2013-10-20 16:39:46

Dita Misionare. Imzot Tai-Fai: themelore, të dëshmohet feja si dhuratë


Sot u kremtua Dita e 87-të Misionare Botërore. Në mesazhin për këtë të kremte, nënshkruar më 19 majin e kaluar, në Solemnitetin e Rrëshajëve, Papa Françesku kujton se gjithë të pagëzuarit janë të thirrur ta kumtojnë Ungjillin me guxim, në çdo mjedis. Për mesazhin e Papës dhe rëndësinë e kësaj Dite, ftuam, në mikrofonin tonë, sekretarin e Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, imzot Savio Hon Tai-Fai:

Përgjigje: - Në mesazhin e Atit të Shenjtë për këtë vit, është një aspekt, që flet për fenë, parë si dhuratë. E jo vetëm si dhuratë e çmuar, e cila i jepet çdo njeriu. Por edhe si dhuratë për t’u komunikuar nga të gjithë ata, që e morën. Më kujtohet se disa vjet më parë, në Ecclesia in Asia, flitej për Ungjillin e Krishtit si dhuratë. Pa harruar se kjo dhuratë i përmban të gjitha dhuratat e tjera. Është përmasë, që i përfshin të gjithë e gjithçka. Universale, dhurata e fesë. Jemi të thirrur t’i përgjigjemi me dhurata, kësaj dhurate. Me dhuratën e përcjelljes së fesë.

Pyetje: - Në këtë mesazh të Papës Françesku për Ditën Misionare, nënvizohet edhe se veprimtaria misionare është dëshmi, jo prozelitizëm…

Përgjigje: - Po, Papa Françesku sintetizon rëndësinë e dëshmisë në traditën e veprimtarisë misionare: dëshmi nuk është fjala jonë, po vepra jonë, jeta jonë. Kjo ka rëndësi. Dëshmia nuk është e nuk duhet të jetë kurrë abstrakte. Dëshmia është vepra jonë, ndihmesa jonë, lutja jonë e flijimi ynë.












All the contents on this site are copyrighted ©.