2013-10-24 13:37:36

Ipeshkvitjë evropianë: thirrje OKB-së për mbrojtjen e pakicave fetare


“Të shqetësuar nga dhuna, që vijon, nga persekutimet e pakicave të krishtera si dhe të grupeve të tjera fetare, ipeshkvijtë evropianë hartuan një thirrje, që do të paraqitet këto ditë në takimet e rangut të lartë të OKB-së, me synim që të adoptohet një Rezolutë për mbrojtjen e pakicave fetare.
Thirrja, e rimarrë nga agjencia Sir, përmbahet në një deklaratë të përbashkët, të asamblesë plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee), mbledhur pak ditë më parë në Bratislavë dhe “Appeal of Conscience Foundation”. Kujtojmë se “Conscience Foundation” është fondacion ndërfetar, në të cilin bëjnë pjesë përfaqësues të feve të ndryshme që punojnë për të promovuar paqen, tolerancën si dhe për zgjidhjen e konflikteve etnike.
Deklarata iu dërgua edhe krerëve të kombeve të ndryshme, për t’u kërkuar që të marrin masa e të nisin aksione reale në mbrojtje të pakicave fetare, të vendeve të kultit dhe të teksteve të shenjta fetare. Dënojmë – shkruhet në deklaratë - të gjitha aktet e dhunës, kërcënimet, shkatërimet, dëmtimet e vendeve të kultit ose të teksteve të shenjta fetare të çdo lloji. U bëjmë thirrje të gjitha shteteve për parandalimin e akteve ose të kërcënimeve për ushtrimin e dhunës e i ftojmë organizatat ndërqeveritare e joqeveritare, të afta për të dhënë ndihmesën në këto përpjekje, të ndërmarrin nisma të përshtatshme, që synojnë nxitjen e respektit reciprok dhe njohjen e të drejtave të pakicave fetare.
E bëjmë sot publik këtë tekst me shpresë se së shpejti do të ketë një përgjigje pozitive, shpjegon kardinali Péter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit e kryetar i Ccee. E shton: “Sasia e madhe e njerëzve, që vuajnë për shkak të fesë së tyre, është shkandull në botën tonë moderne”. Prej këndej, në deklaratën e përbashkët, lexohet: “Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës dhe Fondacioni për thirrje drejtuar ndërgjegjes, i nxisin të gjitha shtetet, organizatat ndërqeveritare e joqeveritare si dhe mediat që të promovojnë, përmes formimit, kulturën e respektit reciprok e të tolerancës për larmitë e feve, që përfaqësojnë një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë kolektive të njerëzimit”.












All the contents on this site are copyrighted ©.