2013-10-23 14:32:39

Papa me kapelanët e burgjeve: Zoti është brenda qelive, me të burgosurit


Hyji nuk është jashtë qelive të të burgosurve, por edhe ai është brenda me ata, u tha Papa sot paradite 200 pjesëmarrësve në Kuvendimin kombëtar të kapelanëve të burgjeve, që po mbahet në Sacrofano, afër Romës, me temë: “Drejtësia: ndëshkim, apo pajtim? Të lirë për të çliruar”.
Papa Françesku falënderon me gjithë zemër kapelanët që punojnë në burgjet e të gjithë Italisë dhe u kërkon t’u përcjellin përshëndetjet e tij të gjithë të mbyllurve brenda: RealAudioMP3
“Ju lutem t’u thoni se lutem për ta, i mbaj në zemër, i lutem Zotit e Zojës që të mund ta kapërcejnë pozitivisht këtë periudhë të vështirë të jetë së tyre. Të mos ligështohen, të mos mbyllen në vetvete”.
Papa tha gjithashtu se të burgosurit duhet ta dinë se Zoti është afër tyre:
“Thoni me gjeste, me fjalë, me zemër, se Zoti nuk mbetet përjashta, nuk mbetet përjashta qelisë së tyre, nuk mbetet përjashta burgjeve, por është brenda, është aty. Mund t’u thoni kështu: Zoti është me ta brenda. Edhe ai është i burgosur, edhe sot, i burgosuri i egoizmit tonë, i sistemeve tona, i shumë padrejtësive, sepse është e lehtë të ndëshkosh më të dobëtit, por peshqit e mëdhenj notojnë të lirë nëpër ujëra. Asnjë qeli nuk është aq e izoluar, sa të përjashtojë Zotin, asnjë. Ai është aty, qan me ta, punon me ta, shpreson me ta”.
“Dashuria e tij atërore e amnore mbërrin kudo”, vijoi Papa, duke nënvizuar se lutet, që secili t’ia hapë zemrën kësaj dashure të Zotit. Kujtoi, gjithashtu, se kontaktet e tij me disa të burgosur, që vizitonte në Buenos Aires vijojnë edhe sot e kësaj dite. Merr letra prej tyre e i merr në telefon:
“Nganjëherë i marr në telefon, veçanërisht të dielën, bëj një bisedë. Kur përfundoj, mendoj: pse është aty ai e jo unë, që kam shumë më tepër arsye për të qenë aty? Të mendosh kështu, bën mirë: meqë kemi të njëjtat dobësi, pse ra ai e nuk rashë unë? Për mua ky është një mister që më bën të lutem për të burgosurit e të afrohem me ta”.
Papa Françesku lutet edhe për kapelanët, për shërbesën e tyre, “që nuk është e lehtë”, por “shumë e lodhshme dhe shumë e rëndësishme”, sepse “, shprehje e një vepre të mëshirës” dhe e bën të dukshme praninë e Hyjit nëpër burgje:
“Ju jeni shenja e afrisë së Krishtit me këta vëllezër, që kanë nevojë për shpresë. Kohët e fundit keni folur për drejtësinë e pajtimit, por edhe për drejtësinë e shpresës, të portave të hapura, të horizonteve. Kjo nuk është utopi, mund të bëhet. Nuk është e lehtë, sepse kemi dobësi gjithandej, edhe djalli është gjithandej, tundimet gjenden gjithandej, por duhet të orvatemi gjithmonë”.
Në fund Ati i Shenjtë ia drejtoi lutjen Zojës; Ajo – kujtoi – është Nëna e të gjithë të burgosurve.
Gjatë këtyre muajve të parë të papnimit, Papa Françesku ka marrë më se 500 letra nga të burgosurit italianë. Kapelanët e burgjeve janë 233, për 64.000 të burgosur gjithsej, pa llogaritur ata që janë në arrest shtëpie. Në fund kapelanët i dhuruan Papës një çantë udhëtimi, që kanë bërë për të gratë e burgut të Rebibias.








All the contents on this site are copyrighted ©.