i vetmuar, sepse Hyji është bashkim i amshuar i Atit, Birit e Shpirtit Shenjt. Prandaj disa thonë se akti i parë i krijimit, ishte krijim i hapësirës për çka nuk ishte Hyj, domethënë, i gjithësisë. Hyji u spraps, për t’i bërë vend botës, e njeriut. Fredrich Hölderlin e shpreh këtë ide në mënyrën e vet: “Hyji e bëri njeriun, si deti kontinentet, duke u sprapsur”.

Duhet theksuar edhe se krijimi nuk u realizua në ndonjë çast të caktuar kohe. Hyji jeton në amshim. E edhe koha u krijua prej Tij. Para krijimit nuk kishte kurrfarë kohe: ishte Hyji e përjetësia e Tij prej Hyji.

Formula “krijimi ex nihilo”, do të thotë se akti krijues i Hyjit u krye në liri të plotë, pa ndihmën e askujt. Nuk mund të mos lindë, atëhere, pyetja: “Po pse Hyji e krijoi botën? Pse është diçka, në vend të asgjëje?”. Përgjigjja është një e vetme: “Zoti është dashuri. E dashuria dëshiron të komunikohet, pa interes, falas. Në Katekizëm lexojmë: “Në të vërtetë Zoti nuk ka arsye tjetër për të krijuar, përveç dashurisë së tij e mirësisë së tij”.
Shën Bonaventura , i cituar nga Katekizmi (n. 293), shpjegon se Hyji i krijoi të gjitha sendet për ta komunikuar falas lavdinë e Tij. Ndërsa Shën Ireneu i Lionit thotë se lumnia e Hyjit është njeriu i gjallë. Atëherë, jemi krijuar për të qenë lumnia e Hyjit për jetë të jetëve. Ç’perspektivë!







All the contents on this site are copyrighted ©.