2013-10-28 13:40:02

Papa: Jezusi vijon të lutet edhe sot për ne, duke ia treguar Atit plagët e veta


Jezusi vijon të lutet e të ndërmjetësojë për ne, duke i treguar Atit çmimin, që iu desh të paguante për shëlbimin tonë: plagët. Këtë theksoi sot Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në ditën kur Kisha katolike përkujton Shenjtorët Simeoni e Judë Tadeu, Apostuj.RealAudioMP3

Në qendër të vëmendjes, në homeli, fragmenti i Ungjillit, në të cilin Jezusi e kalon gjithë natën në uratë, para se të zgjedhë dymbëdhjetë Apostujt. Zoti formon skuadrën e Tij, nënvizoi Papa, e shumë shpejt nis të rrethohet nga një turmë e pafundme njerëzish, që vijnë për të dëgjuar e shkojnë të shëruar, sepse prej Tij buron një forcë, që i shëron të gjithë. Janë tri, lidhjet kryesore të Jezusit, vërejti Papa Françesku: Jezusi lidhet ngushtë me Atin; Jezusi lidhet ngushtë me Apostujt e vet e lidhet ngushtë edhe me njerëzit. Jezusi i lutej Atit për Apostujt e edhe për të gjithë njerëzit. E vijon t’i lutet edhe sot:
Është ndërmjetës, Ai që lutet, që i lutet Atit për ne, para nesh. Jezusi na shpëtoi, bëri lutjen e madhe, fijimin e Tij, të jetës së Tij, për të na shëlbuar, për të na shfajsuar: jemi të drejtë, për virtyt të Tij. Tani shkoi, e lutet. Po Jezusi është shpirt? Jezusi nuk është shpirt. Është Vetje, njeri, me mish e gjak, si ne, por me një ndryshim: Ai është në lumni. Jezusi i ka ende plagët mbi duar, mbi këmbë, mbi kraharor, lutet, ia tregon Atit këtë çmim, që iu desh të paguante për shfajsimin tonë, e lutet për ne, si të donte të thoshte: “Bëj, o Atë, që ky të mos humbasë!”.
Jezusi u prin lutjeve tona, sepse është Ai i pari, që lutet, është vëllai ynë, njeri si ne, që ndërmjetëson për ne:
“Në fillim të fillimit Ai na shpërbleu, na shfajsoi të gjithëve; po tani, çfarë bën? Ndërmjetëson, lutet për ne. Unë mendoj ç’do të ketë ndjerë Pjetri, kur e mohoi. E pastaj, kur Jezusi e pa, ai qau. E ndjeu se ajo, që kishte thënë Jezusi, ishte e vërtetë: Krishti ishte lutur për të, prandaj mund të qante, mund të pendohej. Shpesh herë i themi njëri-tjetrit: ‘Lutu për mua! Kam nevojë, jam para shumë problemesh të vështira, gjërash të ngatërruara: lutu, prandaj, për mua!’. E kjo është gjë e mirë, apo jo? Sepse ne, që jemi vëllezër, duhet të lutemi njëri për tjetrin”.
Papa na nxit t’ia lypim Zotit lutjen: “Lutu për ne, o Zot, Ti je ndërmjetësi":
Ai lutet për mua; Ai lutet për të gjithë ne e lutet guximshëm, sepse e bën Atin të shikojë çmimin e paguar për drejtësinë tonë: plagët e veta. Të mendojmë shumë për këtë. E ta falënderojmë Zotin. Ta falënderojmë pse kemi një vëlla, që lutet për ne, që ndërmjetëson për ne. E të flasim me Jezusin, t’i themi: ‘Zot, Ti je ndërmjetësi, Ti më shpëtove, më shfajsove. Por tani lutu për mua’. T’ia besojmë atij problemet tona, jetën tonë, të gjitha gjërat, Atij, që ai të na çojë tek Ati”.








All the contents on this site are copyrighted ©.