2013-10-23 16:01:42

Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme uron që Kisha t’i sjellë Krishtin botës, përndryshe, do të ishte agjenci humanitare.


Maria solli në botë Jezusin, dashurinë e tij: këtë duhet të bëjë edhe Kisha, përndryshe katandiset në agjenci humanitare. Kështu u shpreh Papa Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 100 mijë vetëve. Papa e paraqiti Marinë si model feje, dashurie, bashkimi me Krishtin dhe përfundoi me ftesën për ta thënë Rruzaren, duke iu lutur Zotit për paqen në botë. RealAudioMP3

Ose sjell Jezusin në botë, njëherësh me gëzimin e Tij, me dashurinë e Tij të pakufishme, ose, me të mirën, që mund të bëjë, do t’i ngjante një organizate bamirëse jo qeveritare. Por kështu, si Kishë, do të vdiste. Alergjik ndaj fjalëve gjysmake, sipas stilit të tij të mirënjohur tashmë, Papa Françesku u tërhoqi drejtpërdrejt vëmendjen të krishterëve. Modeli juaj, pohoi, është Maria, e s’ka rrugë tjetër... Maria është model i fesë, model i dashurisë së krishterë, model i bashkimit me Krishtin. Shembull i lartë, natyrisht, por, vërejti në vijim Papa, është gabim të mendosh se Maria ndryshon shumë nga ne, se është model i paarritshëm. Ajo, vijoi Ati i Shenjtë, i tha ‘po’ Zotit në thjeshtësinë e saj, e zënë, siç ishte, me njëmijë punë e shqetësime, që ka çdo nënë. E qysh në ditët e para të amësisë, nuk e kurseu vetveten por, me Jezusin në kraharor, ngarendi të ndihmonte të kushërirën, Elizabetën:
“Kjo është Kisha: nuk mbart vetveten, qoftë e vogël, e madhe, e fortë a e ligshtë, Kisha mbart Jezusin. Kisha duhet të jetë si Maria, kur shkoi - e dëgjuam nga Ungjilli – kur shkoi t’i bëjë vizitë Elizabetës. Çfarë sillte me vete Maria? Jezusin! E Kisha sjell Jezusin! E kjo është qendra e Kishës, eh? Të mbartë e të sjellë Jezusin. E nëse, hamendje kjo, ndonjë herë do të ndodhte që Kisha të mos e sillte Jezusin, kjo do të ishte Kishë e vdekur. Kuptuat? Duhet ta mbartë Jezusin! E duhet të sjellë dashurinë e Jezusit, forcën e Jezusit”.
Pas çdo pohimi, që tregon si duhet të jemi, Papa Françesku vijon pothuajse gjithnjë me disa pyetje, të cilat e vënë shpirtin kundër dritës, që të mund ta vlerësojë më mirë vetveten. Si është dashuria jonë? - i pyeti Papa rreth 100 mijë vetët, që e rrethonin në audiencë. Është e fortë, apo është si vera e holluar me ujë, dashuri që bazohet mbi simpatitë, që kërkon përgjigje me dashuri. Me dy fjalë, dashuri me interes:
“Një pyetje: Jezusit i pëlqen dashuria me interes, apo nuk i pëlqen? I pëlqen? Nuk jeni plotësisht të bindur, apo jo? I pëlqen, a nuk i pëlqen? Nuk i pëlqen! Dashuria duhet të jetë pa kurrfarë interesi, siç ishte dashuria e Zotit. Si janë marrëdhëniet në famullitë tona, në bashkësitë tona? A sillemi me njëri-tjetrin si vëllezër e motra? Apo e gjykojmë njëri-tjetrin, e shpërrallojmë njëri tjetrin? Por unë kam dëgjuar se këtu, në Romë, askush nuk flet keq për tjetrin. E vërtetë kjo? Nuk e di. Gjithsesi, e besoj”.
Në se në fillim të katekizmit, duke kujtuar shembullin e fesë së Marisë, Papa Françesku nënvizoi ‘po’- në e përkryer të Zojës së Bekuar që, tek këmbët e kryqit, e bëri nënë të njerëzimit, duke përkufizuar aftësinë e saj për t’u bashkuar me Krishtin, pohoi se kulmi i këtij bashkimi arrihet pikërisht në majë të Kalvarit:
Zoja e bëri të veten dhimbjen e të Birit dhe e pranoi, bashkë me Të, vullnetin e Atit, me atë bindje, që sjell frytin, që sjell fitoren e vërtetë mbi të keqen e mbi vdekjen. Shumë i bukur ky realitet, që na e mëson Maria; të jemi gjithnjë të bashkuar me Jezusin (...). T’i lutemi Zotit që Maria të na dhurojë hirin e Saj, forcën e Saj, që në jetën tonë e në jetën e të gjitha bashkësive kishtare Maria, Nëna e Kishës, të shikohet e të ndiqet si model”.
Pas përmbledhjes së katekizmit në shtatë gjuhët kryesore të botës, Papa Françesku u drejtoi përshëndetjet e tij të përzemërta grupeve të shumta, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit. Në mënyrë të posaçme i porositi të gjithë besimtarët që, gjatë muajit tetor, ta thonë Rruzaren, mundësisht në familje, duke iu lutur Zotit për paqen në botë edhe për rikthimin e vlerave ungjillore ndërmjet njerëzve.
E, në përfundim, duke iu drejtuar të rinjve e të sëmurëve, theksoi:
“Të dashur të rinj, (...), jini dëshmitarë të guximshëm të fesë së krishterë;
të dashur të sëmurë, ofrojeni kryqin tuaj të përditshën për kthimin e të largëtve në dritën e Ungjillit”.











All the contents on this site are copyrighted ©.