Papa: të krishterët ta marrin seriozisht fenë e ta jetojnë atë
Të gjithë të pagëzuarit duhet të ecin në udhën e shenjtërimit të jetës e nuk mund
të jenë të krishterë gjysmakë. Kështu tha Papa Françesku, sot paradite, në meshën
e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë theksoi se sjellja
e njeriut ndryshon, kur takon Jezusin. Jetën mund ta ndajmë në para dhe pas këtij
takimi. Papa Bergolio mori shkas nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve,
ku shpjegohet pikërisht kjo logjikë: para Jezusit – pas Jezusit. Shën Pali e konsideron
jetën para takimit me Krishtin si “të fajshme”, pasi e mbrujtur me mëkat, ndërsa pas
takimit me Jezusin, jeta rikrijohet, bëhet e re: “Jemi ri-bërë
në Krishtin! Ajo që ka dikuar Krishti brenda nesh është ri-krijim: gjaku i Krishtit
na ka ri-krijuar. Është sikur të lindësh për së dyti! Nëse më parë, e gjithë jeta,
trupi ynë, shpirti ynë, sjelljet tona përshkonin udhën e mëkatit, të ligësisë, pas
këtij ri-krijimi duhet të përpiqemi të ecim në udhën e drejtësisë, të shenjtërimit.
Përdoreni këtë fjalë: shenjtëri. Të gjithë jemi pagëzuar: në atë çast, prindërit,
në emrin tonë – sepse ne ishim fëmijë – bënë një Vepër feje: ‘Besoj në Jezu Krishtin,
që na i ka falur mëkatet’. Besoj në Jezu Krishtin!” Këtë besim në Krishtin,
vazhdoi Papa, duhet ta dëshmojmë me mënyrën e jetesës, duhet të jetojmë si të krishterë,
që ri-krijohen gjithnjë nga Jezusi. E bashkë me fenë, edhe veprat, të cilat vazhdojnë
udhën e shenjtërimit të parë, që e kemi marrë përmes Pagëzimit: “Vërtet, ne
jemi të brishtë e shumë e shumë herë biem në mëkat, nuk jemi të përsosur… Po kjo sjellje,
a na çon në udhën e shenjtërimit? Po edhe jo! Nëse mësohesh: ‘Kam një jetë si të më
vijë, ama besoj në Jezu Krishtin, por jetoj si dua vetë’… Eh jo, kjo nuk të shenjtëron;
nuk shkon! Por nëse pohon: ‘Unë jam mëkatar, jam i brishtë’, por shkon gjithnjë tek
Zoti e i thua: ‘O Zot, ti ke forcë, më jep fenë! Ti mund të më shërosh!’; e nëse përmes
Sakramentit të Pajtimit shërohesh, atëherë po, edhe të metat i shërbejnë udhës së
shenjtërimit. Por gjithnjë duhet pasur parasysh: para e mbrapa takimit”. Para
se ta pranonjmë Jezu Krishtin në zemër, nënvizoi Papa Bergolio, ecim në udhën e padrejtësisë,
pastaj, marrim udhën e shenjtërimit, por duhet ta marrim shumë seriozisht. Kjo do
të thotë se, duke ecur në këtë rrugë, duhet të bëjmë vepra drejtësie, pavarësisht
se të vogla e të thjeshta. Së pari, të adhurojmë Zotin, këshilloi Ati i Shenjtë, pastaj
të bëjmë ç’na thotë Jezusi, të ndihmojmë të tjerët. Janë vepra, që i pati bërë edhe
vetë Krishti, janë vepra ri-krijimi, rilindjeje. Kur i japim për të ngrënë të uriturve
ri-zgjojmë në ta shpresën. E nëse e jetojmë fenë pa veprat, jemi të krishterë gjysmakë: “Pa
vetëdijen se ç’ndodh para dhe pas takimit me Jezusin, për të cilin na flet Shën Pali,
krishterimi nuk do t’i shërbente askujt! Madje shkon drejt udhës së hipokrizisë. ‘I
them vetes i krishterë, por jetoj si pagan!’. Nganjëherë themi “të krishterë gjysmakë”,
pasi nuk e marrin seriozisht këtë çështje. Jemi shenjtorë, të shfajësuar, të shenjtëruar
përmes gjakut të Krishtit: ec përpara në këtë shenjtëri! E në vend që ta marrë seriozisht
krishterimin, i krishteri kthehet në një besimtar të vakët: ‘Po, jo; po, jo’, nuk
merret vesh. Siç thoshin nënat tona: ‘lëng groshe..apo jo!’ Pak bojë prej të krishteri,
pak ngjyrë nga katekizmi… por brenda vetes nuk kemi kthim të vërtetë, nuk e kemi bindjen
e shën Palit: ‘Për Të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që
të fitoj Krishtin’”. Ky ishte pasioni i Shën Palit e ky duhet të jetë pasioni
i çdo të krishteri për Krishtin, tha së fundi, Papa Françesku. Duhet ta lemë mënjanë
çdo gjë që na largon nga Jezusi e ta bëjmë të re gjithçka. Kështu kanë bërë shenjtorët,
kështu bëjnë edhe sa e sa të krishterë anonimë, që e marrin seriozisht fenë e tyre.