2013-10-29 12:13:16

Më 21 nëntor mblidhen në Vatikan kryetarët e Kishave Lindore


Më 21 nëntor do të zhvillohet në Vatikan mbledhja e patriarkëve dhe arqipeshkvinjve më të lartë të Kishave Lindore për Sirinë, Irakun e Lindjen e Mesme, në praninë e Papa Françeskut. Lajmin e dha Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore Kardinali Leandro Sandri, me rastin e hapjes së vitit të ri akademik të Institutit Papnor Lindor. Takimi organizohet me rastin e mbledhjes së përgjithshme të dikasterit, që do të mbahet nga 19-22 nëntor e do të ketë si temë “Kishat Lindore Katolike 50 vjet pas Koncilit II Ekumenik të Vatikanit”. Papa Françesku, tha Kardinali, “ka pranuar ta përsërisë takimin, që u bë për herë të parë në 2009, kur kryetarët e Kishave Lindore i priti Benedikti XVI, gjatë një paraditeje, në të cilën u shkëmbyen mendime të frytshme”. Tani mund të shkëmbejnë mendime mbi gjendjen e të krishterëve të Kishave Lindore edhe me Papa Françeskun. Siria dhe Iraku, sikurse edhe Egjipti dhe Toka e Shenjtë, së bashku me rajonet e tjera të diasporës lindore, përfundoi Kardinal Sandri, do të kenë vëmendjen e të gjithë Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.