2013-10-28 16:12:32

Papa pret Aung San Suu Kyi: mbështetje për kontributin për demokracinë në Mianmar


Papa Françesku, duke pritur sot, në Vatikan, birmanen Aung San Suu Kyi, Çmim Nobel për Paqen, theksoi posaçërisht impenjimin e saj kundër dhunës.

Bisedimet, sipas një note të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, zgjatën rreth 20 minuta. Papa e vlerësoi mysafiren si simbol i impenjimit kundër dhunës, për demokracinë dhe paqen, për dinjitetin e njeriut dhe për bashkëjetesën paqësore në botën e sotme, tema, natyrisht, shumë të dashura për Jorge Mario Bergoglion, takimi i të cilit me çmimin Nobel për Paqen, shikohet si shumë domethënës.
Përkim i plotë ndërmjet Papës Françesku dhe udhëheqëses së opozitës birmane, për temat, që Ati i Shenjtë i ka shumë për zemër, si kultura e takimit dhe dialogu ndërfetar. Takim tejet i përzemërt, e quan atë Lombardi, duke kujtuar edhe vitet e gjata të vuajtjes së udhëheqëses birmane, që dha një kontribut jo të paktë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, larg çdo shprehjeje të përdorimit të dhunës.
Audienca u mbajt në Bibliotekën papnore e atë Lombardi njofton edhe se Papa Françesku i shprehu vlerësimin e tij, duke e siguruar për bashkëpunimin e Kishës Katolike në të gjitha fushat e pa kurrfarë dallimi, sepse Kisha është në shërbim të të gjithëve me veprimtaritë e saj bamirëse, edhe në rastin e Mianmarit, vend me të cilin nuk ka marrëdhënie diplomatike.
Atë Lombardi kujton, më pas, se njihet nga të gjithë vëmendja e Papës Françesku për Azinë, drejt së cilës ka shumë dëshirë të niset në shtegtim apostolik.
Pasi mori dje titullin ‘Qytetare Nderi’ e Romës, sot, pra, për Aung San Suu Kyi ishte dita e takimit me Papën.
“Ati i Shenjtë më tha se ndjenjat si urrejtja dhe frika e ulin vlerën e jetës së njeriut. Duhen vlerësuar dashuria e mirëkuptimi, për ta përmirësuar jetën e popujve” pohoi liderja birmane, duke folur për audiencën me Atin e Shenjtë, gjatë një konference shtypi.Kujtojmë se vizita në Romë është pjesë e shtegtimit në Evropë të prijëses së opozitës birmane e cila, më 2015, do të kandidohet në zgjedhjet presidenciale.







All the contents on this site are copyrighted ©.