Papa: lufta e të krishterit kundër së keqes bëhet edhe duke rrëfyer me sinqeritet
mëkatet
Sakramenti i Pajtimit ishte qendra e homelisë së Papës Françesku, në meshën e sotme,
kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Duhet guxim para rrëfyestarit
e mëkatet duhen quajtur me emrin e tyre, pa i fshehur, nënvizoi Ati i Shenjtë. Rrëfimi
është takim me dashurinë e Jezusit, por ka nevojë për një zemër të sinqertë e për
çiltërsinë e fëmijëve, duke konsideruar hir të Tënzot turpin, që na zë kur e kuptojmë
mëkatin, sepse vetëm kështu e ndjejmë faljen e Hyjit. Në Letrën drejtuar Romakëve,
Shën Pali Apostull pohon publikisht para bashkësisë se në trupin e tij nuk banon e
mira. Thotë se është “skllav”, që nuk vepron mirë, siç do të kishte dashur, por bën
keq, siç nuk do. Kështu është për çdo të krishterë, vërejti Papa, kur do të bëjë mirë,
e ka të keqen afër: “E kjo është lufta e të krishterëve. Është lufta e përditshme.
E ne nuk kemi gjithnjë guxim të flasim si Shën Pali për këtë luftë. Kërkojmë gjithnjë
udhën e justifikimit: ‘Epo, jemi të gjithë mëkatarë’. Kështu themi, apo jo? Por Shën
Pali pohon dramatikisht: kjo është lufta jonë. E nëse nuk e kuptojmë këtë, kurrë s’do
ta kuptojmë as faljen e Zotit. Sepse, nëse mëkati është vetëm fjalë, sa për të thënë,
nuk kemi nevojë për faljen e Hyjit. Por nëse është realitet, që na skllavëron, kemi
nevojë për këtë çlirim të brendshëm, për atë forcë, që na e jep vetëm Zoti. Edhe më
i rëndësishëm është fakti që Shën Pali, për të gjetur udhëdaljen nga mëkati, ia rrëfen
atë dhe prirjen drejt mëkatit gjithë bashkësisë. Nuk e fsheh”. E pikërisht,
këtë kërkon Kisha nga ne të gjithë, vijoi Papa Françesku, t’i rrëfejmë mëkatet me
përvuajtëri, por jo për reklamë, për të thënë sa të krishterë të mirë jemi, por për
lavdi të Zotit, duke e kuptuar se është hiri i Tënzot që na shëlbon. Prandaj shkojmë
tek vëllai ynë meshtar, i cili është ndërmjetësi ynë me Hyjin e Gjithpushtetshëm: “Disa
thonë: ‘Eh, unë i rrëfehem vetëm Zotit’. Fare e lehtë, njësoj sikur të rrëfeheshim
përmes e-mailit, apo jo? Zoti është atje larg, unë i them disa gjëra, nuk e shoh e
as më sheh në sy. Shën Pali i pranon dobësitë e tij para vëllezërve, ballë për ballë.
Të tjerë thonë: ‘Jo, unë shkoj të rrëfehem’, por flasin për gjëra kaq të përgjithshme,
krejt puplake, pa qenë aspak konkretë. Është njësoj sikur të mos shkosh për t’u rrëfyer.
Rrëfimi i mëkateve nuk është seancë tek psikologu e as torturë, por është e nevojshme
t’i themi Zotit ‘o Atë, kam mëkatuar’. E duke ia thënë përmes vëllait meshtar, fjalët
bëhen konkrete. ‘Jam mëkatar për këtë, për atë e për atë tjetrën’”. Rruga është
një e vetme e nuk ka tjetër, theksoi Ati i Shenjtë. Duhet të jemi konkretë, të ndershëm
e të aftë të turpërohemi sinqerisht nga gabimet tona. Kjo sjell faljen e Zotit e na
bën edhe ne ta ndjejmë deri në thellësitë e shpirtit dashurinë e Hyjit. E këtu, Papa
dha shembullin e fëmijëve: “Të vegjlit e kanë këtë urti: kur një fëmijë shkon
për t’u rrëfyer, nuk thotë kurrë gjëra të përgjithshme. ‘O Atë, i kam bërë këtë e
këtë tezes, atë tjetrin e kam sharë me këtë fjalë’ dhe, të thonë fjalën. Janë konkretë,
e thonë të vërtetën me thjeshtësi. Ndërsa ne kemi prirjen ta fshehim realitetin e
mjerimeve tona. Por, ka diçka të bukur: kur i rrëfejmë mëkatet, ashtu siç janë, në
praninë e Zotit, gjithmonë e ndjejmë hirin e turpit. Turpi para Hyjit është hir… Le
të mendojmë për shën Pjetrin kur, pas mrekullisë së Jezusit në liqen, i tha: “largohu
prej meje, se unë jam mëkatar’. I vinte turp për mëkatet e veta, para shenjtërisë
së Jezu Krishtit”.