2013-10-21 15:12:11

Papa: lakmia për para shkatërron njerëz e familje. T’i përdorim pasuritë që na jep Zoti, për të ndihmuar të tjerët


Lakmia, kapja pas parasë, i shkatërron njerëzit, shkatërron familjet e marrëdhëniet me të tjerët, theksoi Papa sot paradite, gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Prej këndej, një ftesë, sa e lashtë, aq e re. Jo për të zgjedhur varfërinë në vetvete, por për t’i përdorur pasuritë, që na jep Zoti, edhe në ndihmë të të tjerëve.

Duke komentuar Ungjillin e ditës, në të cilin një njeri i kërkon Jezusit të ndërhyjë për të zgjidhur ca çështje trashëgimie me të vëllanë, Papa u ndal sot tek problemi i mprehtë i lidhjes me paranë:
“Ky është problem i përditshëm. Sa familje të shkatërruara kemi parë, për shkak të parave: vëllain që ngrihet kundër vëllait, atin kundër birit. E kjo është pasoja e parë e lidhjes së ngushtë me paranë. Paraja shkatërron! Kur njeriu kapet fort pas parasë, rrënon vetveten e rrënon edhe familjen. Paratë shkatërrojnë! E bëjnë këtë, apo jo? Të sulmojnë. Paratë duhen për të realizuar shumë gjëra të mira, shumë punë në shërbim të zhvillimit të njerëzimit, por kur zemra ngjitet për to, të shkatërrojnë”.
Jezusi rrëfen shembëlltyrën e pasanikut, që jeton vetëm e vetëm për të grumbulluar thesare për vetveten e nuk mendon të pasurohet para syve të Zotit. Jezusi na porosit të rrimë larg nga çdo lakmi:
“Është kjo, që bën keq: lakmia në lidhjen time me paratë. Etja për të pasur më shumë! Më shumë, më shumë… E kjo etje të çon në idhujtari, ta shkatërron lidhjen me të tjerët! Jo paratë, por qëndrimi ndaj tyre, quhet lakmi. Pastaj lakmia nis e të shtje në sëmundje, sepse të bën ta shikosh gjithçka me syrin e parasë. Të rrënon, të bën ta humbasësh shëndetin e korpit e të shpirtit… Në fund, pastaj, e kjo është më e rëndësishme, lakmia është mjet i idhujtarisë, sepse nuk shkon në udhën e Zotit me ne, po në drejtim të kundërt. Shën Pali na thotë se Jezu Krishti, që ishte i pasur, u bë i varfër, për të na pasuruar. Kjo është udha e Zotit: përvujtëria, përulja për të shërbyer. Ndërsa lakmia të çon në rrugë të kundërt: ti, që je varfanjak i shkretë, nis e bëhesh aq fodull, sa të duket vetja Zot. E kjo është idhujtari”.
Prandaj, vijoi Papa, Jezusi flet fjalë shumë të ashpra, shumë të forta kundër lakmisë, kundër etjes së pashuar për para. Na kujton se nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve. Duhet të zgjedhim doemos vetëm njërin: O Zotin, o paranë! E na thotë edhe të mos shqetësohemi, sepse Zoti e di për çka kemi nevojë e na fton të lëshohemi plotësisht në dorë të Atij, që bën të lulëzojnë lilat në fushë e u jep ushqim zogjve në gjethnajë. Po pasaniku i shembëlltyrës vijon të mendojë vetëm për pasuri. Lakmia e shurdhon aq, sa të mos e dëgjojë zërin e Zotit, që i thotë: “I pamend! Sonte do të kërkohet jeta jote”. Udha e kundërt me atë të Zotit, përfundoi Papa, është marrëzi, të çon larg jetës e shkatërron çdo vëllazërim njerëzor:
“Zoti na e mëson udhën në të cilën duhet të ecim: nuk është udha e varfërisë për hir të varfërisë. Jo! Është udha e varfërisë si mjet, që Zoti të jetë Zot; që Ai të jetë i vetmi Zot! Ta adhurojmë Atë, jo idhullin e artë! E të gjitha pasuritë që kemi, Zoti na i jep për ta çuar përpara botën, për t’i dhënë shtytje përpara njerëzimit, për t’i ndihmuar të tjerët. Të mbetet sot në zemër tonë Fjala e Zotit: ‘Kini mendjen e rrini larg çdo lakmie, mbasi edhe nëse ndokush jeton në mes të begatisë, jeta e tij nuk varet nga pasja. Jeta e njeriut është në dorë të Zotit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.