A e ka përgjuar Vatikanin Agjensia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-së?
Sipas revistës italiane Panorama, shërbimet amerikane të Agjensisë Kombëtare të Sigurisë
(NSA) kanë përgjuar edhe Papën. Ndër disa dhjetëra milionë telefonata të përgjuara
në Itali, duket se bëjnë pjesë edhe thirrjet nga e drejt Vatikanit. Ka dyshime se
janë dëgjuar edhe bisedat telefonike gjatë përgatitjes së Konklavit. Duke iu përgjigjur
këtij dyshimi të ngritur sot, Drejtori i Zyrës së Shtypit pranë Selisë së Shenjtë
Atë Federico Lombardi tha: “Nuk kemi asnjë të dhënë për këtë temë, dhe, sidoqoftë,
nuk na shqetëson asgjë në lidhje me këtë”. Sipas të njëjtës revistë, shërbimet
sekrete amerikane kanë përgjuar edhe telefonatat në Domus Internationalis Paulus VI
në Romë, rezidenca ku rrinte Kardinali Bergoglio e shumë prelatë të tjerë. Që Kardinali
Bergoglio përgjohej qysh prej vitit 2005, është marrë vesh edhe nga zbulimet e Wikileaks-it. Katër
kategoritë nën të cilat bëheshin përgjimet ishin këto: 1) Synimet për udhëheqësì (Leadership
intentions); 2) Kërcënimet kundrejt sistemit financiar (Threat to financial system);
3) Objektivat e politikës së jashtme (Foreign policy objectives) dhe 4) Të drejtat
njerëzore (Human rights). Ka mundësi të jenë përgjuar edhe telefonatat që kanë
të bëjnë me zgjedhjen e kryetarit të ri të IOR-it Ernst von Freyberg.