U lartua në nderimet e elterit, Stefano Sàndor. Intervistë e Radios sonë me kardinalin
Anxhelo Amato
Në Budapest të Hungarisë, u kremtua një Meshë me ritin e Lumnimit të Stefan Sàndor,
laik i përkushtuar i Shoqërisë së Shën Françeskut të Sales (26 tetor 1914-8 qershor
1953). Meshën e kryesoi kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për
Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Papës në kremtim, sot në mikrofonin tonë:
Pyetje: - Hirësi, a mund të na thoni diçka për Shërbëtorin e Zotit,
Stefan Sàndor (1914-1953), salezian-ndihmës, lumnuar dje në Budapest?
Përgjigje:
- I Lumi Stefan Sàndor lindi në Szolnok të Hungarisë, më 26 tetor 1914, në gjirin
e një familjeje thellësisht të krishterë. Jetoi në vite të vështira për vendin e
tij, tronditur nga luftërat dhe shndërrimet politike e shoqërore. Ndoqi me zell të
madh jetën e famullisë, drejtuar nga Vëllezërit e Vegjël Françeskanë, ku ndihmonte
meshë. Duke vërejtur se kishte shumë dëshirë për jetë rregulltare, françeskanët
e këshilluan të hynte në Kongregatën e Salezianëve.
Pyetje: - Si e vlerësoi
i Lumi përvojën saleziane?
Përgjigje: - I lumi ynë mahnitej nga figura
e Dom Boskos. E vlerësonte shumë metodën pedagogjike e baritore, që synon “shëlbimin
e gjithanshëm’ të të rinjve. Prandaj e la punën si tornitor e shkrirës bakri, që kishte
nisur, e, pas miratimit nga ana e prindërve, hyri si rishtar në Institut. Shumë shpejt
eprorët u prekën thellë nga sjellja e djaloshit, serioz e gazmor njëherësh, dhe më
pas e pranuan në noviciat.
Pyetje: - Pastaj në Hungari ia behu persekutimi
fetar. Ç’qëndrim mbajti i Lumi në vorbullën e tmerrshme, që përfshiu vendet satelite
të Bashkimit Sovjetik, ku u derdh shumë gjak martirësh, ende të pashpallur?
Përgjigje:
- Dihet se komunizmi stalinist, regjim jo më pak kriminal se nazizmi, e mori fuqinë
në vendin e tij më 1949 e, jo vetëm që i konfiskoi të gjitha pasuritë e Kishës, por
nisi edhe format më të egra të persekutimit kundër rregulltarëve, që u detyruan të
jetojnë fshehurazi e të bëjnë gjithfarë punësh, për të siguruar jetesën. Edhe Stefanit
iu desh të largohej nga shtypshkronja. Iku nga sytë këmbët e jetoi i fshehur për disa
muaj. Megjithëse pati mundësi të largohej nga Hungaria, vendosi të rrinte në atdhe.
Gjeti punë në një fabrikë e vijoi me guxim të pashoq, apostullimin ndërmjet të rinjve,
duke e ditur mirë se kjo ishte veprimtari e ndaluar rreptësisht.
Pyetje:
- Pastaj e mbytën... Si?
Përgjigje: - Më 28 korrik policia politike
e kapi në fabrikën ku punonte dhe e flaku në burg. Këtu nisën torturat. Pas një procesi
hipokrit, për sy e faqe, u dënua për komplot kundër shtetit e u var në litar më 8
qershor 1953. Pas shembjes së regjimit komunist, duke u mbështetur mbi ligjin XXVI
të vitit 1990, dënimi i tij me vdekje u anulua e, në nëntor 1999, iu dha një titull
i lartë nga Qeveria hungareze.
Pyetje: - Ç’u thotë njerëzve të kohës
sonë ky Martir i ri? Përgjigje: - Martiri i Lum Stefan Sàndor na le të
gjithëve e posaçërisht, vëllezërve të tij salezianë, një mesazh të trefishtë: së pari,
na kujton besnikërinë ndaj thirrjes së Zotit, deri në fund të fundit; së dyti, impenjimin
në misionin edukativ të të rinjve, që duhet t’i formojmë për të jetuar jetën e mirë
të Ungjillit; e, së fundi, përpjekjen për të qenë dëshmitarë të besueshëm të Jezusit,
të Fjalës së shpresës e të dashurisë. Në përfundim, Martiri i Lum Stefan Sàndor na
dorëzon profecinë e rëndësisë së edukimit të të rinjve për t’iu kundërvënë kulturës,
që shpesh lufton kundër vlerave të jetës, të dashurisë së krishterë, të dëshirës për
punë, të faljes e vëllazërisë.