Papa: shpresa e krishterë është dinamike e jep jetë, të lirohemi nga klerikalizmat
e rehatia
Shpresa nuk është optimizëm i thjeshtë, por pritje me zjarr e zbulesës së Birit të
Zotit. Kështu tha Papa Françesku, në meshën e paradites në Shtëpinë e Shën Martës,
në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se të krishterët duhet të largohen nga klerikalizmat
e rehatitë, pasi shpresa e krishterë është dinamike e jep jetën. Duke marrë shkas
nga fjalët e Shën Palit Apostull, në leximin e parë të liturgjisë së sotme, Papa Bergolio
foli për veçoritë e shpresës së krishterë, që e bëjnë atë krejtësisht të ndryshme
nga të tjerat. I krishteri, nënvizoi, jeton ndërmjet shpresës e skllavërisë së kësaj
bote, por është shpresa ajo, që nuk e zhgënjen kurrë. Gjithsesi, pranoi Ati i Shenjtë,
shpresa nuk kuptohet lehtë, pasi shpesh e ngatërrojmë me optimizmin: “Shpresa
nuk është optimizëm, nuk është aftësia për t’i parë gjërat pozitivisht e për të ecur
kështu, përpara. Jo, ai është optimizëm, nuk është shpresë. Takojmë njerëz, që u shndrisin
sytë, pozitivë… e kjo është gjë e mirë, por nuk është shpresë! Nuk është e lehtë ta
kuptojmë ç’është shpresa. Thuhet se është më e përvuajtura e tri virtyteteve (feja,
dashuria, shpresa), sepse fshihet brenda jetës. Feja shihet, ndjehet, dihet ç’është.
Dashuria tregohet me vepra, dihet ç’është. Po çfarë është shpresa? Për t’iu afruar
pak, mund të themi, së pari, se shpresa është rrezik, është virtyt i rrezikshëm. Siç
thotë Shën Pali, ajo është pritje plot zjarr që Biri i Hyjit t’i zbulohet botës. Nuk
është iluzion”. Të kesh shpresë, theksoi Papa Françesku, do të thotë të jesh
gjithnjë i prirur drejt këtij gëzimi, që na mbush shpirtin e na bën të qeshë zemra.
Shën Pali thotë se shpresa e krishterë nuk është optimizëm, por më shumë se kaq. Është
diçka krejt e ndryshme. Të krishterët e parë, kujtoi Ati i Shenjtë, e pikturonin me
anën e spirancës: shpresa ishte spiranca, spirancë e fiksuar në bregun e Jetës së
Përtejme. S’bëjmë tjetër, veçse shkojmë drejt kësaj spirance: “Më vjen në mendje
pyetja: ku jemi ankoruar ne, secili prej nesh? A e kemi hedhur spirancën në bregun
e atij oqeani kaq të largët, apo në lagunën artificiale, që e kemi krijuar vetë, me
rregullat tona, me sjelljet e oraret tona, me klerikalizmat e me qëndrimet kishtare
e jo kishtare? A jemi të ankoruar aty? Gjithçka e rehatshme, gjithçka e sigurtë, eh?
Por ajo nuk është shpresë”. Pastaj, Shën Pali na jep edhe shembullin e shpresës:
lindjen e një fëmije. Kur një nënë shtatzënë pret lindjen e fëmijës, vërejti Papa,
e kupton më mirë shpresën në dinamikën e pritjes për të dhuruar jetën. Nuk shihet
dikimi i Shpirtit Shenjt, por të gjithë e dimë se është i pranishëm e punon: “Një
gjë është të jetosh në shpresë, sepse përmes shpresës u shëlbuam, e tjetër gjë është
të jetosh si i krishterë i mirë, por jo më shumë. Të jetosh në pritje të zbulesës
së Hyjit, apo të jetosh në rregull me Urdhërimet e Tënzot; të jesh i ankoruar në bregun
e përtejmë, apo i parkuar në lagunën artificiale. Më shkon mendja tek Maria, vajzë
e re… Pasi e ndjeu se ishte nënë, sjellja e saj ndryshoi e shkoi [te Elizabeta], e
ndihmoi e i thuri lavde Zotit. Kur një grua mbetet shtatzanë është grua, por jo vetëm:
është nënë. E shpresa ka diçka prej kësaj. Na e ndryshon qëndrimin: jemi ne, por nuk
jemi ne; jemi ne, që kërkojmë përtej, që e hedhim përtej spirancën”. Papa Françesku
e përfundoi homelinë, duke përshëndetuar një grup meshtarësh meksikanë, të pranishëm
në meshë me rastin e 25-vjetorit të shugurimit meshtarak. Lutjuni Zojës, nënës së
shpresës, u tha Ati i Shenjtë, që të jetoni si priftërinj të shpresës, duke e dhuruar
shpresën e krishterë.