Gjatë shtegtimit të tij në Shqipëri, Papa Gjon Pali II foli disa fjalë e fraza në
gjuhën shqipe, sigurisht shumë më tepër sesa përmbajnë të tre dokumentet e para të
shqipes së shkruar. Ndonëse poliglot i mirënjohur, që i bënte menjëherë të vetat gjuhët
kryesore të botës, me dy prej tyre nuk e pati aspak të lehtë: me gjuhën hungareze
dhe me atë shqipe. Kishte vështirësi posaçërisht për shqiptimin e bashkëtingëlloreve
të dyfishta, të ‘th’-së për shembull. Megjithatë, provoi e ia doli mbanesh t’i linte
trashëgim popullit shqiptar disa nga urimet më të përzemërta, që i janë drejtuar ndonjëherë,
duke nisur nga urimet e përvitshme për Pashkë e për Krishtlindje, formuluar gjithnjë
në formën: “Për shumë vjet Pashkët” dhe “Për shumë vjet Krishtlindjen”. Ja disa
prej shprehjeve përshëndetëse e uruese shqip, gjatë shtegtimit të Papës Vojtila në
Shqipëri: Fjala e tij e parë drejtuar shqiptarëve niste me përshëndetjen shqip:“Zoti
President! Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe të Parlamentit! Të nderuar
vëllezër Ipeshkvij! Anëtarë të shquar të Trupit Diplomatik!Vëllezër e motra
shqiptarë, fort të dashur!”. Kjo në fillim të fjalimit, ndërsa në fund, “Edhe
një herë ju përshëndes me gjithë zemër”. Në Shkodër, pastaj, në homelinë e
Meshës më të jashtëzakonshme, përjetuar ndonjëherë nga Katedralja e qytetit të Veriut,
që provoi jo pak trandje historike: “Vëllezër e motra, qoftë lëvduar Jezu Krishti!”. Në
përfundim: “Vëllezër e motra! Me të vërtetë kjo është dita e falur prej Zotit:
të ngazëllohemi dhe të gëzohemi në të. Amen!”. Në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore,
drejtuar nga ballkoni i kryeipeshkvisë popullit të martirizuar të Shkodrës, që e ndiqte
në ekstazë, urata zhgjetore, që mund e duhet ta përsërisë çdo i krishterë shqiptar:
“O Zoja e Shkodrës, Pajtorja e popullit shqiptar, lutu për ne!”.
Së
fundi, në përshëndetjen e lamtumirës, Fjala e Gjon Palit II në gjuhën shqipe, drejtuar
mbarë popullit shqiptar: “Vëllezër e motra shqiptarë: ju pëshëndes përzemërsisht!”.Në
përfundim të vizitës: “Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat!”.
Nuk duhen harruar, pastaj, edhe përshëndetjet e vazhdueshme drejtuar shtegtarëve
shqiptarë, gjatë audiencave të ndryshme, kur gardhi i hekurt ra e më në fund shumë
besimtarë e jo besimtarë, më veti e me grupe, të shoqëruar edhe nga ipeshkvijtë e
tyre, nisën të ndjekin në Sheshin e Shën Pjetrit e në Sallën e Palit VI, audiencat
e Gjon Palit II, ëndërruar aq shumë gjatë viteve të ngujimit e të izolimit nga mbarë
bota. Nuk mund të mos kujtojmë këtu shtegtimin e madh në Gjenacan, më 27. 05. 1995
dhe pritjen e përzemërt që u bëri Papa shtegtarëve në Vatikan. Kujtime të paharrueshme,
të shpërndara në shiritat e arkivit të Radio Vatikanit e të Programit Shqip pranë
kësaj Radio, Radio e Papës! Të cilat po i përfundojmë me bekimin e Gjon Palit II,
në Sallën Klementina, në Vatikan, drejtuar shtegtarëve, që kishin ardhur për t’u takuar
me Pajtoren e tyre, Zojën e Këshillit të Mirë e me Papën: “Zoti e ruajtë
Atdheun tuaj. Zoti e mbrojtë popullin shqiptar në mbarë botën!”.