2013-10-22 14:45:41

Intervista e Papa Françeskut me atë Spadaron - Shoqëria e Jezusit


Shoqëria e Jezusit
Përzgjedhja, pra, është njëra nga shtyllat e përshpirtërisë së Papës. Me anë të saj shprehet në mënyrë të veçantë identiteti i tij prej jezuiti. Atëherë e pyes si mendon se mund t’i shërbejë sot Kishës Shoqëria e Jezusit, cila është veçantia e saj, por edhe rreziqet e mundshme që i dalin.
“Shoqëria është një institucion në tension, gjithmonë rrënjësisht në tension. Jezuiti është njeri i shmangur nga qendra. Vetë Shoqëria është e shmangur nga qendra: qendra e saj është Krishti dhe Kisha e tij. Pra, nëse Shoqëria mban në qendër Krishtin dhe Kishën, ka dy pikat e referimi themelore që i duhen për të jetuar në periferi, duke ruajtur baraspeshën. Nëse, përkundër, e ruan veten së tepërmi dhe vihet vetë në qendër si strukturë e fortë, e betonuar, atëherë rrezikon të ndjehet e sigurt dhe e kënaqur. Shoqëria duhet të ketë gjithmonë para vetes Deus semper maior, kërkimin e lavdisë së Hyjit, që është përherë më i madh, Kishën, nusen e vërtetë të Krishtit, Zotit tonë, Krishtin Mbret, që na bën për vete dhe të cilit i kushtojmë krejt veten tonë e krejt mundin tonë, edhe pse jemi enë balte, të papërshtatshëm. Ky tension na çon gjithmonë jashtë vetvetes. Instrumenti, që e bën vërtet të fortë Shoqërinë e shmangur nga qendra, është, pastaj, njëherësh instrumenti atëror e vëllazëror i “përgjigjes ndaj ndërgjegjes”, pikërisht sepse e ndihmon të dalë më lehtë në mision”.
Këtu Papa i referohet një pike specifike të Statuteve të Shoqërisë së Jezusit, ku lexohet se jezuiti duhet “ta shfaqë ndërgjegjen e vet”, pra gjendjen e vet shpirtërore, në mënyrë që eprori të mund të jetë më i vetëdijshëm dhe i kujdesshëm kur dërgon dikë në mision.
“Por është e vështirë të flasësh për Shoqërinë - vijon Papa Françesku. Nëse shtjellon tepër, rrezikon të krijosh keqkuptime. Për shoqërinë mund të flitet vetëm në mënyrë tregimtare. Vetëm gjatë procesit të tregimit mund të bëhet përzgjedhja, jo me anë të shpjegimit filozofik a teologjik, që, nga ana tjetër, shërben për të diskutuar. Stili i Shoqërisë nuk është ai i diskutimit, por ai i përzgjedhjes, që, sigurisht, e parashikon diskutimin, gjatë këtij procesi. Përhitja mistike nuk i pret kurrë si me thikë skajet e veta, nuk e mbaron mendimin. Jezuiti duhet të jetë njeri me mendim të pambaruar, me mendim të hapur. Ka pasur periudha në të cilat në Shoqëri është jetuar me mendim të mbyllur, të ngurtë, më tepër arsimor-asketik sesa mistik: ky shtrembërim ka sjellë atë që quhet Epitome Instituti”.
Këtu Papa i referohet një lloj doracaku praktik, që përdorej në Shoqëri. Ishte formuluar në shekullin XX dhe shihej si një zëvendësim i Statuteve, të cilët, përkundrazi, janë teksti themeltar. Sipas Papës, gjatë kësaj periudhe, në Shoqëri rregullat kanë rrezikuar t’ia zënë frymën shpirtit dhe ka mbizotëruar tundimi për ta shtjelluar e deklaruar tepër karizmën.
Vijon Papa: “Jo, jezuiti mendon përherë, vijimisht, duke parë horizontin drejt të cilit duhet të shkojë, duke mbajtur Krishtin në qendër. Kjo është forca e tij e vërtetë. Kjo e ngacmon Shoqërinë, që të jetë në kërkim, krijuese dhe bujare. Pra, sot më shumë se kurrë, duhet të jetë kundruese në veprim; duhet të jetojë thellësisht afër me të gjithë Kishën, të kuptuar si “populli i Hyjit” dhe “shenjtja nënë Kishë hierarkike”. Kjo kërkon shumë përvujtëri, flijim, guxim, veçanërisht kur ka keqkuptime, apo kur rrezikon të të keqkuptojnë e të shpifin për ty, por është qëndrimi më i begatshëm. Të marrim me mend tensionet e kaluara mbi ritet kineze, mbi ritet malabareze, për reduktimet në Paraguaj”.
“Unë jam vetë dëshmitar i keqkuptimeve e problemeve, që ka përjetuar Shoqëria edhe së voni. Ndër to ishin edhe kohët e vështira kur u mor në shqyrtim çështja e përfshirjes së të gjithë jezuitëve nën “kushtin e katërt” të bindjes ndaj Papës. Ajo që më jepte siguri, në kohën e Atë Arrupes, ishte fakti se ai ishte njeri i lutjes, një njeri që kalonte shumë kohë në lutje. Më kujtohet kur lutej i ulur përtokë, si japonezët. Prandaj mbajti qëndrimin e duhur e mori vendime të drejta".








All the contents on this site are copyrighted ©.