2013-10-26 20:20:24

Familjet e mbarë botës, në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa: rrini të bashkuara me Jezusin e çojani të gjithëve me dëshminë tuaj!


Viti i Fesë po jeton një nga çastet më të bukura e më gazmore: Ditën e familjes me temë “Familje, jetoje gëzimin e fesë”, që do të kremtohet nesër.
Sot pasdite mijëra familje vërshuan në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u takuar me Papën Françesku. Sheshi u hap në orën 14.00, për t’i pritur në festën e madhe të familjes. U ndoqën dëshmi e reflektime për gëzimet dhe vështirësitë e jetës familjare, për krizat martesore, kapërcyer falë fesë, për dialogun ndërmjet gjyshërve, prindërve e bijve. Muzikë, pastaj. Ndërmjet të tjerëve, në Shesh ishte i pranishëm grupi Gospel i Hope Singer dhe Kori i Antonianos. Morën pjesë në takim edhe vëllezërit Taviani, dy regjisorë që, me filmin e tyre “Kaos”, i krijuan Papës mundësinë të njohë Sicilinë.
Gjatë takimit, familjeve të mbarë botës iu drejtua thirrja të ndihmojnë me një sms solidare, në numrin 45594, familjet siriane në vështirësi, falë një projekti të Karitasit italian, në bashkëpunim me Këshillin Papnor për Familjen.
Sheshi vigan u ndez nga duartrokitjet, kur në treme u duk Papa Françesku. U prit nga një grup prej dhjetë fëmijësh, shoqëruar nga gjyshërit. E përshëndeti një vajzë e vogël, përdore me gjyshen, pasuar nga disa të fejuar e bashkëshortë. Ndërmjet tyre, një familje e krishterë e ikur nga Siria për shkak të luftës, një familje nga Lampeduza, që ndihmon e mikpret emigrantët në ishull dhe një refugjat nigerian, që rigjeti shpresën e humbur, falë solidaritetit në tokë të huaj:
Ky Shesh ju mikpret e ju përqafon: jemi një popull i vetëm, me një shpirt të vetëm, të thirrur nga Zoti, që na do e na ndihmon”.
Me këto fjalë e nisi Papa përshëndetjen drejtuar turmës, për ta mbështetur, më pas, bisedën, sipas stilit të tij tashmë të njohur, mbi tri fjalë.
Fjalën e parë Papa e mori nga Ungjilli i Mateut: “Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh” (Mt 11,28), për të theksuar, më pas, se i njeh mirë vuajtjet e jetës, që është e lodhshme, e mundimshme, e ngarkuar me punë, me djersë. Por ajo, që e bën jetën vërtet të padurueshme, kujtoi Papa, është mungesa e dashurisë, janë heshtjet, që peshojnë rëndë ndërmjet burrit e gruas, prindërve e bijve, vëllezërve e motrave. Është vetmia, sëmundja, që ka nevojë për kujdes të veçantë, e papritura e padëshiruar. Po Zoti, nënvizoi Papa, i njeh mundimet tona, barrët e rënda të jetës sonë. E edhe dëshirën për të gjetur pakëz paqe e pushim:
“Jezusi ka thënë: ‘Dua që gëzimi juaj të jetë i plotë’. Jezusi do që gëzimi ynë të jetë i plotë! Ua tha apostujve e na e përsërit sot edhe ne. Atëhere kjo është gjëja e parë, që dua ta ndaj sonte me ju; e është një fjalë e Jezusit: ejani tek unë, familje të mbarë botës, thotë Jezusi, e unë do t’ju çlodh, që gëzimi juaj të jetë i plotë. E këtë fjalë të Jezusit çojeni në shtëpi, në familje, ruajeni në zemër. Ju fton të shkoni tek Ai, për t’ju dhënë, për të na dhënë, për t’u dhënë të gjithëve gëzimin e plotë”.
Fjalën e dytë Papa e mori nga riti i kurorëzimit, duke kujtuar se kush martohet, thotë: “Premtoj të jem besnik përgjithmonë: në gëzim e në dhimbje, në shëndet e në sëmundje; të të dua e të të nderoj për të gjitha ditët e jetës!”. Bashkëshortët në këtë çast nuk e dinë ç’gëzime, as ç’ dhimbje i presin. Nisen si Abrahami e vihen për udhë së bashku. Kjo është martesa! Të nisesh, të ecësh së bashku:
“Dorë për dorë, gjithnjë, për gjithë jetën! Pa ia vënë veshin kulturës të së përkohshmes, që e copëton jetën! Duke ia besuar veten dorës së madhe të Zotit. Me këtë besim në besnikërinë e Zotit, përballohet gjithçka, pa frikë, me përgjegjësi”.
E këtu Ati i Shenjtë rikujtoi edhe një herë tri fjalë, që kanë rëndësi të dorës së parë për harmoninë në familje: “Me leje; më fal e faleminderit”. Nëse në familje thuhen këto tri fjalë, jeta shkon përpara. ‘Me leje’, ‘më fal’, ‘faleminderit’:
“Por, dëgjojeni këtë këshillë: mos të perëndojë dielli, pa siguruar paqen. Paqja sigurohet çdo ditë në familje! ‘Më falni’, e ja, gjithçka nis nga e para. Me leje, faleminderit, më fal! T’i bëjmë tonat këto fjalë në familje! Të kërkojmë falje e të falim ditë për ditë”.
Sa herë e falënderojmë atë, që na ndihmon, që na qëndron pranë, që na shoqëron në jetë? – pyeti Papa - duke i porositur të gjithë t’i përsërisin vazhdimisht tri fjalët, për të mundur, kështu, të jetojnë çaste të shumta të bukura: pushimin, drekën së bashku, shëtitjet në park, në natyrë, vizitën tek gjyshërit, tek një njeri i sëmurë…Por nëse mungon dashuria, mungon gëzimi, mungon festa. E dashuria buron gjithnjë nga Jezusi, gurrë e pashterrshme, që na dhurohet në Eukaristi.
Fjala e tretë e Papës u lidh me ikonën e pranishme në Shesh: atë të Paraqitjes së Jezusit në Tempull. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë ta kundrojnë, duke shpjeguar faqen ungjillore, që flet për shtegtimin e Marisë e të Jozefit në Jeruzalem, për plakun Simeon e profeteshën Ana: tri brezni, që takohen në Tempull, njohin Mesinë e profetizojnë shëlbimin. Maria e Jozefi përbëjnë familjen e shenjtëruar nga Jezusi, që është përmbushja e të gjitha premtimeve. Çdo familje, si ajo e Nazaretit, kujtoi Papa, radhitet në historinë e një populli e nuk mund të ekzistojë pa breznitë e mëparshme:
“Të dashura familje, edhe ju jeni pjesë e popullit të Zotit. Ecni me gëzim së bashku me këtë Popull. Rrini gjithnjë të bashkuara me Jezusin e çojani të gjithëve me dëshminë tuaj. Me hirin e Krishtit, jetojeni gëzimin e fesë!”.
Pas fjalës së Atit të Shenjtë, Sheshi ushtoi përsëri nga mijëra zëra, në Dëshmimin e Fesë. E më pas akoma, çasti i shumëpritur. Papa, mbi xhipin e tij të bardhë, përshkoi gjithë Sheshin, duke u bërë një me turmën. Të dukej sikur rrokte familjet e mbarë botës, të cilat dje i quajti “motor i botës dhe i historisë”.Nesër paradite, në orën 10.30, Papa do të kryesojë Meshën Shenjte në tremen e Bazilikës së Vatikanit. Është kulmi i Ditës botërore të familjes, në Vitin e Fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.