2013-10-23 16:24:23

Imzot Palja: të drejtat individuale të ekzagjeruara e shkatërrojnë familjen


Filloi sot e do të vazhdojë deri më 25 tetor në Romë, asambleja e përgjithshme e Këshillit Papnor për Familjen. Tri ditë studimi e debati në 30-vjetorin e Kartës së të Drejtave të Familjes, publikuar nga dikasteri vatikanas. Nesër, salla e takimit në “Domus Pacis” hapet për publikun me diskutime mbi temën “Horizontet e reja antropologjike dhe të drejtat e familjes”. Të shtunën e të dielën, shtegtimi ndërkombëtar i familjeve në Varrin e Shën Pjetrit, që do të kurorëzohet me meshën e kremtuar nga Papa Françesku. Ftuam në mikrofonin tonë kreun e Këshillit Papnor për Familjen, imzot Vinçenc Palja, të cilin e pyetëm nëse Karta për Familjen duhet mbrojtur e vlerësuar, apo duhet rishikuar pas 30 vjetësh:RealAudioMP3
Pikë së pari, duhet mbrojtur e vlerësuar. Të mos harrojmë se familja, si subjekt juridik, mbijeton prej shekujsh e nuk ka lindur dje, as para njëqind vjetëve. Karakterizohet nga një përmasë, që e ka bërë familjen vendin e parë, ku mësojmë të rrimë së bashku: kjo është e para “ne”, pra, fillojmë e flasim në shumës. Nënvizimi i subjektivitetit të familjes ka ardhur më vonë, në kohën kur zhvillimi ka vënë në qendër të shoqërive të drejtat individuale, të cilat, pa dyshim, janë të shenjta, por nuk duhen ngritur në qiell kundër asaj “ne”-së, që karakterizon familjen. Në këto 30 vjet, kanë ndryshuar shumë gjëra, në shoqëri, në kulturë e në fusha të tjera. S’ka dyshim se, megjithë nevojën për ndryshime edhe në Kartë, mbetet thelbi i saj, njohja e familjes si subjekt bazë i shoqërisë, me vlerat, me të drejtat e me detyrat e veta.
Kohët e fundit, idetë mbi një familje krejtësisht të tjetërsuar nga qeliza e bashkëshortëve, që rrisin fëmijë, po zënë vend edhe në dokumente ndërkombëtare…
Do të thosha se duhet të reflektojmë për këtë: jemi përpara ngritjes në qiell të “unë”-it, të individit e, kjo po e shkatërron familjen. Kjo sjell edhe shkatërrimin e shumë formave të tjera të shoqërizimit. Nuk është e rastit që janë në krizë shoqëritë e qyteteve, shoqëritë e kombeve, partitë e shumë forma të tjera shoqërizimi. Pse? Sepse identiteti vetjak, “unë”-i, bëhet një lloj idhulli, para të cilit duhet të përkulen të gjithë: në këtë elter flijohet gjithçka. Gjatë viteve te fundit po shtohen familjet me një person të vetëm, konsideruar “familje” edhe nga gjendja civile. Pra, kemi arritur në një pikë të tillë, sa refuzimi i martesës dhe i familjes nuk çon drejt zhvillimit të formave të tjera si bashkëjetesa, për shembull, por drejt një shoqërie pa familje, në të cilën çdo lidhje konsiderohet një peshë kaq e rëndë, sa është më mirë të jetohet vetëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.