2013-10-23 16:24:37

Këshilli Papnor për Punëtorët e Shëndetësisë shtegton në Tokën e Shenjtë


Këshilli Papnor për Punëtorët e Shëndetësisë gjendet në Tokën e Shenjtë, për shtegtim. Një grup prej 80 vetash, anëtarë të personelit, që përfshin rregulltarë e punëtorë të shëndetësisë, i udhëhequr nga Imzot Zhan-Mari Mupendavatu, me ndihmën e Nënsekretarit, Atë Augusto Chendi, gjendet tashmë atje dhe pret të mbërrijë, të premten e ardhshme, kryetarit i këtij dikasteri, Arqipeshkvit Zigmund Zimovski.
Shtegtarët kanë shkuar në Izrael të hënën dhe janë lutur në malin Karmel, në Malin e Lumturive, në Kafarnaum, Tabgha, Kanë e Nazaret, ku kanë kremtuar meshën e shenjtë, në bazilikën e Lajmërimit, dhe kanë vizituar spitalin Fatebenefratelli. Pastaj kanë vizituar Kibucin ‘Ein Gev’ në Liqenin e Tiberiadit.
Në ditët e ardhshme itinerari përfshin vizitën e vendeve të shenjta në Betlehem, në lumin Jordan e Jeruzalem. Ditën e fundit, të dielën, parashikohet të marrin pjesë në kremtimin solemn të Zojës Mbretëreshë të Palestinës në Deir Rafat.
Shtegtimi i Këshillit Papnor për Punëtorët e Shëndetësisë organizohet edhe në përgatitje të edicionit solemn të Ditës Botërore të të sëmurit, që do të kremtohet në 2016 në Nazaret, me temën: “Të lëshohemi në dorë të Jezusit si Maria: ‘Bëni çfarë t’ju thotë!’” (Gj 2,5).








All the contents on this site are copyrighted ©.