2013-10-20 16:39:33

Engjëlli i Tënzot, ftesë për t’u lutur me ngulm; Papa kujton edhe se misioni i krishterë “nuk është prozelitizëm”


Nevoja për t’u lutur vazhdimisht, me ngulm, Dita e sotme Misionare Botërore, kujtimi i misionares laike italiane, Afra Martineli, vrarë pak ditë më parë në Nigeri dhe solidariteti me popullsinë e Filipineve, dëmtuar të martën e kaluar nga një tërmet i fuqishëm! Këto ishin disa nga temat, prekur nga Papa Françesku sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit.

Zoti na njeh të gjithëve! Hyn deri në skutat më të fshehta të zemrave tona! E megjithatë, na fton t’i lutemi me ngulm. Këtë kujtoi Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke e marrë shtytjen nga shembëlltyra e Ungjillit të sotëm, në të cilën Jezusi flet për nevojën e lutjes, gjithnjë, pa u lodhur kurrë. Ashtu si vejusha që, falë lutjes, deri në bezdi, drejtuar gjykatësit të padrejtë, ia doli të nxjerrë në dritë të drejtën e vet:
“Në udhën tonë të përditshme, posaçërisht në çaste vështirësish, në luftë kundër së keqes, brenda e jashta shpirtit tonë, Zotin e kemi gjithnjë përkrah. Luftojmë me Të pranë e arma jonë është pikërisht lutja, që na bën ta ndjejmë praninë, mëshirën, ndihmën e Tij”.
Lufta kundër së keqes, shpjegoi Papa, nuk është e lehtë. Nuk mbaron shpejt. Zgjat shumë e kërkon durim, kërkon rezistencë. Në këtë luftë, që duhet përballuar ditë për ditë, Zoti është aleati ynë. Besimi në Të, është forca jonë. Lutja është shprehje e këtij besimi. E, nëse fiket feja, fiket edhe lutja e ne nisim të ecim në udhë pa krye, të zhytur në errësirë. Humbasim shtegun e drejtë të jetës. Prej këndej, lutja ngulmuese është shprehje e besimit në një Zot, që na bën thirrje të luftojmë përkrah Tij, çdo ditë, çdo çast, në luftën e përjetshme të së mirës kundër së keqes. Në këtë betejë, që vijon, marrin pjesë burra e gra nga të gjitha viset, nga të gjitha kohët. Ndërmjet tyre, Papa kujtoi edhe shumë gra, që luftojnë për të mbrojtur fenë e luten me ngulm, pa u lodhur kurrë:
“Një kujtim sot, të gjithë ne, për këto gra që, me sjelljen e tyre, na japin dëshminë e vërtetë të besimit, të guximit, modelin e fesë. T’i kujtojmë, pra!”.
Pas lutjes mariane, Papa Françesku kujtoi Ditën e sotme Misionare Botërore, duke reflektuar për misionin e Kishës:
Ta përhapim në botë flakën e fesë, që e ndezi Jezusi: besimin në Hyjin, që është Atë, Dashuri, Mëshirë. Metoda e misionit të krishterë nuk është prozelitizëm, është metodë e flakës. Ndizet për të ngrohur e për të ndritur shpirtin e të gjithëve”.
Duke i falënderuar të gjithë ata, që me lutje e ndihmë konkrete e mbështesin veprimtarinë misionare, posaçërisht misionin e ipeshkvit të Romës për përhapjen e Ungjillit, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek misionarët e vijës së parë të frontit, tek ata, që e kumtojnë Krishtin deri në skajet më të humbura të botës:
Në këtë Ditë jemi pranë të gjithë misionarëve e misionareve, që punojnë shumë, pa bërë fare zhurmë, duke dhënë, shpesh, edhe vetë jetën. Si Afra Martineli, italiane, që punoi për shumë vjet në Nigeri: u vra pak ditë më parë, gjatë një grabitjeje. E qanë të gjithë, të krishterë e myslimanë. E donin fort të gjithë!”.
Afra Martineli, vijoi Papa, i pasuar nga një duartrokitje në kujtim të saj, e kumtoi Ungjillin me jetë, me veprën që realizoi, me shkollën e saj të informatikës e me kolegjin e saj, e kështu kalli flakën e fesë, duke e luftuar deri në fund të fundit, luftën e mirë.
E kështu edhe Shtefan Shandor, salezian laik, shpallur i Lum dje, në Budapest të Hungarisë. Kur regjimi komunist i mbylli të gjitha veprat katolike, kujtoi Ati i Shenjtë, ai e përballoi me guxim të pashoq persekutimin dhe u var, pa i mbushur ende 39 vjetët.
Nga Hungaria, mendimi i Papës shkoi në Filipine, dëmtuar rëndë nga tërmeti i së martës së kaluar:
“Dëshiroj t’u shpreh afërsinë time popullsive të Filipineve, dëmtuar nga një tërmet i fortë e ju ftoj të luteni për këtë Komb të dashur, goditur, kohët e fundit, nga një mori fatkeqësish të natyrës”.
Shumë përshëndetje, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot. Ndërmjet tyre, ajo drejtuar të rinjve, që morën pjesë në manifestimin “100 metra garë e fe. Sporti për fenë!”, organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës: “Na kujtuat, u tha Papa, se besimtari është atlet i shpirtit”. E, në përfundim, një mendin prekës:“Sot, në Argjentinë, kremtohet festa e Nënës: një përshëndetje të përzemërt nënave të tokës sime”.







All the contents on this site are copyrighted ©.