2013-10-29 15:43:05

Intervista e Papa Françeskut me atë Spadaron - Pjesa V


Modeli: Pjetër Favri, “prifti i reformuar”

Këtu e pyes veten, nëse, ndër jezuitë, që prej zanafillës së Shoqërisë e deri më sot, gjenden figura që i kanë kanë bërë shumë përshtypje (Atit të Shenjtë). Pastaj pyes Papën, nëse ka të tillë, cilët janë e për ç’arsye. Papa fillon të më përmendë Injacin e Françesk Saverin, pastaj ndalet tek një figurë, që jezuitët e njohin, por që sigurisht nuk është shumë e njohur në përgjithësi: i lumi Pjetër Favri (1506-1546), nga savoja. Është njëri ndër shokët e parë të shën Injacit, madje i pari fare, me të cilin ndanin një dhomë, gjatë kohës së studimeve në Sorbonë. Në po këtë dhomë gjendej edhe një i tretë: Françesk Saveri. Piu IX e shpalli të lum më 5 shtator 1872 dhe është në vijim procesi i shenjtërimit.
Papa më përmend botimin e Librit përkujtimor, për përgatitjen e të cilit kishte ngarkuar dy jezuitë specialistë, kur kishte qenë epror provincial. Një botim që i pëlqen shumë Papës është ai i Michel Certeau-se (Mishel Sertosë). Atëherë e pyes përse i ka lënë mbresa pikërisht Favri, cilat dukuri të figurës së tij i bëjnë përshtypje.
“Dialogu me të gjithë, edhe me më të largëtit e kundërshtarët; shpirti fetar i thjeshtë, ndoshta një farë pafajësie, gatishmëria e menjëhershme, përzgjedhja e kujdesshme shpirtërore e tij, fakti që ishte njeri që merrte vendime të forta e të mëdha dhe ishte njëkohësisht aq i ëmbël, i ëmbël…”.
Ndërsa Papa Françesku bën këtë listë me karakteristikat personale të jezuitit, që ka më shumë për zemër, e kuptoj sa shumë i ka shërbyer si model jete kjo figurë. Michel de Certeau e përkufizon Favrin thjesht “prifti i reformuar”, për të cilin përvoja shpirtërore, shtjellimi dogmatik dhe reforma strukturore, në brendinë e tyre janë të pazgjidhshme nga njëra-tjetra. Kam përshtypjen , pra, se Papa Françesku e merr frymëzimin pikërisht nga ky model reforme. Pastaj Papa vijon me një përsiatje mbi fytyrën e vërtetë të fundador-it (themeluesit).
“Injaci është mistik, jo asket. Zemërohem shumë kur dëgjoj se Ushrimet shpirtërore janë injaciane vetëm sepse bëhen në heshtje. Në fakt, Ushtrimet mund të jenë plotësisht injaciane edhe gjatë rrjedhës normale të jetës e pa heshtjen. Rryma që nënvizon asketizmin, heshtjen dhe pendesën, që është përhapur edhe në Shoqëri, veçanërisht në mjediset spanjolle, është e shtrembër. Unë, përkundër, jam afër me rrymën mistike, asaj të Louis Lallemant (Lui Lajeman) e të Jean-Joseph Surin-it (Zhan Zhoze Syrenit). E Favri ishte mistik”.

Përvoja e qeverisjes

Çfarë përvoje qeverisëse është gatuar gjatë formimit që ka marrë Atë Bergoglio, i cili ka qenë fillimisht epror e pastaj epror provincial në Shoqërinë e Jezusit? Stili i qeverisjes së Shoqërisë kërkon që vendimet t’i marrë eprori, por edhe të ballafaqohet me “këshilltarët”. Prandaj e pyes Papën: “A mendoni se përvoja Juaj e qeverisjes në të shkuarën mund t’i shërbejë qeverisjes Suaj të tashme në krye të Kishës universale?” Papa Françesku, pasi mendohet shkurtimisht në heshtje, merr një pamje serioze, por shumë të qetë.
“Gjatë përvojës sime si epror në Shoqëri, me thënë të drejtën, nuk jam sjellë gjithmonë kështu, domethënë duke u këshilluar si duhet. E kjo nuk ka qenë gjë e mirë. Qeverisja si jezuit, në fillim, kishte shumë të meta. Ishte kohë e vështirë për Shoqërinë: ishte zhdukur një brezni e tërë jezuitësh. Kjo është arsyeja pse e pashë veten Provincial, kur isha ende shumë i ri. Isha 36 vjeç: çmenduri! Duhej të përballesha me situata të vështira e unë i merrja vendimet në mënyrë të ashpër e vetjake. Megjithatë, po, duhet të shtoj diçka: kur i besoj dikujt diçka, kam besim të plotë tek ai person. Duhet të gabojë rëndë, që unë ta qortoj. Por, pavarësisht kësaj, njerëzit, në fund, lodhen me autoritarizmin. Mënyra ime autoritare dhe e ngutur, me të cilën i merrja vendimet, më ka sjellë probleme serioze dhe më ka ngarkuar me akuzën se jam ultrakonservator. Kur isha në Cordoba kam përjetuar një periudhë me kriza të forta shpirtërore. Pra jo, nuk jam sigurisht qelibar (Beata Imelda), por nuk kam qenë kurrë i djathtë. Problemet i ka krijuar sjellja ime autoritare”.
“Këto gjëra i them si përvojë e jetës e për të vënë në dukje cilat janë rreziqet. Me kohë kam mësuar shumë gjëra. Zoti ka lejuar këtë pedagogji të qeverisjes edhe nëpërmjet të metave e mëkateve të mia. Prandaj, si Arqipeshkëv i Buenos Ajresit, çdo pesëmbëdhjetë ditë bëja një mbledhje me gjashtë ipeshkvinjtë ndihmës e disa herë në vit me këshillin presbiteral. Shtroheshin pyetje dhe zgjerohej hapësira e diskutimit. Kjo më ka ndihmuar shumë, që të marr vendime më të mira. E tani dëgjoj disa njerëz që më thonë: “mos u këshilloni shumë e vendosni”. Por unë mendoj se këshillimi është shumë i rëndësishëm. Koncistoret, Sinodet, për shembull, janë vendet e rëndësishme, ku ky këshillim bëhet i vërtetë e veprues. Megjithatë, duhet gjetur një formë më pak e ngurtë. Dëshiroj këshillime reale, jo formale. Këshilli i tetë kardinalëve, ky grup këshillimor outsider, nuk është vendim vetëm i imi, por është fryt i vullnetit të kardinalëve, siç është shprehur nëpër Kongregatat e Përgjithshme para Konklavit. E dëshiroj të jetë një Këshill real, jo formal”.








All the contents on this site are copyrighted ©.