Siri: të paktën 31, viktimat e një autobombe në Hama. Më 23 nëntor nis ‘Gjeneva 2’
Sot paradite në Siri u vranë së paku 31 vetë nga shpërthimi i një autobombe, në qytetin
Hama, kontrolluar nga forcat qeveritare. Ndërkaq sekretari i Lidhjes Arabe, Nabil
al-Arabi, zyrtarizoi njoftimin, sipas të cilit Konferenca Ndërkombëtare e Paqes për
Sirinë, e njohur si “Gjeneva 2”, do të mbahet më 23 nëntor. Njoftimi u dha sot paradite
në Kairo, ku numri 1 i Lidhjes Arabe u takua me emisarin e bashkësisë ndërkombëtare,
Lakhdar Brahimi, i cili ndërkaq paralajmëroi se nuk do të ketë kurrfarë takimi për
paqen, në mungesë të një opozite të besueshme siriane. E kjo është edhe vështirësia
më e madhe në fazën përgatitore të takimit të rangut të lartë. Do ta drejtojë vetë
Brahimi, i cili u nis për në Katar e në Turqi, dy vende, që mbështesin frontin kundër
Asadit. Më pas do të shkojë në Iran, që mbështet regjimin e Damaskut. E akoma, në
Siri. E në fund, në Gjenevë, për të takuar përsëri përfaqësuesit rusë e amerikanë.
E gjithë kjo veprimtari, ndërsa në terren dhuna vijon pa pushuar asnjë çast. Gjatë
ditës së sotme, dhjetra vetë gjetën vdekjen në qytetin Hama, ndërsa nuk kishin pushuar
ende ndeshjet e përgjakshme në lagjet e jashtme të kryeqytetit, të cilin rebelët duan
ta shkëpusin nga kontrolli i ushtarëve të Asadit. Rrethimi i Damaskut mban të ngujuar
prej kohe mijëra civilë, pa folur këtu për kushtet dramatike të jetës së popullsisë
së qyteteve të tjera. Prandaj OKB-ja bëri një thirrje të re për t’i dhënë fund zjarrit
e për të hapur sa më shpejt një korridor humanitar.