2013-10-22 14:42:52

Fjalimi programatik i Papës Gjon Pali II në Tiranë për të kujtuar të Lumin Karol Vojtila, në festën e tij liturgjike


Kisha kremton sot festën liturgjike të të Lumit Gjon Pali II, i cili këtë vit do të kishte arritur në përvjetorin e 35-të të papnisë. Tejet i rëndësishëm për popullin shqiptar, si i vetmi Papë që pati shtegtuar në Shqipëri, më 25 prill 1993, pikërisht para 20 vjetësh, Gjon Pali II do të shpallet shenjt në prill të vitit të ardhshëm.
Nga katolikët, askush nuk e ka harruar ditën e vetme, që Ati i Shenjtë e pati kaluar mes Shkodrës e Tiranës, duke i dhënë Kishës hierarkinë e saj të parë pas komunizmit. Askush nuk i ka harruar fjalët që tha, duke prekur një e nga një plagët e zemrës së çdo shqiptari, duke iu drejtuar ipeshkvijve të saposhuguruar, por edhe meshtarëve, murgeshave e laikëve të persekutuar nga komunizmi, duke folur për Nënë Terezën, edhe ajo e pranishme atë ditë mes popullit të vet, duke lavdëruar ngrohtësinë e mikpritjes e duke u larguar për në Romë, i prekur thellë nga gjithçka pa e dëgjoi. Emblematik, fjalimi drejtuar krejt popullit shqiptar, nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, para largimit.RealAudioMP3
“Erdha mes jush – pati thënë Gjon Pali II - …për t’u dëshmuar besimtarëve shqiptarë, prej shumë kohësh të munduar, solidaritetin e gjithë bashkëvëllezërve të të njëjtit besim… për t’u shprehur nderimin tim vëllazëror edhe bashkësive të ndryshme fetare, të cilat bashkëjetojnë këtu prej shekujsh… për t’i shfaqur çdo shqiptari admirimin dhe mbështetjen në këtë fazë delikate tranzicioni historik”.
Ishte Pasardhësi i Shën Pjetrit, që vinte këmbë në truallin shqiptar e puthte dheun e kësaj toke të mbrujtur me gjak. Vinte, aty ku Kisha ishte mbajtur gjallë në shpirtin e njerëzve, shpesh të gatshëm të provonin burgun e torturat dhe, edhe vdekjen, për të mos mohuar fenë e të parëve, për të mos mohuar Krishtin. Papa Gjon Pali II ia kujtoi këtë trimëri popullit shqiptar, njohu tmerrin e mbjellë nga komunizmi në punën këmbëngulëse për të fshirë, edhe nga mendja, çdo grimcë lirie. Pyeste i Lumi i ardhshëm:
“A ka gjë më të rëndë se sa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe a nuk u dënuan deri me vdekje priftërinjtë vetëm pse guxuan të ushtronin ritet fetare? A nuk u persekutuan besimtarët, duke u burgosur ose fyer me të gjitha mënyrat?”
I vinte natyrshëm Papës paralelizmi me katakombet e para të krishtera dhe me arenat, ku dëshmitarët e Krishtit hidheshin për t’u shqyer nga bishat. “Këtu – vërejti Gjon Pali II para shqiptarëve, që e kishin mbushur plot si asnjëherë sheshin Skënderbej – shteti është përpjekur të shuajë çdo shprehje fetare, në emër të ateizmit radikal”. I Lumi Karol Vojtila, që e kishte provuar vetë komunizmin, nuk mungoi t’i quajë gjërat me emrin e tyre, duke e akuzuar haptas diktaturën e Enver Hoxhës se, me pretekstin e krijimit të kushedi ç’ “Parajse mbi Tokë”, i mohoi njeriut forcën e lidhjes me Qiellin, me Krishtin, duke e parë si dobësi të pandershme e si shqetësim atë, që pavarësisht nga shtypja, nuk lejoi që shqiptarët të humbisnin në anonimatin kolektiv. E Papa dha një këshillë, që vlen edhe sot:
“Drama juaj, shqiptarë të dashur, zgjon interesimin e gjithë kontinentit evropian dhe është e dosmodoshme që Evropa mos t’ju harrojë. Dhe në fakt, ky duhet të jetë pikësynimi sot, të kthejë shpejt fletën, për të shikuar përpara… por me një kusht, që të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluarën. Ky është kusht i domosdoshëm për të mos u rikthyer tek të njëjtat gabime të vajtueshme dhe është shtegu më i mirë për një proces pajtimi të vërtetë”.
Kushedi nëse e ka parasysh këtë kusht Brukseli dhe vetë politikanët shqiptarë, ndërsa rrahin gjoksin për kandidaturën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian e ndërsa flasin për hapje dosjesh, apo kur përpiqen të rishkruajnë historinë!?. Papa Gjon Pali II pati thënë se kjo, që ndodhi me popullin shqiptar, është mrekulli e Zotit jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë, pasi liria fetare është themeli i garancisë për çdo liri:
“Nga një liri e tillë, e trajtuar siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror. Besimi i çiltër, në të vërtetë, nuk i përçan njerëzit, por përkundrazi, i bashkon… Feja është kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe kontribut vendimtar për një vëllazërim human. Liria e vërtetë fetare u shpëton ngacmimeve të intolerancës dhe të sektarizmit”.
Nga sheshi Skënderbej, para monumentit të Heroit kombëtar, vlerësuar nga të gjithë papët e Romës si “Atlet i Krishtit”, i Lumi Vojtila ngriti lart bashkëjetesën ndërmjet feve në Shqipëri. “Duhet mësuar arti i dialogut dhe i të dëgjuarit – pati thënë, duke komentuar edhe problemet shoqërore e nacionalizmin intolerant – qoftë edhe kur ky art është i mundimshëm. Ky është çmimi i lirisë, kjo është e fshehta e përparimit të vërtetë moral e qytetar”. E me thirrjen “Shqipëri, qëndro në lartësinë e kësaj beteje të madhe”, Papa Gjon Pali II përvijoi udhën jo të lehtë të popullit shqiptar. Fjalë, që për ironi të fatit, duket sikur janë thënë sot, pasi akoma të paplotësuara e të pazbatuara:
“Në përpjekjen për rimëkëmbjen ekonomike, është e domosdoshme që të gjithëve t’u garantohet puna…e kësaj t’i bashkohet edhe vullneti për ta konsoliduar demokracinë. Kjo nuk arrihet pa çmuar siç duhet disa vlera thelbësore, duke filluar së pari, nga dinjiteti i jetës njerëzore… Krijimi i një shoqërie demokratike nuk bëhet menjëherë, me një të thënë. Kjo kërkon kujdes të përditshëm dhe gatishmëri për bashkëpunim. Askujt nuk i falet të rrijë mënjanë e të sodisë”.
Edhe Kisha do të japë kontributin e saj, pati nënvizuar Papa, me institucionet e veta, me punën për krijimin e një humanizmi të vërtetë, duke e parë njeriun në të gjitha përmasat e duke e vendosur në qendër të çdo projekti ekonomik, shoqëror dhe politik. Njohja e vlerës së dinjitetit të njeriut, u pati thënë i Lumi Gjon Pali II shqiptarëve të uritur të 1993-shit, do ta ndihmojë edhe ekonominë të gjejë ekuilibrin e drejtë ndërmjet fitimit dhe solidaritetit, me synim të mirën e përbashkët. E kemi përmendur shpesh në emisionet tona, por si të mos e vemë në dukje edhe sot, programin e së ardhmes, që Karol Vojtila i la popullit shqiptar, duke i kujtuar vlerat karakteristike të shpirtit të tij:
“Ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjellë farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë, gjithmonë në roje të lirisë, në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. Le t’i ndrisë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë, që e dallojnë popullin tuaj, veti këto, që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare. Le ta ushqejë guximin tënd feja e besimtarëve të tu në një Zot të vetëm…”.
E Papa nuk mungoi t’u linte shqiptarëve shembullin për t’u ndjekur, para se t’i përshëndeste të gjithë, t’i bënte thirrje bashkësisë ndërkombëtare për t’i kthyer sytë drejt Shqipërisë e t’ia besonte popullin Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores Qiellore të shqiptarëve:
“E si të mos kujtojmë një bijë të zgjedhur të popullit shqiptar, Nënë Terezën e Kalkutës, nënë e shumë të varfërve ndër më të varfërit në botë? Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së papërmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.