2013-10-25 13:55:25

Ipeshkvinj për të shërbyer, jo për pushtet


Dje Papa Françesku kryesoi kremtimin e meshës për shugurimin ipeshkvor të Nuncit Apostolik në Ganë, Imz. Jean-Marie Speich (Zhan Mari Spaih) dhe Kryetarit të Akademisë Papnore Imz. Giampiero Gloder (Xhampiero Gloder). Papa lexoi tekstin e homelisë rituale, të parashikuar në Librin e Kremtimeve Papnore Romake për ritin e shugurimit ipeshkvor, dhe shtoi vetëm disa mendime plotësuese. Duke ndjekur tekstin e ritualit, Papa shprehu këto mendime mbi përgjegjësinë e lartë kishtare që u besohet dy ipeshkvinjve të rinj:
“Zoti ynë Jezu Krishti, sikurse ishte i dërguar nga Ati për të shpëtuar njerëzit, dërgoi edhe ai në botë dymbëdhjetë apostujt, që, plot me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, për t’u shpallur Ungjillin të gjithë popujve, duke i mbledhur nën një bari të vetëm, për t’i shenjtëruar e për t’i udhëhiqur drejt shpëtimit. Për ta përjetësuar nga brezi në brez këtë shërbesë apostolike, dymbëdhjetë apostujt mblodhën bashkëpunëtorë dhe u përçuan, përmes vendosjes së duarve mbi kokë, dhuratën e Shpirtit të marrë nga Krishti, që dikon plotësinë e sakramentit të Urdhërit të Shenjtë. Kështu, përmes vijimësisë së pandërprerë të ipeshkvinjve, në traditën e gjallë të Kishës është ruajtur kjo shërbesë parësore dhe vepra e Shpëtimtarit vijon e zhvillohet deri në ditët tona. Tek ipeshkvi, i rrethuar me presbiterin e vet, është i pranishëm mes jush vetë Zoti ynë Jezu Krishti, Kryeprift në amshim. Ai që u shpall ungjillin e shpëtimit besimtarëve dhe i shenjtëron me sakramentin e fesë, është Krishti.
Është Krishti ai që, nëpërmjet atësisë së ipeshkvit, e rrit trupin e vet, që është kisha, me gjymtyrë të reja. Është Krishti ai që, nëpërmjet dijes e urtisë së ipeshkvit, udhëheq popullin e Hyjit në shtegtimin tokësor deri në lumturinë e amshuar. Pranojini, pra, me gëzim e mirënjohje këta vëllezër, që ne ipeshkvinjtë i bëjmë anëtarë të Kolegjit ipeshkvor, me anë të vendosjes së duarve mbi kokë. Jepuni nderin që u takon ministrave të Krishtit dhe shpërndarësve të mistereve të Hyjit, të cilëve u është besuar dëshmia e Ungjillit dhe shërbesa e Shpirtit të Shenjtë për shenjtërim. Kujtoni fjalët që Jezusi u tha apostujve: ‘Kush ju dëgjon ju, më dëgjon Mua; kush ju përçmon ju, më përçmon Mua e kush më përçmon Mua, përçmon Atë që më ka dërguar’”.
Pastaj Papa vijoi: “Ndërsa ju, Jean Marie e Giampiero, të zgjedhur nga Zoti, mendoni se jeni zgjedhur mes njerëzve e për njerëzit, jeni caktuar për gjërat që kanë të bëjnë me Hyjin. “Ipeshkvi” është emri i shërbimit, jo i nderimit. Ipeshkvit i takon më shumë shërbimi sesa pushteti, sipas urdhrit të Mësuesit: ‘Kush është më i madh ndër ju, të bëhet si më i vogli, e ai që drejton, si ai që shërben’”. Pastaj shtoi pa letër: “Gjithnjë në shërbim, gjithnjë në shërbim”.
Në vijim lexoi homelinë e ritualit: “Shpallni Fjalën në çdo rrethanë, me vend e pa vend. Paralajmëroni, qortoni, nxitni me zemërgjerësi e udhëzime. Nëpërmjet lutjes dhe kushtimit të flisë për popullin tuaj, merrni nga plotësia e shenjtërisë së Krishtit pasurinë e shumëtrajtshme të hirit hyjnor”.
Pastaj vijoi pa letër: “Nëpërmjet lutjeve. Kujtoni atë përplasjen e parë në Kishën e Jeruzalemit, kur ipeshkvinjtë kishin shumë punë për t’u kujdesur për të vejat, jetimët, dhe vendosën të emërojnë diakonët. Pse? Për t’u lutur e për të predikuar Fjalën. Një ipeshkëv që nuk lutet është gjysmë ipeshkëv. E nëse nuk lutet, Zoti përfundon në kotësitë e botës.”
E homelia rituale vijon: “Në kishën, që ju është besuar juve, të jeni kujdestarë besnikë dhe përçues të mistereve të Krishtit, të vendosur nga Ati në krye të familjes së Tij, ndiqni gjithmonë shembullin e Bariut të Mirë, që i njeh delet e veta, edhe ato e njohin e nuk ka ngurruar të japë jetën për to. Kini dashuri, kini dashuri prej ati, prej vëllai, për të gjithë ata që Hyji ju beson. Mbi të gjitha, kini dashuri për priftërinjtë dhe diakonët. Janë bashkëpunëtorët tuaj - dhe shtoi pa letër - janë të afërmit tuaj më të afërt. Mos e lini një prift kurrë të presë një audiencë. Përgjigjuni menjëherë. Rrini afër tyre”.
“Por - vijoi duke lexuar homelinë rituale - doni të varfrit, të pambrojturit dhe ata që kanë nevojë për mikpritje dhe ndihmë. Ftoni besimtarët të bashkëpunojnë në punën apostolike dhe afrohuni lirshëm me ta. Kushtojuni vëmendje atyre që nuk i përkasin vathës së vetme të Krishtit, sepse edhe ata ju janë besuar nga Zoti”. Dhe shtoi pa letër: “Lutuni shumë për ta!”. Pastaj vijoi: “Mbani mend se në Kishën katolike, të mbledhur me lidhjen e dashurisë, jeni bashkuar me kolegjin e ipeshkvinjve e duhet të mbartni mbi vete kujdeset e të gjitha Kishave, duke ndihmuar me bujari ato që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Mbani sytë hapur, me dashuri, mbi të gjithë grigjën tek e cila Shpirti i Shenjtë ju vendos për të drejtuar Kishën e Hyjit. Mbani sytë hapur në emër të Atit, shëmbëllimin e të cilit e bëni të pranishëm; në emër të Jezu Krishtit, Birit të Tij, prej të cilit jeni caktuar mësues, priftërinj e barinj. Në emër të Shpirtit të Shenjtë, që i jep jetë Kishës dhe, me forcën e tij, na mbështet në dobësi. Ashtu qoftë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.